A mund ta kishte shpëtuar Berlini Jamshid Sharmahd nga ekzekutimi në Iran?

A mund ta kishte shpëtuar Berlini Jamshid Sharmahd nga ekzekutimi në Iran?

Një turmë demonstruesish dolën në rrugë para Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin të hënën pas ekzekutimit të gjermano-iranianit Jamshid Sharmahd, i cili kishte kaluar katër vjet në një burg iranian me akuza për terrorizëm.

69-vjeçari ka lindur në Teheran, por fëmijërinë e kaloi në Gjermani, më pas u transferua në Los Anxhelos në fillim të viteve 2000 dhe më në fund iu dha leja e qëndrimit në SHBA.

Një inxhinier softuerësh, Sharmahd kishte bërë fushatë për opozitën iraniane për vite me rradhë kur forcat iraniane të sigurisë e rrëmbyen atë gjatë një pushimi në vitin 2020. Irani e akuzoi atë për komplotimin e një sulmi terrorist, si dhe “zbulimin e informacionit të klasifikuar”. Ai u dënua përfundimisht me vdekje në vitin 2023, pasi kaloi muaj në izolim.

Vajza e tij, Gazelle Sharmahd, kishte bërë vazhdimisht fushatë për lirimin e tij, duke përfshirë edhe lobimin e qeverisë gjermane. Ajo raportoi se ai po kalonte shumë keq në izolim dhe kritikoi hapur Gjermaninë dhe SHBA-në për dështimin e tij.

Në një artikull për Die Tageszeitung, gazetarja Gilda Sahebi kritikoi qeverinë gjermane se e la Gazelle Sharmahd të vetme në luftën e saj.

“Kur bëhet fjalë për regjimin iranian, qeveria gjermane është një mbështetëse e ‘diplomacisë së qetë'”, shkroi ajo, “ndoshta mënyra më e keqe për t’u marrë me një shtet diktatorial si Republika Islamike”.

Ajo shtoi se qeveria gjermane “as nuk guxoi” ta quante Jamshid Sharmahd një peng politik – një kontrast i fortë me vendet e tjera si Franca, Danimarka dhe Austria, të cilët më parë kanë mundur të lirojnë qytetarët që ata i quanin “peng shtetëror”.

“Kemi punuar pa u lodhur”

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shkroi në X se ajo dënoi vrasjen nga regjimi iranian “në termat më të fortë të mundshëm”.

I shpreh gjithë ngushëllimet e mia familjes së tij për këtë humbje të tmerrshme”, ka shkruar ajo. “Ne kemi punuar pa u lodhur në emër të Jamshid Sharmahd dhe kemi dërguar një ekip të nivelit të lartë të AA në Teheran në disa raste. Ne i kemi bërë vazhdimisht të qartë Teheranit në mënyrë të pagabueshme se ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda.”

Kreu i CDU-së Friedrich Merz mori kauzën e Sharmahd vite më parë. Ai e dënoi ekzekutimin si një “krim të urryer” dhe i bëri thirrje qeverisë gjermane që të dëbojë ambasadorin iranian nga Berlini.

Sipas raporteve nga grupet e të drejtave të njeriut, më shumë se 500 njerëz tashmë janë dënuar me vdekje dhe ekzekutuar në Iran në 10 muajt e parë të vitit 2024./ Euronews – Syri.net
Burimi