Rrëzohet gjatë ngjitjes me litarë teksa po eksploronte zonën dhe dëmton gjymtyrët, policia i vjen në ndihmë turistit çek në Himarë
Policia Kufitare në Himarë i ka ardhur në ndihmë një turisti çek, i cili u dëmtua gjatë eksplorimit të zonës në Gjirin e Filikurit.
Mësohet se turisti është rrëzuar gjatë ngjitjes me litarë dhe për pasojë ka dëmtuar gjymtyrët.
Turisti është transportuar me mjetin e policisë kufitare në Portin e Himarës, ku edhe është asistuar nga shërbimet e urgjencës mjekësore dhe tani ndodhet në spitalin e Himarës nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
U dëmtua gjatë eksplorimit të zonës në Gjirin e Filikurit dhe mbeti i bllokuar, Policia Kufitare i shkon në ndihmë turistit çek.
Sot, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është marrë njoftim se në vendin e quajtur Gjiri i Filikurit, një turist i cili po eksploronte zonën ishte rrëzuar gjatë ngjitjes me litarë dhe kishte dëmtuar gjymtyrët. Menjëherë u nis drejt tij Njësia Policiore Detare e SPK Dhërmi e cila, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ka lokalizuar turistin çek dhe e ka transportuar me mjetin e policisë kufitare në Portin e Himarës.
Shtetasi i dëmtuar është asistuar gjatë transportit edhe nga shërbimet e urgjencës mjekësore dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Himarës, nën kujdesin e mjekëve.
Policia Kufitare dhe Policia Vendore Vlorë janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve.
Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi