Gjermania ashpërson kontrollet kufitare
Gjermania më 9 shtator forcoi kontrollet kufitare për të luftuar migrimin ilegal, pas disa sulmeve të dyshuara të kryera nga islamistët që nxitën zemërimin e publikut dhe rritën presionin ndaj Qeverisë.
Kontrollet e përkohshme do të aplikohen në kufijtë tokësorë të Gjermanisë me nëntë fqinjët e saj të Bashkimit Evropian, tha ministrja e Brendshme gjermane.
Këto kontrolle synojnë të luftojnë migrimin dhe “të mbrojnë shtetin kundër rreziqeve akute që paraqet terrorizmi islamist dhe krimet serioze”, tha ministrja e Brendshme, Nancy Feaser në një konferencë për media.
Qeveria e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, është përballur me presion në rritje për të frenuar migrimin ilegal dhe për të luftuar ekstremizmin, pas disa sulmeve të dyshuara islamiste.
Muajin e kaluar, tre persona u vranë gjatë një sulmi me thikë në Solingen, dhe i dyshuari i sulmit, një sirian, edhe pse ishte urdhëruar që të largohej nga vendi, kishte shmangur forcat e sigurisë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi ekstremist, Shteti Islamik.
Gjermania veçse kishte aplikuar kontrolle të përkohshme përgjatë kufirit të saj me Austrinë, kontrolle që janë në fuqi që nga viti 2015 për të luftuar fluksin e migrantëve.
Vitin e kaluar, Berlini po ashtu vendosi kontrolle të përkohshme kufitare në kufijtë e tij me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën, në mes të shqetësimeve se fluksi i migrantëve mund të rritet.
Tani, Gjermania ka vendosur që të aplikojë kontrolle kufitare edhe në kufijtë e saj tokësorë me Francën, Luksemburgun, Belgjikën, Holandën dhe Danimarkën, tha Qeveria.
Ky njoftim vjen teksa Berlini është zotuar se do të rrisë përpjekjet që të dëbojë azilkërkuesit që janë të dënuar për krime të ndryshme. Muajin e kaluar, Gjermani për herë të parë ktheu 28 afganë që kur talibanët morën pushtetin në Afganistan më 2021.
Qeveria po bën “gjithçka që të mbrojë më mirë njerëzit dhe shtetin tonë”, tha Faeser të hënën, duke shtuar se do të kthejë mbrapsht edhe migrantët në kufi.
Sipas saj, që kur autoritetet rivendosën kontrollet kufitare në kufirin lindor gjerman tetorin e vitit të kaluar, afër 30.000 personave u është ndalur hyrja në Gjermani./ REL/
Burimi