Tregimi/ Flamur Topi: Nga ç’vend jeni, zotëri?

Tregimi/ Flamur Topi: Nga ç’vend jeni, zotëri?

NGA DR. FLAMUR TOPI
Çdoherë që ndodhem jashtë vendit më kaplon një gjendje e bezdisshme inferioriteti dhe fajësie. Besoj, ju shkon në mendje përse. Me bëmat dhe paudhësitë e tyre, thënë butësisht, bashkatdhetarët ma kanë ulur kokën dhe krenarinë, më bëjnë të skuqem dhe gati të belbëzoj sa herë që më duhet t’i përgjigjem pyetjes së zakonshme: What country are you from mr.?
Me ankth e drojë po i bija kryq e tërthor trenit ekspres të mëngjesit, që do të nisej pas pak. Kërkoja një kabinë boshe ku të isha fillikat, pa atë bashkëbiseduesin e rastit përballë që, në një çast, herët a vonë, do të më drejtonte pyetjen e pashmangshme: What country are you from mr.?
Më në fund, e gjeta “strehën time”. U futa brenda, e mbylla me çelës dhe zura vend pranë dritares. Mbylla sytë dhe bëra sikur flija. Ashtu symbyllur dëgjoja çapat e udhëtarëve të fundit, ndoshta të vonuar, që ndalnin këmbët për disa çaste në prag të kabinës sime. Gjithnjë të sjellshëm, ngurronin një copë herë, si të druanin se më prishnin gjumin dhe bënin tutje. Ndërkohë, treni u nis. Korridori u qetësua dhe unë hapa sytë. Megjithatë, shqetësimi se dikush nga çasti në çast do të trokiste në kabinën time, do të ulej përkundrejt e do të më bënte pyetjen What country are you from mr.? s’më ndahej, më qëndronte pareshtur si shpatë mbi kokë.
Prej një ore sodisja përtej dritares peizazhin e vendit të huaj që të linte të pamend për bukuritë natyrore dhe punën e njerëzve. Dendësia e zonave të banuara po rritej e pas nëntëdhjetë minutash treni ekspres hyri në periferinë e një qyteti disamilionësh. Ishte koha për “të fjetur”. Bëra sikur dremisja me veshët “pincë” për të rrokur edhe zhurmën më të vogël përtej derës së kabinës.
Një kohë treni u ndal. Zërat dhe zhurmat e udhëtarëve që përshkonin korridorin u shtuan dhe dikush trokiti lehtas në kabinë. S’u ndjeva. E kisha ndarë mendjen të mos e hapja. Por, po kaq i vendosur, në mos edhe më shumë, qe i huaji. Ngulmonte me të trokiturat e pareshtura, tani të forta e këmbëngulëse, sa po më çmendte. Unë prapë s’ndihesha, si të bëja gjumin e rëndë të vdekjes. Sa i pasjellshëm po tregohesha! S’duhej të kishte vende të lira në kabina të tjera, sepse burri s’po më shqitej. Një çast të trokiturat pushuan. Dëgjimi im i mprehur rroku zhurmën e njohur të shkyçjes së kabinës.
Në gjuhën vendase i porsaardhuri falënderoi konduktorin dhe me një psherëtimë lehtësimi u fundos në kolltukun e sfungjertë. Një copë herë heshtje. Isha thuajse i bindur se pasagjeri po më vëzhgonte. S’po i hapja sytë. Luaja gjithnjë rolin e njeriut në gjumë të thellë. Ca më vonë dëgjova një si fëshfërimë letrash, mbase të ndonjë gazete, e prapë s’pipëtiva. Uroja me vete që bashkudhëtari të kishte një rrugë sa më të shkurtër për të bërë.
