
Ndarja nga jeta e Andis Harasanit, Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje për ish-deputetin socialist
Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur sot në seancën plenare një minutë heshtje në nder të ish-deputetit socialist, Andis Harasani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Kryeparlamentarja Spiropali shprehu ngushëllimet në emër të Kuvendit, ndësa tha se Andis Harasani ka qenë një profesionist i talentuar, menaxher i aftë dhe i spikatur, një parlamentar aktiv dhe i përkushtuar.
Elisa Spiropali: Dje është ndarë nga jeta ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Andis Harasini. Andisi ka qenë një profesionist i talentuar, menaxher i aftë dhe i spikatur, një parlamentar aktiv dhe i përkushtuar, i cili u zgjodh deputet i Kuvendit në dy legjislatura në 2005 dhe 2009. Duke i shprehur ngushëllime familjes, të afërmeve për humbjen e prindit, bashkëshorti, birit dhe vëllait dhe në nderim të kontributit të tij për vendin, iu ftoj të mbajmë një minutë heshtje. U prehtë në paqe!
Kujtojmë se bashkëshortja e ish-deputetit, Suela Kapllani, bëri me dije se Andis Harasani ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me kancerin.
“Me keqardhje të thellë, duhet të pranojmë se nuk ia doli të fitojë betejën kundër kancerit. Ne, Thea dhe Henry, do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim të paharrueshëm jete që ndamë me të”, tha ajo.
LEXO EDHE: Andis Harasani, ish-deputeti i PS ndërroi jetë në moshën 53-vjeçare, bashkëshortja: Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi