Pro rusi fiton zgjedhjet në Rumani, George Simion përballet në balotazhin presidencial me kryebashkiakun e Bukureshtit

Një ultranacionalist, George Simion ka fituar bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale në Rumani, që u mbajtën të dielën.
Pro rusi Simion ka siguruar rreth 40% të votave dhe do të shkojë në balotazh përballë kandidatit të qendrës, kryebashkiakut të Bukureshtit, Nicusor Dan i cili mori rreth 20% të votave.
“Kjo nuk është vetëm një fitore zgjedhore, është një fitore e dinjitetit rumun. Është fitorja e atyre që nuk e kanë humbur shpresën, e atyre që ende besojnë në Rumani, një vend të lirë, të respektuar dhe sovran”, tha Simion.

38 -vjeçari Simion i ekstremit të djathtë, ka kundërshtuar hapur ndihmën për Ukrainën, ka kritikuar fortë udhëheqësit e Bashkimit Europian, ndërsa e ka quajtur veten një aleat natyror të presidentit Donald Trump.
Zgjedhjet në Rumani u përcollën me interes të lartë edhe jashtë vendit, për shkak të deklaratave të fortat, por edhe për procesin zgjedhor të përsëritur.
Nëntorin e kaluar, Calin Georgescu, gjithashtu nacionalist prorus, i konsideruar si kandidat pa përvojë, arriti një fitore të befasishme në rundin e parë të votimit.
Megjithatë, autoritetet anuluan rezultatet, mes akuzave për ndërhyrje ruse për të shtyrë përpara kandidaturën e tij. Georgescut iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e reja, dhe u vunë një sërë rregullash të reja për përsëritjen e votimit, më 4 maj.
Anulimi i zgjedhjeve tërhoqi kritika jashtë Rumanisë, përfshirë nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J.D. Vance, i cili akuzoi zyrtarët se vepruan mbi trysni të madhe dhe të dyshimtë nga fqinjët kontinentalë. Balotazhi presidencial mes Simionit dhe Danit do të mbahet më 18 maj./vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *