Vodhën banesat e 49 VIP-ave në Francë e Belgjikë! Çmontohet banda kriminale shqiptare, kush është drejtuesi i rrjetit “Nikla”, grupi i hajdutëve grabitën bizhuteri dhe artikuj luksoz me vlerë 1 mln euro!

Vodhën banesat e 49 VIP-ave në Francë e Belgjikë! Çmontohet banda kriminale shqiptare, kush është drejtuesi i rrjetit “Nikla”, grupi i hajdutëve grabitën bizhuteri dhe artikuj luksoz me vlerë 1 mln euro!

Një bandë kriminale shqiptare që synonte të famshëm dhe liderë biznesi është çmontuar nga autoritetet franceze.

Gjashtë të dyshuar, përfshirë kreun e dyshuar, janë akuzuar pas një sërë grabitjesh të guximshme.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar shtatë persona. Dy të parët u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerët u kapën më 4 mars pranë Reims.
Midis tyre, gjashtë u paditën, duke përfshirë edhe drejtuesin e dyshuar të rrjetit, Edison Pula, një shqiptar rreth të tridhjetave.

Mësohet se francezët e kanë “pagëzuar” grupin e hajdutëve me emrin Nikla.
Burime bëjnë me dije se banda shqiptare ka vjedhur  banesat e 49 personazheve VIP si futbollistë, pilotë të Formula Uno dhe këngëtarë të famshëm në Francë dhe Belgjikë.
Në total sipas policisë franceze grupi Nikla ka vjedhur rreth 1 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe artikuj lëkure luksoze. Pasi janë vjedhur sipas policisë franceze mallrat e vjedhura janë shitur në Shqipëri.
Ky i fundit, i kërkuar nga Interpoli, njihet tashmë për arratisjet e tij të shumta, përfshirë një spektakolare në qershor 2022 nga një burg italian.
Edison Pula akuzohet për: “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.
Por, avokati i të riut ka deklaruar se “Edison Pula nuk është i dënuar në Shqipëri” pasi Gjykata e Lartë ka prishur vendimin për dënimin e tij me 14 vite burg.
Tashmë bëhet e vështirë për autoritetet shqiptare ekstradimi i 30-vjeçarit drejt Shqipërisë.
KUSH ËSHTË EDISON PULA
Edison Pula është njeriu që përveç vjedhjeve në Shqipëri, u dëmtoi karrierën dy policëve mbasi u arratis në çastet që ata po e fusnin në burg. Ai po ashtu është arratisur mëngjesin e 9 qershorit të viti 2022 nga burgu i Trevisos në Itali.
Teksa pritej të dilte para Gjykatës për 50 vjedhje, nga Burgu i Trevizos, 30-vjeçari, që njihet si mjeshtër i arratisjeve dhe i vjedhjeve serial, ai u largua asokohe së bashku me dy shqiptarë të tjerë, por këta të fundit u arrestuan brenda pak orësh.
Por më shumë se sa episodet e vjedhjeve në Itali dhe Shqipëri dhe implikimi në drogë, emri i të arratisurit Edison Pula lidhet me një nga atentatet me tritol të organizuar ndaj njerëzve të hetuar për vjedhjen e një mjeti që u përdor për vrasjen e kryekomisar Ditan Lamaj.
Numri i telefonit që aktivizoi bombën me tritol më 19 shtator 2016 në automjetin Gentjan Bejtjes i dëmtuar rëndë në atë kohë, e tradhtoi Edison Pulën dhe bashkëpunëtorët e tij. Krimet e Rënda e hetuan në atë kohë shënjestrën e atentatit të Pulës, Gentjan Bejtja, së bashku me Enver Stafukën, si hajdutët që siguruan makinën “BMV” prej nga ku u qëllua me breshëri Dritan Lamaj.
Për atentatin që synoi të asgjësonte një person që ka dijeni për autorët e vrasjes së një polici si Lamaj, Prokuroria mori nën hetim jo vetëm Edison Pulaj, por edhe Oltion Cacën, që të dy nën akuzë për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe shpërthim me eksploziv.
Ky hetim së bashku me vendimet e fajësisë shkoi për rekurs në Gjykatën e Lartë, së bashku me episode të tjera për të cilat i arratisuri akuzohet në Shqipëri si vjedhje dhe drogë.
Në Krujë, dy ditë mbasi ai u mor i pandehur dhjetorin e vitit 2016, Edison Pula u shpëtoi nga duart dy policëve Denis Çela dhe Naim Stafuka, duke u arratisur. Policët që u arrestuan për shpërdorim detyre thanë se sapo e zbritën nga makina për ta futur në komisariat, i dyshuari përfitoi nga dera e hapur dhe u largua.
 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente