Besa Sharrah, shqiptarja-amerikane që kandidon për Senatin në Ohajo: Dua mbështetjen e të dy krahëve
Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbahen zgjedhjet presidenciale.
Në garë për kreun e shtetit janë republikani Donald Trump dhe demokratja Kamala Harris.
Për të folur për zgjedhjet në SHBA, në lidhje “Skype” në “Task Force” në Syri TV me moderatoren Sonila Meço është Besa Sharrah, shqiptaro-amerikania e parë që kandidon për në Senatin e Ohajos nga radhët e Republikanëve.
“Unë kandidoj për shtetin e Ohajos, për Senatin e Ohajos. Jam pak a shumë një kandidate që kandidon mbi platformën e biznesit. Duhet të kemi një dialog mes dy anëve, sidomos për distriktin tim, që është me goxha impakt për ekonominë e Ohajos.
Gjatë fushatës sime jam munduar shumë të mos krijoj idenë që njëra apo ana tjetër ka të drejtë. Ideja ime është që të kemi dialog, sidomos në Ohajo ku po shohim investim të rrallë prej 100 miliardë dollarësh. Kam pasur dëshirën e madhe të kem mbështetje nga të dy anët.
Në Ohajo jemi një shtet i kuq (i Republikanëve) dhe nuk më pëlqen ky lloj dialogu që un kam të drejtë apo ti ke të drejtë. Duhet dialog nga të dy krahët. Nëse vendi do të ecë përpara, ne duhet të afrojmë njëri-tjetrin në gjërat që kemi të përbashkëta, jo në ato që na ndajnë.
Dëshira ime më e madhe është që të bashkoj distriktin tim. Retorika agresive nuk funksionon. Ajo retorikë që i tregojmë gishtin njëri-tjetrit, është gabim fatal dhe dështim i dialogut politik”, deklaroi në “Task Force” kandidatja e Republikanëve për Senatin e Ohajkos, Besa Sharrah.