BE do ndjekë shembullin e SHBA, Borrell: Ukraina duhet të përdorë armët që i kemi dhënë në territorin rus

BE do ndjekë shembullin e SHBA, Borrell: Ukraina duhet të përdorë armët që i kemi dhënë në territorin rus

Pas njoftimit se administrata Biden i ka dhënë leje Ukrainës të përdorë armët me rreze të gjatë për të sulmuar në brendësi të territorit rus, sot janë mbledhur ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian. Shefi i politikës së jashtme Josep Borrell u shpreh se anëtarët e Unionit mund të bien dakord për të lejuar Kivien të përdorë armë për të goditur brenda Rusisë.

“Unë kam thëne dhe përsëris se Ukraina duhet të jetë në gjendje të përdorë armët që i kemi dhënë, në mënyrë që jo vetëm të ndalojë shigjetat, por edhe të jetë në gjendje të godasë harkëtarët. Unë vazhdoj të besoj se kjo është ajo që duhet bërë. Jam i sigurt se do të diskutojmë edhe një herë. Shpresoj se vendet anëtare do të bien dakord për këtë”, tha Borrell.

Ndërkohë ministrja e Jashtme gjermane theksoi se lejimi i armeve me rreze të gjatë nuk është një ndryshim strategjie e perendimit.

“Dua të theksoj se ky nuk është një rimendim, por një intensifikim i asaj që tashmë është dhënë nga partnerët e tjerë, është kaq i rëndësishëm në këtë moment”, tha ministrja Annalena Baerbock.

Nga ana tjeter, në konferencën e tij të rregullt ditore për shtyp, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk kishte asnjë ndryshim në deklaratën që Vladimir Putin  dha në shtator.

Presidenti rus ka thënë se do t’i konsideronte sulmet me armë të prodhuara nga SHBA në tokën ruse si përfshirje të drejtpërdrejtë të NATO-s në konflikt.
Burimi