Ndarja nga jeta e Ismail Kadare, Basha: Lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar! Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!
Lulzim Basha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare mëngjesin e sotëm.
Basha shkruan se ky është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.
“Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX”, shkruan ish-kreu i PD-së.
Postimi i plotë:
Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.
Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.
Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët mikun e tyre të pazëvendësueshëm.
Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!
Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi