Universi shpirtëror i njeriut në një libër me poezi të Preç Zogajt! Shkrimtari gjallon në brazdat e vjershërimit të tij tipik
SEJDO HARKA/
“Muza poetike e Preç Zogajt shkrihet në mënyrë harmonike me polifoninë e poezisë europiane”
ERIC NAULLEAU
Shfleton vëllimin poetik të poetit, Preç Zogaj, me titullin sa të drejtpërdrejtë, aq dhe metaforik “Një e tretë, dashuria”, dhe herë të duket sikur rend mbi një lëndinë të bukur ëndrrash, ku shijon eliksirën e erosit e të dashurisë njerëzore, dhe herë sikur rend përmes maja malesh të mbushura me hone e prita të frikshme, ku stuhitë dhe breshërimat e akullta të bëjnë të përjetosh stërmundimin e njeriut që lufton me të keqen për t’i bërë ballë shpagimit, bërrylave, egërsisë, padrejtësisë, egoizmit dhe tradhtisë…
Magjinë e këtij vëllimi poetik e bëjnë më të qartë fjalët e kursyera, por plot densitet mendimi të parathënies së këtij libri, shkruar me dashuri nga poeti i njohur Rudolf Marku. Preç Zogaj, thekson R. Marku, në çdo libër që shkruan, udhëhiqet nga parimi estetik i formulimit të modeleve të reja gjuhësore, si mohues i pakompromis i klisheve. Kjo vjen për shkak se ky poet e konsideron poezinë, universin shpirtëror të njeriut, ndërsa misionin e tij poetik si atë të astrologëve që nuk rreshtin së kërkuari galaktika dhe yllësi të reja. Preç Zogaj e sheh poezinë si një magji për të zhbiruar shpirtin e unit poetik dhe të heroit lirik që rend dhe gjallon në brazdat e vjershërimit të tij tipik. Brendia e saj është një meditim i brendshëm, përmes të cilit, herë hap zemrën e tij për shkarkuar stresin dhe herë, përmes ironisë, satirës dhe sarkazmës therëse, shkarkon dufin kundër së keqes dhe bartësve të saj. Për ta bërë këtë fshikullim sa më të fuqishëm, poeti vë në shërbim: fjalën e përzgjedhur, stilistikën e re gjuhësore, figuracionin e pasur të sintaksës poetike dhe metrikën e larmishme, të cilat i shërbejnë çlirimit të poezisë së tij nga çdo barrierë konformiste e narracionit të brendshëm poetik. Kadenca e vjershërimit të këtij vëllimi, herë gurgullon si valët e qeta të detit dhe herë vërshon si përrenjtë malorë, të cilët, të fryrë nga shtrëngatat e shirave, shkatërrojnë edhe pritat më të fuqishme për të ndërruar shtratin e tyre.
Po, le të rikthehemi tek një analizë më e thellë e këtij libri poetik me titullin “Një e tretë, dashuria”, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve. Ky vëllim poetik nis me poezinë, thellësisht metaforike dykuptimshme, me titullin “Vargje të humbura”, e cila është një meditim i brendshëm, sa metaforik, aq dhe alegorik, ku brenda togfjalëshit poetik “vargje të humbura” nënkuptohet, jo vetëm ndryshimi i mënyrës së vjershërimit, por dhe ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik, si mundësi e vetme për të ecur përpara, jo vetëm shoqëria, por dhe arti e letërsia. Me brendinë e kësaj poezie poeti kërkon të reflektojë, jo vetëm kundër rendjes pas “vargjeve të humbura”, të vjetëruara, por dhe kundër rrethit vicioz të vetcensurës ideo-politike, e cila dikur nuk i lejonte poetët të ecin të sigurtë në rrugën e çelur të poezisë moderne të kohës. Ndaj poeti shkruan vargjet: “E dija se isha unë, edhe pse isha një tjetër,/Por, kur i hapa sytë, nuk i kuptoja më”. E fshihja ekzistencën në inekzistencë”. Por, një ditë, shkruan poeti, erdhi “çasti i kaltër” që do të na bënte të kuptonim, se paskëshim ecur gjatë plot lavd e mburrje. Prandaj vazhdon me vargjet apostrofike:”Mjaft, mjaft/ Të ndalohet kërkim i vargjeve të humbura/ Të pranohet humbja…”. Dhe e mbyll poezinë me vargun alegoriko-sarkastik: “Vetëm thikat pas shpine përsëriten.”
Ky vëllim poetik i P. Zogajt është ndarë në 6 cikle, ku secili ka boshtin e vetë tematik dhe motivin e papërsëritshëm që e frymëzon autorin gjatë vjershërimit të tij, tek të cilat do të ndalemi më poshtë në këto shënime të shkurtra. Cikli i parë, që mban titullin e gjithë vëllimit poetik ,”Një e tretë, dashuria”, përbëhet nga poezitë e dashurisë. Erosi poetik i poetit Zogaj është sa i ngrohtë, aq dhe metaforik, ku lexuesi përjeton magjinë e kësaj ndjenje të fuqishme njerëzore. Në poezinë me titull “Në qejfin e saj dashuria”, heroi lirik e përjeton magjinë e dashurisë që në adoleshencën e hershme, të cilën nuk ka për ta harruar kurrë. Prandaj poeti, i bërë njësh me heroin lirik të dashuruar marrëzisht, shkruan vargjet:”S’do ta nxjerr kurrë nga kujtimi/ fytyrën e vajzës që më mbështolli/ me një shikim të ëmbël e më bëri burrë”. Dhe e mbyll me vargjet brilante: “Në qejfin e saj dashuria/ shtronte qilimin,/ midis fëmijërisë dhe vdekjes sime”(7). Por erdhi një ditë, kur dy të dashuruarit e mitur, mbasi përjetuan pak çaste të nxehta dashurie, dallgët e trazuara të jetës “lakuriq, përtej brigjeve të largëta do t’i flakte”. Akoma më e ndjeshme shfaqet para lezuesit poezia”Ne na njohu një e tretë, dashuria”. Kjo poezi nis me vargjet intrigues: “Na njohu një e tretë, dashuria/ dhe e denim para tjetrit, çfarë ka në mendje tjetri/ Ishte ajo, dashuria, që na udhëhoqi udhën me dritën e saj”. Dashuria i ndiqte kudo, bile edhe në gjumë e ëndrra. Për poetin, dashuria nuk mund të përkufizohet. Ajo, vetëm mund të shijohet dhe përjetohet. Dashuria vjen fshehurazi si magji që ndez një zjarr të padukshëm” si një degë e përzhitur trotuarëve”. Vegimi i saj është zhuritës. Kujtimet e ditëve dhe viteve të dashurisë nuk harrohen kurrë. Ato ndizen dhe mjegullohen, por nuk shuhen kurrë. Është kjo arsyeja që të dashuruarit i deklarojnë njeri-tjetrit: “Dashuria jote për mua është më shumë se ti./ Dashuria jonë është më shumë se ne të dy”. Kur ata mbështjellin krahët tek njeritjetri “ngjajnë si dy të vrarë nga dashuria”.
Ciklin e dytë poeti Preç Zogaj e titullon “Vitet e fundit të nënës”, poezitë e të cilit tingëllojnë si një këngë, sa e bukur aq dhe e trishtë, kushtuar mallit dhe dashurisë së nënës dhe dhimbjes që shkakton tek fëmijët ndarja e saj nga jeta. Ky cikël nis me poezinë “Nëna ime po e kalon mërzinë”. Për poetin P. Zogaj, dashuria e nënës është dashuria më e madhe dhe më e sinqertë, sepse zemra e saj është më e madhe se bota. Tek nëna e tij, ai sheh si shkëlqen si një purtekë e artë edhe besnikëria e rrallë e nënës ndaj bashkëshortit të saj, edhe kur ai ishte larguar nga kjo botë. Aq e madhe ishte kjo besnikëri, sa ajo edhe në çastet kur ndodhej në shtratin e vdekjes mendonte: “Po ta dija se më priste, do të luaja menç/ pse po vonohem”(38). Në këto çaste nëna nuk mërzitet pse vdekja po i sillet vërdallë si lubi për ta rrëmbyer, por pse po vonohej kaq shumë, për t’i vajtur sa më shpejt pranë bashkëshortit të saj të dashur, që e deshi aq shumë tërë jetën. Një tjetër poezi e bukur për nënën është ajo me titullin “Nëna dhe qielli”, një togfjalësh metaforik, i ndërtuar mbi bazën e një paralelizmi figurativ, midis nënës dhe qiellit, të cilët në këtë poezi shfaqen si