Ja që gjërat s’mund të shkonin deri në fund ashtu siç do të kisha dashur. Kur s’kishin kaluar as tridhjetë minuta nga nisja prej stacionit të dytë, tingëlloi celulari. Në fillim nuk desha të përgjigjesha. Zilet e telefonit ngulmonin. Nëse nuk flisja, mund të më pandehnin për të vdekur a ndoshta të sëmurë rëndë dhe gjërat të përkeqësoheshin krejt papritur.
Hapa sytë. Bëra sikur sapo më kishte dalë gjumi.
– Alo! Kush je? Hë, Leko! Si? Jo, nuk jam në Tiranë. Kishe ndonjë problem?
Pas dhjetë minutash bisedë me Lekon, gjatë të cilës bashkudhëtari i kabinës më ndiqte syçapëlyer duke u përpjekur të hamendësonte kombësinë time a ndoshta i habitur edhe me kohëzgjatjen e bisedës sonë, e mbylla celularin. Sapo u mata të mbështetem sërish në shpinoren e kolltukut të kabinës e të mbyllja sytë, burri, kureshtar a ndoshta i etur për muhabet, si për dreq, pa u matur shumë, më bëri që në fillim pyetjen e padëshirueshme për mua: What country are you from mr.?
Ndjeva të turbullohesha. Jo më larg se një ditë më parë, bashkatdhetari im, një djalosh rreth të tridhjetave, kishte hyrë në një shtëpi fshati ku banonin krejt të vetmuara nënë e bijë. Nën kërcënimin e thikës i kishte lidhur e ua kishte mbyllur gojën paq me scotch; kishte kërkuar në tërë shtëpinë për para dhe sende me vlerë dhe pasi i kishte gjetur këto, në vend t’ia mbathte e t’i gëzohej “pasurisë”, i kishte vajtur mendja edhe të bëjë seks me dy femrat e gjora e të pambrojtura. Kishte përdhunuar në fillim të ëmën në sy të së bijës e pastaj i qe kthyer vajzës. E bija, ndërsa ulërinte nën zë, për shkak të letrës ngjitëse të duct tape, kishte rezistuar, madje edhe e kishte gërvishtur në fytyrë agresorin. I trembur për këto gërvishtje, se mos për shkak të tyre e zbulonin, ai i kishte dhënë fund rezistencës së vajzës së gjorë me dhjetë thika në trup, përmes një egërsie e tërbimi të pashoq. E shokuar, tek ua kallëzonte krimin monstruoz njerëzve të policisë, gruaja e gjorë ishte goditur papritur nga infarkti dhe në gjendjen e rëndë psikike në të cilën ndodhej, s’i kishte bërë dot ballë. Kishte humbur jetën edhe ajo.
M’u duk se i huaji i kabinës atë artikull të kronikës së zezë po lexonte. Madje, pata përshtypjen se fotografia me ngjyra, të cilën e shihja së prapthi dhe të përmbysur, ishte pikërisht ajo e nënës dhe e vajzës së gjorë.
– Albania, – iu përgjigja shkurt dhe i ngrysur, si njeriu që s’do ta zgjasë bisedën dhe kërkon ta lënë të qetë në hallet e veta.
– Alemania?! – thirri tjetri i gjallëruar befas, ku s’qe e vështirë të dalloheshin tone të qarta simpatie, ngrohtësie, respekti e nderimi të veçantë. – Oh, Zot, sa shumë e dua dhe e respektoj vendin tuaj të madh!
Ah, po. Tani m’u bë krejt e qartë. Pa më të voglin dyshim, i huaji thjesht për një dëgjim të keq të germës B, të cilën e kishte marrë si m, kishte ngatërruar fatalisht Albanian me Alemanian, dy vende krejt të ndryshme. Nuk kisha forcën, kurajën, por edhe dëshirën më të vogël për ta sqaruar. Nga ana tjetër, pata kureshtjen dhe tundimin e çuditshëm për të mësuar se gjer në ç’shkallë do të më respektonin mua, “alemanianin”, sepse sa për “albanianin”, eh, këtë e dija mirë.
– Ç’profesion keni? Me çfarë merreni? – pyeti i huaji me ngrohtësi, madje me simpati, të cilën e shfaqte krejt hapur.
– Doktor, – ia preva shkurt.
– Oh, pa shih! Sa mirë! Sa bukur! Nuk ka profesion më të dashur e më të respektuar se juaji. Ju, alemanianët, keni mjekësi vërtet të zhvilluar. Çfarë specialiteti? – pyeti pas një pauze.
– Kardiolog, – iu përgjigja.
– Një specialitet i shkëlqyer. Sidomos sot, në kohërat moderne, infarkti po godet miliona njerëz në botë. Eh, ç’më kujtoi ky emër sëmundjeje infarktin e së gjorës grua, që s’mundi të durojë dhembjen për vajzën e vrarë barbarisht dhe pastaj të përdhunuar nga një shqiptar. Ja, sapo e lexova. Oh, Zot! Sa kriminelë, sa të egër e të pashpirt, sa perversë që janë këta shqiptarët. Sa për mua, i urrej në kulm. Merre me mend. Ia dolën mbanë të spostojnë gjer mafian tonë e të vijnë në krye.
S’pipëtija. Me siguri, një çehre më shkonte e një më vinte. Si po e duroja vallë një gjendje të tillë të rëndë përçmimi, fyerjeje, urrejtjeje e dhunimi?! Por në çast mendja më shkonte fill e te krimi makabër. E ç’kisha për të thënë paskëtaj? Si do të mund të justifikohesha?
– Merreni me diçka tjetër? – pyeti përzemërsisht dhe gjithnjë miqësor tjetri.
Kisha ç’të thosha. Ishte rasti i mirë ta largoja bashkëbiseduesin sa më shumë të ishte e mundur nga diskutimi për krimin e tmerrshëm të ditës që shkoi, e, në mënyrë të pashmangshme, edhe nga biseda për shqiptarët.
– O perëndi! Sa të zot, sa të mençur, sa të talentuar, sa krijues jeni ju alemanianët, – thirri i huaji si i mahnitur. – Doktor, shkrimtar, gazetar, skenarist filmash, piktor, poet. Gruaja, mjeke e njohur. Djemtë, mjekë të ardhshëm. Një familje ideale mjekësh. Më besoni, ju çmoj shumë, – thirri gati i entuziazmuar në fund të rrëfimit të CV-së sime. – Po në cilin qytet të Alemanias jetoni, sepse, pa dyshim, në personalitetin dhe formimin e një intelektuali të fuqishëm e poliedrik sikurse ju rol të rëndësishëm luan edhe mjedisi ku lind e rritesh. Në Munih? Hamburg? Berlin? Bon? Më thoni ju lutem, ku? Alemanian e njoh mirë dhe e dua shumë, paçka se, për ironi të fatit, gjuhën e saj burrërore e të rreptë s’e mësova që s’e mësova kurrë.
Duhej t’i jepja fund tragjikomedisë. Fundja, më jepej rasti të mësoja epilogun e saj, mënyrën si do të reagonte i huaji ndaj keqkuptimit fatal.
– Qyteti im quhet Tirana, – iu përgjigja prerazi dhe ftohtë me tonet e bashkëbiseduesit që kërkon t’i presë urat me tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur.
Burri më vështroi si i shastisur. Ngriti supet, hapi ca më shumë sytë dhe mohoi me kokë si njeriu që mundohet, por s’i vjen që s’i vjen ndër mend një emër i caktuar dhe vuan shumë për këtë.
– Tirana thatë? E çuditshme. S’e kam dëgjuar kurrë. Mos është diku afër Würzburg-ut? Mannheim-it? Darmstadt-it, Ludwigshafenit, Ansbach-ut?
I panjohuri përmendi një sërë emrash të qyteteve gjermane. Ishte radha ime të mohoja me kokë.
– Më falni, po në cilën pjesë të Alemanias është?
