TENIS “ROLAND GARROS”/ Alkaraz bën italianët për lot, eliminon Sinerin në gjysmëfinale

TENIS “ROLAND GARROS”/ Alkaraz bën italianët për lot, eliminon Sinerin në gjysmëfinale

Postuar: Qershor 7, 2024 | 23:03

Karlos Alkaraz ka fituar supersfidën gjysmëfinale ndaj Janik Sinerit në turneun grand slam “Roland Garros”. Ndonëse ishte dy herë në disavantazh, tenisti spanjoll arriti të triumfonte me rezultatin 3-2 (2-6, 6-3, 3-6, 6-4, 6-3), duke siguruar kalimin për në finale pas një beteje prej 4 orësh.

Alkaraz tregoi karakter dhe një freski të jashtëzakonshme fizike, ndërsa Siner shfaqi shenja lodhjeje, duke mos arritur që ti përgjigjej ritmit të kundërshtarit në setet e fundit. Kështu gjysmëfinalja u mbyll me festën e spanjollëve dhe lotë për tifozët e shumtë italianë, të cilët prisnin suksesin e dytë sezonal në grand slam të idhullit të tyre, pas triumfit në “Australian Open”.
Megjithatë Siner mund ti gëzohet rezultatit historik, vendit të parë në renditjen ATP, të siguruar pas tërheqjes së Novak Xhokoviçit, me serbin që pësoi një dëmtim në gju. Alkaraz do të përballet në finale me fituesin e gjysmëfinales ndërmjet norvegjezit Kasper Rud dhe gjermanit Aleksandër Zverev.
Artin Lleshaj – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi