Festivali ndërkombëtar i monodramës/ Nis në Korçë dhe përfundon në Maliq

Festivali ndërkombëtar i monodramës/ Nis në Korçë dhe përfundon në Maliq

Mbrëmjen e së enjtes në Korçë, ka startuar Festivali Ndërkombëtar i Monodramës, në edicionin e tij të 20-të. Bashkia e Maliqit, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore, vendosi që këtë edicion për 7 ditë radhazi ta zhvillojë në qytetin e Korçës, ndërsa dita e fundit do të kulmojë pikërisht në Maliq, në Pallatin e Kulturës, me një organizim mjaft të veçantë. Ky edicion ka nisur me një nga shfaqjet më kuptimplota, atë të “Burrneshës”, rol që e solli në këtë monodramë aktorja ukrainase, Maryna Ivashchenko.
Për herë të dytë ajo rikthehet në qytetin e Korçës, si pjesëmarrëse në këtë festival, duke treguar mbresat e saj lidhur me qytetin dhe mikpritjen e korçarëve. Sa i përket veprës që solli në këtë çelje të festivalit, aktorja shprehet mjaft e kënaqur për performancën dhe historinë që kjo vepër mbart në vetvete. Një histori e një burrneshe shqiptare që i shkoi më së miri karakterit të aktores duke iu përshtatur rolit.

“U ndjeva shumë mirë, kënaqësi për mua të vij në këtë festival. Jam për herë të dytë dhe falënderoj gjithë organizatorët sepse e kanë organizuar shumë mirë. Njerëzit janë interesantë, Korça është e bukur, më pëlqen edhe roli”, u shpreh ajo. 

Vepra teatrale u soll në këtë edicion nën kujdesin e regjisores shqiptare Valbona Xibri, e cila prej vitesh jeton në Itali. Ajo ka treguar se kjo performancë është ndërtuar jo vetëm me tekst, por ndërthurur edhe me kërcim, video, muzikë e gjeste, çka e bën akoma më të veçantë. Për regjisoren, kjo vepër është ndër më të bukurat që ka punuar, duke theksuar faktin se ka fituar edhe çmime në disa prej festivaleve ku është shfaqur.

“Sot kam ardhur me një performancë teatrale që quhet “Burrnesha”, histori e njërës nga burrneshat shqiptare e realizuar në gjuhën italiane me një aktore ukrainase. Unë jam shqiptare dhe është një rrëfim shumë i thjeshtë, por edhe interesant sepse ndërtohet jo vetëm me tekst, por edhe me video, muzikë ‘live’, kërcim, gjeste, një shfaqje që mbart brenda disa forma teatrale. Tematika është historia e njërës nga burrneshat shqiptare, virgjëresha që në një moment të jetës së tyre vendosin të jetojnë si burrë. Kjo është një temë sociale, s’ka të bëjë me gjininë ose argumente të tjera. Është thjesht një vajzë që për motive të ndryshme, sepse s’mund të trashëgojë, për arsye se s’mund të martohet me djalin që i ka propozuar familja, për të mos krijuar hakmarrje ose probleme mes familjeve, vendos të vishet e të sillet si burrë. Është shumë interesante sepse aktorja është shumë e mirë, kemi punuar me improvizime, çdo skenë që shihet është ndërtuar posaçërisht për këtë histori. Është një shfaqje që ka marrë pjesë në shumë festivale, ka fituar çmime si “Dramaturgjia më e mirë”, “Rregjia më e mirë”, një shfaqje që e ka merituar vendin e vet”, tha Xibri. 

Drejtori i Qendrës Kulturore në Maliq, Festim Tomorri, tregon se edhe këtë vit janë munduar të sjellin diçka ndryshe, duke punuar shumë për organizimin e festivalit së bashku me kryetarin e Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu. Në këtë festival do të ketë 7 shfaqje të ndryshme, me aktorë nga Bullgaria, Spanja, Polonia, Turqia e në fund, Kazakistani. Pikërisht shfaqja e fundit e këtij edicioni të 20-të do të jetë pika kulmore, me veprën e njohur “Medea” dhe do të shfaqet në skenën e improvizuar të Pallatit të Kulturës në Maliq.
Burimi