U ekzekutua në një atentat, identifikohet autori i vendosjes së eksplozivit në lokalin në pronësi të nënës së Bledar Birçajt! Kush është 28-vjeçari me dy mbiemra që u vendos në pranga
Policia ka vendosur në pranga 28-vjeçarin Beqir Selamaj alias Beqir Murati, si autor i vendosjes së eksplozivit në lokalin në pronësi të nënës së Bledar Birçajt, ngjarje e ndodhur më 8 Dhjetor në lagjen “Uji i Ftohtë”.
28 vjeçari, banues në lagjen “Isa Boletini”, raportohet se është me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
I riu dyshohet se rreth orës 05:50 vendosi lëndën plasëse në lokalin në pronësi të 73-vjeçares Resmie Birçaj, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
“Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, raporton policia.
Gjatë operacionit për arrestimin e tij u sekuestruan dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.
Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, përmes një pune të thelluar hetimore dhe profesionale, finalizuan operacionin e koduar “DANGER”.
Bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, u bë i mundur ndalimi i shtetasit B. S. alias B. M, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Shpërthimi në lokal
“The Boss” është lokali që është rihapur vetëm para ka ditësh, në shëtitoren e Vlorës, që iu vendos sasi tritoli në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit.
Lokali bëhet me dije se funksiononte si bar, restorant e piceri, në Lungomare dhe ishte në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në 10 maj të tri viteve më parë në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri”. “The Boss” rezulton në pronësi të nënës së Bledarit, Resmie Birçaj, që më herët ishte dhënë me qira, por ishte rimarrë në administrim së fundmi nga pronarët, vëllezërit e viktimës së eliminuar. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, në përpjekje për të zbardhur ngjarjen e rëndë dhe mbledhur provat.
Bashkë me ta erdhën edhe ekspertë të njësisë antieksplozivë, për të përcaktuar sasinë e lëndës plasëse. Pjesa ballore e lokalit është dëmtuar plotësisht për shkak të fasadës prej xhami, i cili është thyer. Hetuesit morën pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, të cilat filmuan autorin e dyshuar të ngjarjes. Me kapuç të zi në kokë autori vjen me biçikletë, lë sasinë e tritolit me fitil të ndezur që shpërthen në 5 sekonda dhe më pas largohet mes pallateve, po me biçikletë. Kamerat në bizneset përreth po ashtu e kanë filmuar. Grupi hetimor po punon për mbledhjen e pamjeve në distancë për të lokalizuar dhe identifikuar autorin.
EKZEKUTIMI
Atentati ndaj Birçajt ndodhi në mes të ditës në Vlorë më 10 maj 2021. Në atë kohë 40 vjeç, Bledar Birçaj ishte në makinë me Granit Deromemaj, ish-efektiv i Antidrogës në Vlorë, më pas i përjashtuar nga radhët e bluve.
E gjithë skena e vrasjes u filmua nga kamerat e sigurisë dhe materialet filmike u publikuan për kohë të gjatë në media, por grupi hetimor nuk gjeti asnjëherë fakte dhe prova të arrestonte ndonjë person. Sapo mjeti i autorëve mbërriti pranë karburantit, dolën 2 persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët qëlluan me breshëri mbi 30 plumba në drejtim të shoferit dhe largohen me shpejtësi.
Granit Deromemaj del nga makina dhe largohet me vrap, ndërkohë Birçaj dërgohet në spital ku dhe humbi jetën. 3 vjet e gjysmë më vonë, vrasja e Bledar Birçaj është akoma e pazbardhur dhe pista kryesore e hetimit atëherë u tha se ishin konfliktet e mundshme të tij në Spanjë, prej nga ishte kthyer një muaj para se të ekzekutohej.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi