Armëpushim edhe në Gaza?/ SHBA: Kontakte të vazhdueshme dhe indirekte me Hamasin në javët e fundit
Ndërsa në Liban tashmë kemi paqe pas mafrrëveshjes së firmosur nga kabineti i sigurisë izraelite, gjasat për armëpushim janë dhe në Gaza. Jake Sullivan, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, ka folur mbi përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza.
Sullivan tha se Netanyahu ka rënë dakord me Bidenin që “të ndërmarrë një tjetër drejtim për të arritur një armëpushim të mirë dhe marrëveshje pengjesh, që i sjell në shtëpi, përfshirë qytetarët amerikanë”.
Ai shtoi se presidenti amerikan synon ta fillojë atë punë sot, duke i angazhuar të dërguarit e tij me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, si dhe me aktorë të tjerë rajonalë.
“Ka pasur kontakte të vazhdueshme, indirekte përmes ndërmjetësve me Hamasin në javët e fundit. Ne besojmë se tani që kemi një armëpushim në Liban, presioni do të rritet vetëm mbi Hamasin për të arritur një marrëveshje, “tha Sullivan.
“Unë nuk mund të parashikoj nëse/dhe kur do të ndodhë, por mund t’ju them se ne do të bëjmë çdo përpjekje që kemi për ta realizuar atë dhe për t’i kthyer pengjet në shtëpi.”
Pas armëpushimit në Liban, Hamasi thotë se dëshiron një armëpushim në Gaza.
Grupi thotë në një deklaratë se dëshiron një marrëveshje, që “i jep fund luftës në Gaza dhe sheh lirimin e pengjeve të huaja si dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli”.
Ai vlerësoi arritjen e një armëpushimi në Liban, i cili hyri në fuqi në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, duke thënë se shpreson se kjo marrëveshje “do të hapë rrugën për arritjen e një armëpushimi, që i jep fund gjenocidit kundër popullit tonë në Gaza”.
“Pranimi i armikut për të arritur një marrëveshje pa arritur qëllimin e tij, është një hap i rëndësishëm për të shkatërruar iluzionet në mposhtjen e rezistencës”, thuhet në deklaratën e Hamasit.
Sot, zyrtarët amerikanë thanë se vendi është i angazhuar në një shtytje të re për një armëpushim në Rripin e Gazës./ Al Jazeera.
Burimi