Nga Rosi te Stoner, Banjaja në gjurmët e miteve të Moto GP-së

Nga Rosi te Stoner, Banjaja në gjurmët e miteve të Moto GP-së

Fitues i tri titujve botërore, dy në Moto GP në dy edicionet e fundit dhe një në Moto 2 në vitin 2018, Françesko Banjaja është i pandalshëm. I freskët pas triumfit të radhës në Asen, piloti torinez i Dukatit vrapon fort duke u bashkuar më të mëdhenjve të motoçiklizmit.

“MAGJISTARI” I DY RROTAVE – Kampioni italian i Dukatit të befason me superioritetin e triumfeve të tij, shumë të ngjashëm me atë të kampionëve të tjerë të mëdhenj. Një përshtypje e konfirmuar nga disa statistika veçanërisht të përafërta me mitet e Moto GP-së.
NË “GJUETI” TË LEGJENDAVE – Jo vetëm fitues, por edhe dominues, në këtë moment Françesko Banjaja është referim në Moto GP. Një ndjesi që shkon përtej vendit të dytë në Kampionatin Botëror aktual, ku renditet 10 pikë prapa liderit Horge Martin. Këtë e sugjerojnë mënyrat sesi i ka arritur sukseset e pastra dhe disa shifra që e krahasojnë Pekon me më të mëdhenjtë në Moto GP-së, duke filluar me Kejsi Stonerin, i barazuar në Holandë në numrin e fitoreve me Dukatin, 23. Statistikat që certifikon statusin e arritur nga Banajaja në dy vitet e fundit.
SI ROSI DHE MARKEZ – Banjaja tashmë ka filluar të trokasë në derën e më të mëdhenjve falë fitimit të Kampionatit Botëror të Moto GP-së 2023. Titulli i tretë në karrierën e tij, i dyti në kategorinë më të mirë, e afroi atë me Valentino Rosin dhe Mark Markezin. Në fakt, nëse marrim parasysh klasin e lartë, vetëm italiani, profesori i Françeskos, dhe Mark, shoku u ardhshëm i skuadrës te Dukati në 2025-ën, e kishin mbrojtur me sukses fronin. Këtë mision nuk e kanë realizuar emra të mëdhenj si Horge Lorenco dhe Kejsi Stoner. Pasi triumfoi në vitin 2022, duke mposhtur Fabio Kuartararon, Peko u përsërit edhe në Botërorin 2023, dume mundur Horge Martinin në një kampionat shumë intensiv.
NUMRI 1, BARAZON DOHAN – Kur në fillim të vitit 2023 Banjaja zgjodhi numrin 1, kishte nga ata që i trembeshin mallkimit që shoqëronte këtë numër. Në fakt, që kur Moto GP ka ekzistuar, të gjithë kampionët e vendosur për të treguar simbolin e epërsisë nuk e kishin konfirmuar veten në fron, nga Niki Haiden te Kejsi Stoner. I fundit që e arriti atë ishte Mik Dohan në 1998- ën, por ishte ende klasi 500. Kështu Françesko u tregua më i fortë, duke e prishur këtë “mallkim”, për ta thyer tabunë e titullit kampion me numrin 1 të stampuar në motor.
TRIPLETAT, PEKO SI 4 MITE – Triumfi në Holandë ishte i treti radhazi për Banjajan në vitin 2024. Por ky rezultat nuk është risi për pilotin italian, pasi ai kishte dominuar të paktën në tri gara në vitin 2022, kur mes eventeve në Asen dhe Misani, fitonte katër herë. Tripleta në dy sezone në Moto GP, vetëm katër pilotë të tjerë i kanë arritur. Valentino Rosi regjistron madje pesë sezone me të paktën tripletë garash të fituara, përkatësisht në vitet 2002 dhe 2003 me Hondën dhe 2004, 2005 e 2008 me Yamahën. Katër sezone magjike edhe për Horge Lorencon, autor i tre fitoreve radhazi në vitet 2010, 2012, 2013 dhe 2015. Poker tripletash edhe për Mark Markezin, i cili arriti një seri të bujshme në dy periudha të veçanta dyvjeçare, 2013-2014 dhe 2018-2019. Ndërsa Kejsi Stoner la shenjë me tripleta në tre sezone: 2007, 2008 dhe 2011.
PROFESOR I ASENIT – Tatuazhi i Banjajës me cirkuitin e Asenit nuk është rastësor për të. Françesko e konsideron pistën holandeze si të preferuarën e tij, por ka edhe dy të dhëna të tjera që flasin qartë. E para ka të bëjë me historinë e Pekos, pasi vetëm Valentino Rosi, Horge Lorenco dhe Mark Markez kishin fituar në Holandë në të gjitha kategoritë. Piloti i Dukatit iu bashkua listës pas suksesit në klasin mbretëror në vitin 2022, duke e pasuar madje edhe më dy triumfe të tjera. Ndërsa duke kaluar te statistika e dytë, para Banjajës, vetëm Mik Dohan kishte triumfuar tri herë radhazi në Asen. Me pak fjalë, Françesko nuk mund të kishte zgjedhur një tatuazh më të përshtatshëm…
GJITHMONË NË KRYE – Italiani befasoi në fundjavën holandeze me paraqitjen e tij konstante. 27-vjeçari ishte superior ndaj rivalëve që nga sesioni i parë i provave të lira, për ta vijuar dominimin gjithashtu në kualifikuese, në Sprint dhe në garën e madhe. Një shfaqje e madhe dominimi, e cila nuk kishte ndodhur në Moto GP prej dhjetë vitesh, kur Mark Markez i shkatërronte rivalët gjatë të gjithë fundjavës në Çmimin e Madh të Amerikës 2014.
PESËSHE – Duke marrë në konsideratë vetëm Çmimet e Mëdha, Banjaja regjistroi në Holandë triumfin e pestë në tetë raundet e zhvilluara në këtë sezon. Një marshim triumfal që ka pak precedentë në historinë e Moto GP-së. Në fakt, nëse i referohemi vetëm klasit të lartë aktual, Françesko i është bashkuar listës që mban firmat nga Kejsi Stoner në 2007-ën dhe Horge Lorenco tre vite më vonë. Vetëm Valentino Rosi dhe Mark Markez kanë bërë më mirë. Italiani fitoi shtatë nga tetë garat e para në 2002-shin, ndërsa, tre sezone më vonë, ai u ndal në gjashtë suksese. Ndërsa Mark Markez doli me pikë të plota në sezonin e pabesueshëm 2014, me spanjollin që i fitoi të teta garat e para të kampionatit, madje duke thelluar serinë e triumfeve deri në garën e dhjetë.
PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi