Strehimi social për 847 familje në 22 bashki të vendit! Kategoritë përfituese, ja si do të ndahen 490 milionë lekë nga buxheti i shtetit

Strehimi social për 847 familje në 22 bashki të vendit! Kategoritë përfituese, ja si do të ndahen 490 milionë lekë nga buxheti i shtetit

Plot 847 familje në 22 bashki të vendit do të përfitojnë nga projekti për strehimin social, duke siguruar kështu një strehë për të jetuar.

Sakaq, ky projekt do të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për familjet në nevojë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shpërndau në rrjetet sociale momente nga puna që po zhvillohet në këto banesa, në bashkitë e vendit dhe theksoi se në këto hapësira familjet në nevojë mund të ndërtojnë të ardhmen.
“Ky projekt përfshin mbështetjen e 22 bashkive në të gjithë vendin dhe po sjell një ndryshim të ndjeshëm në jetën e 847 familjeve përfituese, duke u siguruar jo vetëm një strehë të sigurt, por edhe një hapësirë ku mund të ndërtojnë të ardhmen me dinjitet”, u shpreh ministri i Ekonomisë.
Aktualisht në kuadër të Projektit të Investimeve të Strehimit Social, vijon me intensitet puna për përmirësimin e kushteve të banimit. Gonxhja nënvizoi se përmes këtij angazhimi, po adresohen nevojat emergjente sociale duke krijuar një model zhvillimi të drejtë e gjithëpërfshirës, ku çdo qytetar të ketë mundësinë të jetojë në kushte të denja.
“Investimet e bëra janë një shembull i qartë i përkushtimit për t’u shërbyer atyre që kanë më shumë nevojë, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”, shtoi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Projekti i Investimeve të Strehimit Social ka një vlerë financimi prej 490 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. Këto projekte do të adresojnë nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit për 847 familje në nevojë në të gjithë vendin.
FAMILJET PËRFITUESE
Familjet që përfitojnë janë 11% familje me ndihmë ekonomike, 21.6% të mëshuar por pa përkrahje, 13.2% persona me aftësi të kufizuar, 2.5% familje me një prind, 2% familje me gra kryefamiljare, 3.2% emigrantë të rikthyer, 2% viktima të trafikimit, 34.5 % kategori të tjera sipas ligjit nr. 22/ 2018 “Për strehimin social”. Ndërsa shpërndarja e fondeve do të bëhet sipas planit ku, 57 milionë lekë janë për adaptimin e objektit dhe kthimin në banesë sociale për strehimin e 35 familjeve në kushte të vështira ekonomike, në Bashkinë Mat.
Më tej, 335 milionë lekë për programin e “Përmirësimit të kushteve të banimit” për 547 familje në 19 bashki. Gjithashtu, 98 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale për 265 familje, që i përkasin kategorive të strehimit social. “Ky investim është një hap i madh e direkt drejt përmirësimit të jetesës për shumë familje në nevojë”, – deklaroi Gonxhja.

 
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente