Studentët e Mjekësisë, 3 vite punë të detyruar ose paguajnë tarifën e plotë të studimit! Ç’përmban ligji i ri dhe procedura që do të ndiqet pas përfundimit të Universitetit
VALENTINA MADANI/Seanca e djeshme plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani. Opozita, e cila vendosi pezullimin e çdo aktiviteti politik për të respektuar zinë për shkak të ndarjes nga jeta të Gerti Bogdanit u largua nga salla e parlamentit menjëherë pas përfundimit të nderimeve për ish-deputetin demokrat.
Mazhoranca vazhdoi e vetme seancën, por edhe socialistët për shkak të ndarjes nga jeta të Gerti Bogdanit u kufizuan në fjalimet e tyre duke prezantuar shkurt ligjet e parashikuara në rendin e ditës.
Me 74 vota pro, 0 kundër, dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin 60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë Mjekësi e përgjithshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë. Sipas ndryshimeve që u miratuan sot në Kuvend studentët e mjekësisë mund të lidhin një kontrate që i detyron që të punojnë në Shqipëri për të paktën 3 vite pas diplomimit, ose në të kundërt duhet të paguajnë të plotë tarifën e studimit. Me ligjin e ri studentët e vitit të parë duhet të punojnë 3 vite pas diplomimit, studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë një vit.
Studentët që firmosin kontratën duhet të ofrojnë shërbim të detyrueshëm për këto vite dhe diploma u jepet pasi mbarojnë këto vite punësimi të detyrueshëm. Punësim brenda 3 muajsh ose pagesë 80%. Ndryshimet ka të bëjë dhe sa i takon punësimit, neni 6 i pr/ ligjit. Mjekët që licencohen kanë prioritet të punësohen në institucionet shëndetësore publike brenda harkut 3 mujor. Nëse kjo nuk ndodh në bazë të nevojave që ka sistemi këta mjekë mund të paguhen me 80 % të pagës së mjekut të thjeshtë ose të punësohen në institucionet shëndetësore jopublike.
Me ligjin e ri “studenti që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas përcaktimeve të këtij ligji, në momentin e lindjes së të drejtës për punësimin e tij, fillimisht ndiqen procedurat për t’u punësuar në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licencuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve.
Nëse punësimi nuk realizohet brenda 3 muajve nga Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë për arsye objektive dhe për shkaqe që nuk varen nga mjeku, ai ka të drejtën e punësimit në institucionet shëndetësore jopublike.
Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhe jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 mujore në institucionet shëndetësore publike. Nëse mjeku i ri nuk punësohet pas përfundimit të këtyre dy afateve atëherë konsiderohet i përmbushur detyrimi sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe mjeku ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare.
Ministri përgjegjës për Arsimin dhe ministri përgjegjës për Shëndetësinë hartojnë udhëzim të përbashkët mënyrën dhe procedurat e punësimit me prioritet. Diskutimet në Kuvend për këtë ligj rinisën pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë. Argumenti i Kushtetueses se afati 5 vjetor është joproporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite për ata që fillojnë rishtas, për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një 1.
Në këtë seancë parlamentare opozita nuk mori pjesë për shkak se PD ka shpallur ditë zie në ndër të ish-deputetit të PD, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Në nisje të seancës, të gjithë deputetet e parlamentit ishin të pranishëm, duke mbajtur një minutë heshtje. Më pas opozita u largua. Po ashtu Kuvendi miratoi edhe pikat e tjera të rendit të ditës. Seanca e djeshme plenare zgjati vetëm 45 minuta, pasi nuk pati debate dhe diskutime.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi