Opinioni i Komisionit të Venecias, Bardhi: Dorëzojani menjëherë drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë Gjykata Kushtetuese!
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka folur për opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me pajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Bardhi tha se mazhoranca u zotua se sapo të vinte opinioni i Venecias do ta zbatonin, por sipas tij, ata bënë të kundërtën.
Ai tha se shpikën një opinion që nuk ekziston duke u thënë shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese.
“Ju jeni e vetmja mazhorancë që në 34 vite dy vendet e GJK i keni hedhur në kosh. Çfarë shembulli u jepni ju qytetarëve që kanë një konflikt gjyqësor dhe e zgjidhni me vendim gjykate. U thoni po ju pëlqeu një vendim gjykate zbatojeni, po nuk ju pëlqeu, shpallni Republikën Xhaçka dhe mos e zbatoni vendimin e gjykatës. Ky është shembulli që ju transmetoni.
Për turpin tuaj, u zotua publikisht se sa të vinte opinioni i Komisionit të Venecias do ta zbatonte. Por çfarë bëri, shpiku një opinion që nuk ekziston. U tha shqiptarëve se Kuvendi është i pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese. Nxorën lajme të rreme pa asnjë dokument dhe pa asnjë bazë dhe më pas e shpërndanë si një fake news në të gjitha mediat”, tha Bardhi.
Ndër të tjera ai kërkoi që çështja e Olta Xhaçkës të futet në rend dite dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të vendoset nëse është apo jo në kushte të papajtueshmërisë.
“Komisioni i Venecias u ka thënë atë që ju kemi thënë ne në këtë sallë, atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, që nuk mund të ngrini pavarësinë tuaj apo lirinë tuaj të votës kur bëhet fjalë për vendimet e GJK. Nuk mund të konsiderohet si imponim i një mënyre votimi, por përmbushje përgjegjësie.
Prandaj, fusni menjëherë në rend dite. Dorëzojani drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë GjK nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë. Çdo sjellje e kundërt ndaj saj është minim i shtetit të së drejtës”, tha Bardhi.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi