Restaurimi i Kullës së Pjetër Prenkpalajt në Zym të Hasit përfundon me sukses
Punimet restauruese në Kullën e Pjetër Prenkpalajt në Zym të Hasit, Prizren, kanë përfunduar, duke shpëtuar nga rrënimi një tjetër aset të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila ka njoftuar se kulla, që daton nga shekulli XIX, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të arkitekturës tradicionale të Hasit. E ndërtuar me gur dhe dru, kulla bart vlera të veçanta historike dhe arkitekturore. Pas përfundimit të ndërhyrjeve restauruese, ajo ka rikthyer integritetin e saj dhe do të ruhet si pjesë e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm./KultPlus.com
Burimi:
kultplus.com