sinonime të njeri-tjetrit. Besnikëria bashkëshortore e këtij çifti ishte e dyanshme, ndaj i rezistoi edhe botës së përtejme. Nënën s’e mbante më vendi për të shkuar sa më shpejt atje lart në qiell, sepse edhe bashkëshortit të saj, që rri atje lart, në qiell “ulur mbi shalën e kalit/ mendja rri te gruaja e tij”. Kur dashuria është e vërtetë, ajo nuk mbaron në tokë, por metaforikisht vazhdon edhe në qiell. Ndaj, poeti shkruan se, dashuria e pridërve të tij “vozhdoi këtyre anëve/ edhe kur nëna harroi të ecte”.(47)
Cikli i dytë i këtij libri me poezi mban titullin “Shpagimi po vjen me fytyrën më të bukur”. Befasuese në këtë cikël është poezia me titullin “Apokalipsi”. Në qendër të kësaj poezie qëndron metanorfoza, tjetërsimi i mbrapsht i gjithçkaje në botën e sotme, kur njerëzit prisnin paqe, harmoni dhe zhvillim. Fatkeqësisht sot, vendin e apokalipseve natyrore po e zënë “apokalipset” shfarosëse që shkaktohen nga dora e njeriut kundër njeriut. Ja si e poetizon P. Zogaj këtë dukuri negative të së ashtuquajturës kohë moderne:” Sot në ditën e apokalipsit/ Asteroidi që pritej të binte, u pendua”, por “S’më ikën nga mendja / fytyra e qeshur e një gruaje të re/ me shenjën e plumbit në ballë/ si të jetë ringjallur gjatë mesnatës/ për t’i lënë kujtim të bijës buzëqeshjen/ teksa qe kapur befas nga vrasësi”. Ndërsa vajza e mitur, që për një çast nuk e kuptoi se ç’po ndodhte” nis të flejë mbi krahët diellore të nënës”. Por vjen një çast që ajo do ta kuptonte se, plumbat xixëllues të kriminelit vrasës i patën dhënë fund vështrimit të nënës, duke e lënë vajzën e saj përgjithmonë jetime. Nëpërmjet vargjeve të tillë sarkastikë, poeti godet me “plumba metaforiko-alegorikë ata njerëz që kryejnë apokalipse të tillë, nëpërmjet të cilëve shfarosin gruan, qenien më të bukur dhe më humane të shoqërisë njerëzore, pa të cilën nuk mund të ripërtërihet jeta.
KOHA E SHPAGIMEVE, BËRRYLAVE DHE SUPERMASHTRIMEVE NË SHËNJESTRËN SARKASTIKE
Ciklin e tretë të poezive të këtij libri P. Zogaj e emërton me titullin metaforik “Shpagimi po vjen me fytyrën më të bukur”, në të cilin, vend të dukshëm zë poezia alegorike me të njëjtin titull. Për poetin, koha e sotme është koha “e shpagimeve, e supermashtrimeve, e superlojrave dhe e bërrylave”. Dhe, si për çudi “ shpagimi të vjen me fytyrën më të bukur/ që nuk mund të imagjinohet”.(58) Një poezi tjetër e bukur e këtij cikli është ajo me titullin “Mallkimi”. Mallkimit që del nga varri për t’u ringritur në këmbë me hijen e panterës së zezë, poeti i drejtohet me apostrofin metaforik: “Ik , a i marrë! Ik! “Por mallkimi e ka të gjatë krahun./ Ai sheh me kurriz njëlloj si me sy/ botën pas teje që është Shqipëri,/ gojë të shqyera, fytyra të nxira,/ një turmë një shpurë/ Po u merr erë bimëve të shejtanit…”(60) Ndërsa poezia “Alienët” është një shpoti sarkastike e poetit mbi veset e njeriut tokësor, i cili ka marrë revanin e alienit jashtëtokësor. Metamorfoza e njeriut të sotshëm është aq e madhe, sa që as alienët nuk i pranojnë, sepse kanë frikë se do t’i sfidojnë me shkëlqimin e tyre të rremë. Ata frikësohen nga zhurma dhe sherret e tyre politike, nga egoizmi, makutëria, sadizmi dhe zhburrëria e tyre, aq sa do t’i kishin zili edhe majmunët dhe djajtë.
Prandaj “alienët”, që ulen nga lartësitë qiellore për të mësuar se ç’janë tokësorët, fluturojnë të tmerruar andej nga erdhën. Një mllef grotesk ndaj veseve të njeriut të keq, mban edhe poezia “Të mund të vdesësh pa e marrë vesh bota”. Njeriu i keq, me shpirtin e tij sadist e intrigant nuk të lë rehat as në punën tënde, bile as në shtëpinë tënde, ku mundohet të zhytë mes greminave dhe kurtheve. Të ndjek pas, shkruan poeti, deri sa të të shohë “të pjekur”, të tjetërsuar në pluhur dhe hi. Objekt i frymëzimit të këtij poeti është bërë edhe tjetërsimi i peizazhit tonë natyror. Të parët tanë, shkruan autori, ja shtuan bukurinë peizazhit shqiptar edhe me lavdinë e hymnet e bukura që i thurën këtij vendi. Ndërsa sot “…në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tanë/ shkon dhe vjen një gjendje çehrengrysur/ zhytur në plagë dhe terre të padëshirueshme”.(70) Kjo bën që edhe dielli të ndihet i shpërfillur. Përmes poezisë ironiko-sarkastike me titull “Gratë nuk na duan”, poeti Preç Zogaj qëllon me “plumba” metaforikë dhunuesit dhe vrasësit e grave, të cilët i demaskon duke u vënë në gojën e tyre vargje të tillë satirikë:” S’na duan gratë, o burra!/ Na kanë njohur kush jemi/ Ca dinakë, ca gjitarë,/ që sytë në zgavra thellë/ i mbajnë…” Poezia mbyllet me apostrofin sarkastik:” Të vrasim gratë!”(72)
Në ciklin e katërt të këtij libri autori grupon poezitë e shkurtra, kryesisht triptikët që i kushtohen ndjesive të rralla të moshës së fëmijërisë, e cila për poetin ecën” pothuajse symbyllur drejt rrëzimit”. Interesant është triptiku me titullin “Bujaria” me vargjet e kursyera, por me një kuptim tepër sinjifikativ “Gjyshja më sjell në ëndërr cigare,/ edhe tani që kam paratë e mia. /Ka harruar se ka vdekur”, përmes të cilëve shpaloset bujaria e rrallë e gjysheve tona.
KUR NJERIU SHPËRBLEHEJ ME DY PËRJETËSI DHE ASNJË JETË TË VËRTETË
“Dy përjetësi dhe asnjë jetë”. Kështu e pagëzon poeti Zogaj ciklin e pestë të këtij vëllimi poetik. Një nga poezitë më tronditëse të këtij cikli titullohet “Poema e natës dhe e territ”, në brazdat e së cilës përpëlitet lufta mes ekzistencës dhe mosekzistencës. Protagonisti anonim i kësaj poezie vuan dramën e brendshme të mjerimit që e përplas mes natës dhe territ, dritës dhe errësirës, jetës dhe vdekjes që e ndjek atë tërë jetën nga mosha e rinisë deri në pleqërinë e thellë. Kjo ndjesi e trishtë shprehet qartë në vargjet “Dhe nis udhëtimin e saj nata ime/ njëlloj si atëherë kur nuk kam qenë”. Vazhdon me vargjet ironiko-sarkastikë: “Të falem, o terr, ti më merr n’garkim! Po të duash më mban, po të duash më kthen./ Prano dhuratë nga unë mbylljen e syve,/ të jem si ti, yti imitim”. Dhe e mbyll me vargjet e trishtë “Fytyra ime e vjetër e rinisë/ çel për natë në të renë e pleqërisë/ Symbyllur fikem në dytësin tim djaloshar/ afrohem të prek ëndrrën që kam dashur:/ Të vdes i ri në zhguallin që s’më ngjan,/ sepse lindim, përjetësohemi./ Kurrë s’do të jemi as gjë”(89).” Koha”, për poetin.P . Zogaj, tek njeriu vjen, herë si plagë, herë si panterë e zezë, herë si trëndafil dhe herë si frymëmarrje e munguar. Fatkeqësisht, edhe sot në kohët e ashtuquajtura moderne dhe postmoderne vazhdon të ketë shumë njerëz që të ashtuquajturën jetë e mbyllin si skenën e shfaqjeve tragji-komike me perden e zezë të “ Dy përjetësive dhe asnjë jetë e vërtetë”. Kotësia e kësaj jete e gjen shprehjen konkrete në vargje të tillë metaforikë: “E përcolla trupin tim të përdorur/-hobe rrufesh e flakësh që kanë rreshtur-/ deri në fund të luginës së pjerrët,/ ku fillon hija, errësira, misteri./ Atje u ndamë përgjithmonë./ Shpirti im s’do të hyjë më në tjetër trup./ Do të mbaj dhe unë dy përjetësi/ dhe asnjë jetë në univers.”(101)
