“U frikësuam!”- Digjet banesa e një të moshuari në hyrjen e një pallati, fqinja dërgohet në spital! Banorët: Shteti të ndihmojë komshiun tonë
Një zjarr i madh ka shpërthyer pasditen e sotme në hyrjen e një pallati në qytetin e Korçës, duke shkaktuar panik tek banorët.
Zjarri ka rënë në banesën e shtetasit Andrea Lako, i cili jeton i vetëm dhe ka probleme të mëdha ekonomike. Sipas banorëve, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, pasi pallati është i vjetër dhe instalimet elektrike janë jashtë kushteve.
Banorët e pallatit janë nxjerrë menjëherë jashtë për të shmangur rrezikun, por një grua e moshuar është transportuar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen, të shkaktuara nga tymi i dendur që mbushte gjithë shkallët e pallatit.
Një banor i pallatit tregon se kur kanë mësuar për zjarrin, të gjithë kanë dalë jashtë duke u frikësuar nga intensiteti i flakëve dhe tymit. Ai tregoi se Andrea Lako është një njeri që ka mbetur pa mbështetje, ndërsa ata janë përpjekur ta ndihmojnë sa kanë mundur me ushqim dhe ndihma të tjera.
“Ne këtu e morëm vesh, ishim në shtëpi, kur dolëm jashtë, “zjarr, zjarr!” Morëm zjarrfikësen në telefon dhe e pyetëm zotin e shtëpisë se si ishte puna. Ai tha: “Dola nga shtëpia për të shkuar të marr bukë, dhe kur u ktheva, pashë zjarr.” Dolën të gjithë, erdhi dhe zjarrfikësja… Ne u frikësuam se ishte gjithë tym dhe zjarr. Mezi nxorëm plakën. Ai është i vetmuar, gjynah, dy fëmijët i ka në burg, dy djem, dalin e fshihen rrugëve. Çfarë do bëjë ai me 200 mijë lekë tani? Mbeti fare, ne e ndihmonim, ndonjë drekë a çfarë të mundnim. Ai është kot, gjynah, ku e gjeti ne ai?! Është njeri pa njeri…”, tha një prej banorëve.
Një tjetër banor thekson se problemi me instalimet elektrike të pallatit është i njohur dhe ka shqetësuar të gjithë ata që jetojnë aty, pasi janë të vjetra. Ai kërkoi me ngulm që shteti të ndërhyjë për të ndihmuar Andrea Lakon.
“Ne e morëm vesh që kishte rënë zjarr tek një shoku ynë. Ky është njeri pa njeri, fëmijët i ka jashtë, pa grua është, i vetmuar. Kur morëm vesh, erdhi zjarrfikësja, tym… Thonë që shkëndija elektrike shkaktoi zjarrin, sepse këta janë pallate që në kohën e Enver Hoxhës, që në vitin 1972, dhe telat janë të vdekur. U friksuan të gjithë. Erdhi ambulanca dhe mori një zonjë këtu, e çuan në spital sepse u mbyt nga tymi, një pallat i tërë. Ne dolëm të gjithë jashtë, i lutemi qeverisë të ndihmojë zotërinë se është i vetmuar”, tha ai.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, i cili ka inspektuar situatën. Zjarrfikësit dhe shërbimi i emergjencës janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendngjarje për të shuar flakët.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi