Është momenti për të hedhur hapin e madh në karrierë, tre klube të Serisë A kërkojnë sulmuesin shqiptar
Kristjan Shpendi mund të ndërrojë skuadër këtë verë. Sulmuesi shqiptar e ka provuar veten në tre sezone radhazi me Çezenën. Pas shkëlqimit në Serinë C, Shpendi ruajti po të njëjtin nivel edhe një kategori më sipër, duke shënuar një numër të konsiderueshëm golash si në sezonin e shkuar, ashtu edhe në këtë sezon. Sigurisht që një lojtar me të dhënat e tij ka arritur të tërheqë vëmendje në futbollin italian. Sipas “Il Resto dell Carlino”, tre klube të Serisë A janë të interesuara për shërbimet e talentit të Kombëtares shqiptare. Mësohet se Bolonja, Lacio dhe Torino dëshirojnë transferimin e Shpendit. Ndoshta tani është momenti i duhur për 23-vjeçarin për të hedhur hapin e madh në karrierë./Sport Ekspres/
Burimi:
sportekspres.com