Në këtë cikël poeti i këndon edhe dashurisë, sinqeritetit dhe mirëkuptimit bashkëshortor. Besnikërisë bashkëshortore, secili prej tyre ia shpërblen tjetrit me të njëjtën monedhë të artë të fjalëve më të ngrohta, që poeti ia përçon bashkëshortes së tij përmes vargut: “Lutem të pranosh e çmosh/ reston time, monedhë të pastërtisë,/ të lartën besnikëri që të kam ruajtur…”(112) Një problematikë tjetër, që zë vend të dukshëm në këtë vëllim poetik të autorit Zogaj është ajo e lidhjes mes prindërve me e fëmijëve, dashuria, sinqeriteti dhe respekti reciprok midis tyre. Babain e trondit e pathëna e fëmijëve të tij për të. Por fëmijët, të bindur për vështirësitë e kohës, të cilat e detyruan babain: t’i dërgonte fëmijët herët në ara; t’i linte ata në duart e botës, gatitu përpara çizmes dhe yllit me pesë cepa, e shfajësojnë atë me shprehjen poetike: “Po çfarë të bënte, çfarë?!’/ Veç të na vriste me dorën e tij”(114)
Ndërsa babai, për të shkoduar brengën që e sfiliti tërë jetën nga e pathëna, “ngrihet nga varri” për të dëgjuar nga goja e fëmijëve të tij përgjigjen e vërtetë të pyetjeve: “Më thuani fajin tim, të marr frymë,/ Ma thuani të shkoj buzagaz në shtëpinë time”.(115) Interesante është edhe poezia që në thelb është një përkufizim poetik për “lumturinë”. Ja, ç’do të thotë, për poetin Preç Zogaj, “të jesh lumtur:” Të hidhesh nga njëra anë në tjetrën/ me këmbët e tua…/ përpara se të shuhet semafori i gjelbër./ Të presësh agimin, për të bërë kryqin me dorën tënde,/ t’u thuash të dashurve, mirmëngjes me zërin tënd,/ të mbushesh me frymë dhe ta dish/ sa i mrekullueshëm është oksigjeni…”(120). Një poezi e tipit të veçantë është ajo me titullin “Jerm”, kushtuar bashkëudhëtimit të autorit të librit me mikun dhe bashkëkohësin e tij, poetin R. Marku.
Ja si e përshkruan këtë udhëtim të mundimshëm: “Ne hodhëm plaçkat në krahë dhe u nisëm/ krah për krah në mërgimin e ri/ Ishin kohërat kur s’kishim shpresë/ të gjendej mallkuesi që mund t’i jepte fund këtij mallkimi/ Jeta e Re, përpara na donte/ për kurrgjë të penduar/ prisnim të na thaheshin këmishat e kaltra,/ për një shëtitje në qiellin më të afërt”(127). Këtë vëllim poetik P. Zogaj e mbyll me poezinë “Kaq shumë plane, kaq shumë mëdyshje”. Po, cilat janë planet dhe mëdyshjet që e shqetësojnë poetin! Përgjigjen kësaj pyetjeje retorike, poeti ia jep përmes vargjeve të mëposhtëm, nëpërmjet të cilëve i drejtohet, vetvetes, anonimit lirik dhe gjithë lexuesve: “Pasi të kesh dalë gjallë nga stuhitë, / gjallë nga kurthet e të ligjve të pavdekshëm,/ të kesh ndier tingullin e ëmbël, mbylljen/ e derës ajrore prapa shpine, / të kesh thirrur si ëngjëjt e Beketit(pritjen e Godosë)/ Do të duhet të vendosësh çfarë të bësh tani: Të çash gjallë a vdekur muret, rrethimet… ,/ apo të mbyllesh brenda mureve të akullt të izolimit/Të flesh… , me vdekjen pranë…/ a t’i çosh ditët për dore në shëtitje/ Të marrësh hopa trupin tënd të rënë, apo të çash si era drejt vendeve që ke ëndërruar/ Të punosh tokën me bel e parmendë,/ të mbyllesh brenda mureve të akullt të izolimit,/ apo të mbyllesh në kullën e malit si murg,/ të gdhëndësh në mur ndonjë varg a fjalë,/ a të mbyllesh në dhomën e vogël/ mes stivave me libra të palexuar/… (apo) /Të mos bësh gjë tjetër, veç të vështrosh Diellin”.(131)
Ja, kjo është dilemma dramatike e njeriut të zhgënjyer nga e ashtuquajtura demokraci, që erdhi kaotike dhe e dhunshme plot vrull e trishtim, plot ëndrra dhe zhgënjime, si tajfunet që marrin përpara çdo gjë të dobishme, për të mbjellë mbi “tokën e djegur” krimin dhe egërsinë, injorancën dhe pasigurinë, makutërinë dhe harbutërinë, të cilat të përcjellin pikëllim dhe tmerr. Me një krijimtari të tillë poetike, shkruan Besnik Mustafaj, poeti Preç Zogaj është ngjitur tashmë në disa lartësi ku të paktë njerëz të letrave janë ngjitur, atje ku asgjë nuk mund t’i fshihet më shqisës së shtatë të metaforës…
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi