Egjipti propozon një armëpushim 2-ditor në Gaza dhe lirimin e 4 pengjeve
Egjipti ka propozuar një armëpushim dy-ditor midis Izraelit dhe Hamasit, gjatë të cilit do të lirohen katër pengjet e mbajtura në Gaza.
Presidenti Abdel-Fattah el-Sissi, duke folur në Kajro të dielën, tha se propozimi përfshin gjithashtu lirimin e disa të burgosurve palestinezë dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Egjipti ka qenë një ndërmjetës kyç së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo është hera e parë që presidenti i Egjiptit propozon publikisht një plan të tillë. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Izraeli apo Hamasi.
El-Sissi tha se propozimi synon “të çojë situatën përpara”, duke shtuar se sapo të hyjë në fuqi armëpushimi dyditor, negociatat do të vazhdojnë për ta bërë atë të përhershëm.
Nuk ka pasur një armëpushim në 11 muaj, që nga pauza njëjavore e luftimeve të nëntorit, në të cilat u liruan 105 pengje në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë.
Ndërkohë, shefi i Mossad i Izraelit udhëtoi për në Doha të dielën për bisedime me kryeministrin e Katarit dhe shefin e CIA-s.
Gjatë një memoriali qeveritar të dielën për përvjetorin hebraik të sulmit të 7 tetorit, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se “jo çdo qëllim mund të arrihet përmes operacioneve ushtarake”. Ai shtoi se “do të kërkohen kompromise të dhimbshme” për kthimin e pengjeve.
Propozimi i Egjiptit erdhi një ditë pas sulmeve izraelite ndaj Iranit në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit në fillim të këtij muaji. Udhëheqësi suprem i Iranit tha se sulmi “nuk duhet të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet”, ndërsa nuk bëri thirrje për hakmarrje. Ky ishte sulmi i parë i hapur i Izraelit ndaj armikut të tij kryesor.
Ky shkëmbim zjarri ka ngritur frikën e një lufte gjithëpërfshirëse rajonale që do të vendosë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara kundër Iranit dhe përfaqësuesve të tij militantë, të cilët përfshijnë Hamasin dhe grupin militant Hezbollah në Liban, ku Izraeli filloi një pushtim tokësor në fillim të këtij muaji pas gati një viti i konfliktit të nivelit më të ulët të shkaktuar nga lufta në Gaza./ Euronews – Syri.Net
Burimi