Ambasadori gjerman në Kosovë rikujton rregulloren e shtetit të tij për tubimet partiake

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të hënën se autoritetet gjermane zakonisht nuk japin leje që partitë politike të një shteti të zhvillojnë fushatë në tokën gjermane në periudhën më pak se tre muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve.

Si shkas për rikujtim ka marrë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen më 9 shkurt.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – Rohde ka thënë se e ka informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe partitë politike për këtë rregullore specifike.

Përgjatë nëntorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar disa herë pjesëtarë të diasporës kosovare në Zvicër, Austri, Norvegji dhe Gjermani.

Ai ka zhvilluar takime me diasporën në Gjermani edhe në shtator e tetor, në katër qytete të këtij shteti.

Megjithatë, në postimet e bëra në Facebook, Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka thënë të ketë bërë fushatë për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit dhe vetëm ka falënderuar bashkatdhetarët për mikpritjen.

Përfaqësues të disa partive opozitare dhe njohës të zhvillimeve politike besojnë se udhëheqësit e Qeverisë janë duke i shfrytëzuar ambasadat dhe burimet e shtetit të Kosovës për fushatë elektorale.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se disa prej takimeve të tilla, në të cilat ka marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, janë organizuar nga ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendet përkatëse, e disa nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.

Takime me pjesëtarë të diasporës kanë realizuar edhe pjesëtarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, deri më tash, nuk ka të publikuar ndonjë takim me pjesëtarët e diasporës.

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla me pjesëtarët e diasporës së Kosovës në vende të ndryshme evropiane, janë tubime parazgjedhore.

Sipas tij, fjalimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës në këto tubime kanë përmbajtje politike dhe elektorale.

Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

Ndonëse partitë politike në Kosovë kanë nisur takime dhe tubime edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e KQZ-së, periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, fillon zyrtarisht më 11 janar, 2025./ REL/ 
Burimi