– Zotëri, kam përshtypjen se më keni keqkuptuar që në fillim, thjesht për dëgjimin e deformuar të një germe të vetme! Pra, unë jam nga Albania dhe jo Alemania. Kryeqyteti i vendit tim është Tirana dhe banorët e saj thirren prej të huajve albanian ose shqiptarë.
I huaji shtangu. U pre, u ngrys, u errësua në fytyrë, u nxi. I zhgënjyer thellë, humorprishur, thuajse i tronditur, si i mekur, mezi mundi të pyesë:
– Mos doni të thoni se jeni bashkëkombës i kriminelit për të cilin sapo folëm? Pra, ju jeni shqiptar?
Pohova në heshtje me kokë, pa ia shqitur sytë.
– E pabesueshme! Jo! Ju nuk jeni shqiptar! Ju nuk mund të jeni! Shqiptarët janë fare ndryshe. Vallë, ju, miku im i shtrenjtë alemanian, po bëni një shaka të hidhur me mua?! Në është kështu, jam gati t’ia plas të qeshurit e të gajasem.
Tërë dëshpërim, vura lehtësisht buzën në gaz. Më vinte të qeshja e të qaja njëkohësisht. Për plot tridhjetë minuta kisha qenë nënshtetas gjerman. Kisha ndier thellë qenies sime të dyzuar e fobike ngrohtësinë, dashamirësinë, admirimin, simpatinë, vlerësimin dhe respektin për mua, qytetarin europian të klasit të parë. Në të njëjtën ditë dhe orë, vetëm tridhjetë minuta më pas, kisha provuar e ndier përçmimin, fyerjen, cinizmin, ftohtësinë, gati-gati urrejtjen për mua, shqiptarin.
“Oh, perëndi!” – po thosha me vete. – “Ç’gjë më shumë u dashkam të bëj për njerëzinë, ç’kontribute të tjera duhet të jap, si u dashka të jem ndryshe për të qenë njëlloj i vlerësuar, të paktën i respektuar, si gjithë qytetarët e tjerë të Europës së lirë? Më thoni, pra, ç’më mungon, ç’gjë tjetër paska më shumë alemaniani, brenda ‘lëkurës’ së të cilit përjetova tridhjetë minuta të jashtëzakonshme dhe tronditëse tjetërsimi?” Por prapë, mbytur nga dëshpërimi, pikëllimi dhe dhembja për bëmat e rënda a paudhësitë foshnjarake të vëllezërve të mi, si qen të mbajtur lidhur në zinxhirë për pesëdhjetë vjet e pastaj lëshuar të “lirë” udhëve të botës, rënduar prej një kompleksi torturues inferioriteti e fajësie, unë nuk them: Ah, të isha një qytetar gjerman, italian, grek, francez, anglez, suedez a çfarëdo! Kurrë s’kam për ta thënë dhe as dëshiruar kam. Ndihem mirë kështu dhe këtu. Pasardhës i denjë i ilirëve, racës dhe vendit të përzgjedhur, bekuar me plot dashuri e bujari nga vetë perëndia.
Si një kufomë e freskët, burri u ftoh dalëngadalë, u bë akull dhe nuk foli më. Disa minuta më vonë, kinse i lodhur, mbylli sytë.
“Një ditë, zotëri, ka për të qenë ndryshe, krejt ndryshe”, – thashë me vete tek e lija në vetminë e tij të huajin e ftohtë që “flinte” e dukej si i vdekur. Kërkoja një kabinë boshe në trenin ekspres të mëngjesit, ku s’do të më bënin pyetjen: What country are you from mr.?
(Shkurt 2007Tregimi “What countryare you from Mr.?” shkëputur nga vëllimi me tregimedhe novela “Një natë jetë”(Onufri, 2009), është ibazuar në përvojën e pasurtë autorit gjatë udhëtimevetë shumta jashtë vendit pasvitit 1991.Titulli original: “Whatcountry are you from mr.?”)

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi