Lumni i dy martirëve dhe fronëzimi i Metropolitit! Samarxhi: Muaji i ngjarjeve të mëdha për krishterimin shqiptar

Lumni i dy martirëve dhe fronëzimi i Metropolitit! Samarxhi: Muaji i ngjarjeve të mëdha për krishterimin shqiptar

FERDINAND SAMARXHI *NDERI I KOMBIT 
Në vend të prologut…
Kur Jezusi u pagëzua në Jordan dhe shpërndau 12 apostujt në të gjithë botën për të përhapur lajmin e mirë, në Iliri erdhi një nga apostujt më të rëndësishëm të Kishës, Shën Pavli, i cili siç thotë në letrat drejtuar romakëve “e përhapa krishterimin nga Jerusalemi deri në Iliri”. (Romakëve: 15:19)
… Krishti, Papati, Vatikani dëgjoi omelitë e bukura të shtatë Papëve të gjenezës sonë që zgjojnë lavdi dhe krenari, me simfonitë e tyre të bukura hyjnore që ushtojnë ende si dikur në Vatikan, në Shën Pjetër, pa mbarim.
Papa Shën Eleuteri, 171:185 prej një Nikopolit të Epirit, Prevës që renditet i 14 në listën e Papëve, Shën Urbanit të parë 222-230 prej Ilirie që renditet i 18 në listën e Papëve, Shën Kai Papë 283-296 prej Salone Dalmaci, Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555-1559 që renditet i 45 në listën e Papëve. Gjatë kohës dhe nën drejtimin e Tij, botohet libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut. Papa Sisti i V Pereti 1585-1590, familja e tij emigroi nga Kotori, që renditet i 229 në listë. Papa Klementi XI Albani 1700-1721 që renditet i 245. Me urdhër të Tij u mbajt Kuvendi i Arbrit në 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës se parë shqipe.
Prania e Kardinalit Ernest Troshan Simoni, Princi Botër të Kishës, portretizimi i gjallë i martirizimit të kombit tonë

Kombi ynë do të lindte Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, që Papati do ta quante atlet të Krishtit, pararendës të historisë, që mbrojti civilizimin europian nga hordhitë osmane, që donin të kalonin Adriatikun…
Nga kombi ynë lindi Nënë Tereza, gruaja që portretizoi shekullin e mbartur me luftëra, gruaja që kompozoi si simfoni pambarim dashurinë. Ne jemi kombi i Nënë Terezës…
Rrugë e gjatë e mundimshme. Vitet sa një shekull të historisë ndaluan orën e Zotit. Kambanat vajtueshëm përcollën psalte vajtuese të premte të zezash. Bargojt e vdekjes na kishin rrethuar, ankthet e Sheolit na kishin pushtuar, shkrimi i shenjtë. Kobshëm ky psalt përjetoi gjatë në tokën e djegur në zemrat e zhuritura…
Martirë të Lumë…
…Dielli i nëntorit dukej sikur demonstronte ngrohtësinë hyjnore që karakterizonte këto ditë mbarë Kishën Shqiptare. Ngrohtësi që buronte, siç përshkruan këtë ngazëllim, Dom Marku, zëdhënës i Kishës Katolike Shkodër, hyjnizuar nga dëshmia e flaktë e dy martirëve që dhanë jetën për Krishtin, Kishën, Kombin. Në homelinë e tij, Kardinali Semeraro nxiti të pranishmit që të përfitonin nga dëshmia e këtyre personazheve për të jetuar një fe, e cila sjell vepra konkrete në jetën e përditshme dhe në mbarë shoqërinë Shqiptare dhe jo vetëm.
Besimtarë të shumtë në katedrale pjesëmarrës në ceremoninë e lmnimit, mes tyre edhe zoti Tom Doshi
Momente hiri, gëzimi dhe shenjtërie përjeton Katedralja Shën Shtjefni, Shkodër. Atë Luigj Paliq dhe Dom Gjon Gazulli shpallen të Lumë. Në meshën e kryesuar nga Prefekti i Dikasterit për çështjen e Shenjtërve, Hirësia e Tij, Imzot Marcello Semeraro, lexoi dekretin e Papa Françeskut, që shpalli zyrtarisht luminimin e dy martirëve që dhanë jetën për Fe e Atdhe.
Panorama që shpallja e Lumturive ungjillore (krh. Mt 5, 1-12)- thekson Kardinali Semeraro – na hap përpara syve është e shkëlqyeshme dhe e gjerë, disi e ngjashme me atë që shtegtari në Tokën e Shenjtë admiron kur sheh nga ajo “dritare” e mrekullueshme Detin e Galilesë që është “Mali i Lumturive”. Është kjo fjalë të Lumët, që përsëritet si notat e një simfonie dhe çdo herë hap skenarë bukurie të brendshme: ngushëllim në lot, paqe dhe drejtësi, jo dhunë, forcë faljeje…
Katedralja Shën Shtjefni, Shkodër. Ceremoni hyjnizuese lumnimi i dy martirëve At Luigj Paliq, Dom Gjon Gazulli
“Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon. … Të Lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!” (Mt 5, 10-11). Ndodh, pra, që këto fjalë, duke mbërritur në fund të shpalljes së Lumturive, të na kthejnë në historitë e dhimbjes që kanë vuajtur shumë të krishterë, që nga fillimi e deri më sot, ndoshta edhe në shumë histori tona personale.
Na kthejnë edhe në historinë e vuajtjeve dhe të vdekjes së dy martirëve, të cilët sot Kisha i ka shpallur të Lumë, duke ua shtuar tridhjetë e tetë martirëve të lumnuar tetë vjet më parë po këtu në Shkodër, më 5 nëntor 2016. I pari, Luigj Paliqi, është meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë, i lindur në Janjevë, në Kosovë, një tokë që Shën Gjon Pali II dikur e kujtonte si “të pasur me histori të lavdishme…” (Audienca e datës 15 nëntor 1989); tjetri, Gjon Gazulli, është prift dioqezan i kësaj kishe të shenjtë.
Për të dy, u realizuan fjalët e Jezusit: “kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!”.
Papa Françesku, i cili pikërisht në kontekstin e thirrjes universale për shenjtëri ka bërë një koment mbi Lumturitë e Ungjillit, dhe me pak fjalë, por të efektshme, e ka aktualizuar këtë prani të rrenës në përndjekjen e një të krishteri. Ai shkroi se ndonjëherë është edhe “tallje që tenton ta shpërfytyrojë fenë tonë dhe të na bëjnë të dukemi si njerëz qesharakë”. Ai synon të na thotë se fjala e lumturisë ungjillore është aktuale edhe atje ku nuk ka përndjekje të dukshme, por ka indiferencë apo tallje. Prandaj Papa arriti në përfundimin se “ta pranosh çdo ditë udhën e Ungjillit edhe pse kjo gjë na shkakton probleme, është shenjtëri” (Gaudete et exsultate, nr. 94).
Lavdia e hyjnizimit të lumnimit të dy martirëve, krenari për të gjithë…
Dy të Lumët tanë bënin mirë dhe u shpifën e u dënuan në rrenë. Kështu ndodhi me Atë Paliqin, historia e të cilit daton që nga Lufta e Parë Ballkanike, kur famullia e Pejës, ku ai shërbente, pushtuesit e Malit të Zi, aleat i Serbisë, ushtronin politikë represive ndaj popullatës etnike shqiptare, duke ushtruar dhunë dhe vrasje. Ai, duke ecur drejt vendit të martirizimit, tha: “O Jezus, për hir të dashurisë sate”. Vrasja e të Lumit Gazulli ishte gjithashtu e motivuar në mënyrë të rreme dhe prej fillimit të varjes së tij iu bë një gjyq farsë: u dënua me akuza të rreme dhe më pas u var në periferi të këtij qyteti. Ai, si Jezusi, “martiri” dhe “dëshmitari besnik” (Zb 1, 5), vdiq duke falur vrasësit e tij.
Shën Tomë Akuini shpesh thoshte se “e vërteta, kushdo që e thotë atë, vjen prej Shpirtit Shenjtë”. Për këtë arsye Shën Pali apostull mund të shkruante: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit?” (Rom 8, 35). Rrena ndan: na largon jo vetëm nga Krishti, por edhe nga vëllezërit, nga të tjerët, sepse rrena është përçarëse, krijon armiqësi, luftëra, vdekje. Kurse e vërteta bashkon: ajo jo vetëm që na bashkon mes nesh, por na bashkon edhe me Jezusin, që është e Vërteta dhe Jeta (krh. Gjn 14, 6).
Kardinal Semeraro shpall të Lumë dy martirë, At Luigj Paliq, Dom Gjon Gazulli. Bashkëcelebrojnë ceremoninë, Kardinal Ernest Troshan Simoni, Imzot Anxheli Masafra e klerikë të tjerë
Nga Lumnimi i dy martirëve tanë mund të marrim me vete këtë fjalë udhërrëfyese dhe ngushëlluese. Domethënë, ashtu si edhe Shën Pali, edhe ne kemi bindjen se asgjë “nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Në fakt, dashuria e tij është një dashuri që arrin t’i shndërrojë humbjet në fitore, në mënyrë që në të gjitha këto, “ne jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur” (krh. Rom 5, 37-39).
Në përshëndetjen e tij Imzot Angelo Massafra falënderoi zyrtarisht Papa Françeskun për këtë dhuratë dhe theksoi dëshminë historike të Kishës tonë shqiptare në të gjitha kohërat. Kisha jonë, edhe pse e vogël në numër, gjatë gjithë kohës ka ditur të dëshmojë nëpërmjet martirëve të saj vitalitetin dhe lidhjen e saj me Selinë e Pjetrit, nënvizoi ai.
Të pranishëm në këtë meshë ishin hierarkët më të lartë të Kishës nga Kroacia, Bosnja dhe Mali i Zi. Vlen të përmendet edhe prania e komuniteteve të tjera fetare, autoriteteve civile, si edhe ajo e vëllezërve ortodoksë, të cilët u përfaqësuan me Hirësinë e tij, Imzot Asti Bakalbashin, Mitropolitin e sapozgjedhur të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, përfaqësuesin i Kryegjyshit Botëror, Dervish Hasan Carkanji etj..
Përmendore e ngritur e martirit Dom Gjon Gazuli
Pjesëmarrja, prania, lutja e kardinalit, princit botëror të kishës, Shkëlqesisë së Tij, Ernest Troshan Simonit, portretizoi më tej këtë ceremoni të shenjtë hyjnore si një sakrilegj i provonisë hyjnore që ka kaluar kombi, populli ynë për lirinë, Krishtin, kishën, besimin, jetën.
…Përmendorja e ngritur në varrezat e Rrmajt ngadhnoi kalvarin e kryqit, ndjekjen e rrugës së Krishtit, të martirit, birit të saj, Dom Gjon Gazullit, që dhuroi jetën e vet.
******
Kryepeskopi Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Forlumturia e Tij, prof. dr. Anastasi me Sinotin e Shenjtë: Lavdi e krishterimit shqiptar në ungjillizimin e Krishtit…
Fronëzim i Hirshëm i Mitropolitit të ri të Beratit, Vlorës, Kaninës, vazhdë ungjillizimi…
Vite ‘67-‘90, vite terri komunist, tokë e namur, e mallkuar, e djegur, e etur e braktisur, thirrjet ndaj Zotit ndalur. apoteozë. Kambanat vajtueshëm përcjellin të premten e zezë. Populli ecte në lëndinën e hijës së vdekjes, shqiptarët Zotin, Krishtin e kishin kryqëzuar, varrosur, mohuar. E zezë e rëndë ishte heshtja. Premtimi i Zotit që unë do jem me ju nuk ishte shkulur ende në zemrat e njerëzve. Kishte afruar ora e Zotit. Himnet dhe troparet paralajmëronin shqiptarët se Zoti ishte ngritur nga varri. Kishte ardhur koha që njerëzit të gjithë të thërrisnin “Hosana, Hosana i bekuar është ai që vjen në emër të Zotit. O Zot, o Zot shtjer syrin prej qiellit dhe shiko, edhe vizito, edhe rregullo këtë vresht, të cilin e ka mbjellë dora jote e djathtë”. As hierarki, as sinod, as institucione, çdo gjë e paralizuar dhe e vdekur. Nga tri Episkopatët, nëntëmbëdhjetë zëdhënësit Hieratikë, 330 Enoritë, 25 manastirët që kishte kisha para 1907, nuk kishte mbetur asgjë. 12 priftërinj të moshuar, asnjë episkop. Therëse, trishtuese, pa një gjurmë shprese…
Në qoftë se Zoti s’do të kishte mbajtur anën tonë, atëherë ujërat do të na kishin mbuluar. Me dashuri Perëndie, me dorën e djathtë të përqafimit të vreshtit do të formohej sinodi i shenjtë i kishës prej katër anëtarësh, Mitropoliti i Beratit, Hiresi Ignati, Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, Episkopi i Apolonisë, Hirësi Kozmai dhe kryesekretar At Jani. Sinodi i sotëm numëron në gjirin ne tij tetë anëtarë dhe sot janë formuar dhe funksionojnë gjashtë mitropoli. Me nismën, bekimet, punën dhe përkushtimin e Kryepeskopit Anastas, u ndërtua një kishë ku u riorganizuan 460 enori, u ngritën nga themeli 150 kisha të reja, u restauruan 60 kisha të tjera, manastire dhe monumente kulture, u riparuan 160 kisha të tjera. U ndërtuan 70 godina për shkolla, kopshte, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane etj.. Mbi 450 objekte ndërtuese sot portretizojnë një kishë me infrastrukturë që ekziston dhe përcjell mesazhe dashurie për të gjithë. Nën kujdesin ne tij u ngrit akademia teologjike ortodokse Ngjallja e Krishtit që përgatit klerikët, baritë për vazhdimësinë në ungjillizim…
Kryepeshkopi Anastas bekon me hirin e shenjtë Mitropolitin e ri
Katedralja e vjetër Shën Dhimitri, Berat, përjetoi këto ditë siç na përshkruan Zonja Valbona Duri, Drejtori e Marëdhënive me publikun e Kishës Orotodokse, hyjnizim. Lutje dhe lavde për Perëndinë, për birin e Saj, Jezu Krishtin, për Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e tij, prof. dok. Anastasin, ngazëllim i rrugës së Krishtit për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që kaloi kalvarin e kryqit, e përqafoi dhe që u ngjall së bashku me të.
Ka ardhur Sinodi i Shenjtë, Mitropolitët i Korçës, Hirësi Joani, i Fierit Hirësi Nikolla, i Elbasanit Hirësi Andonit, i Amantias Hirësi Nathanaili, klerikë dhe besimtarë nga e gjithë Shqipëria në katedralen e “Shën Dhimitrit” në Berat dhe në praninë e popullit shpresëtar, përfaqësuesve fetarë dhe politikë. Kanë ardhur nga të gjitha anët, nga gjithë Shqipëria për të marrë pjesë në Hir Fronëzimin e Mitropolitit të Tyre, Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Fort të Hirshmit Asti Bakalbashi.
Mes një hyjnizimi ceremonia përjetoi momente nga më të bukura ungjillizimi. Shërbesat e shenjta nisën me Mëngjesoren dhe Meshën Hyjnore me rastin e të Kremtes së Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull të drejtuar nga Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani dhe Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla me pjesëmarrjen edhe të klerikëve të Mitropolisë.
Katedralja Shën Dhimitri, Berat. Momente hiri dhe gëzimi për fronëzimin e metropolitit të ri Hirësi Asti Bakallbashi
Me vota të plota, në Shërbesë u lexua vendimi i Sinodit të Shenjtë të KOASH për zgjedhjen e Episkopit të deritanishëm të Bylisit Imzot Astit dhe Protosingjel i Kryepiskopatës së hirshme si Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës.
Mes ngazëllimit dhe Hirit të Perëndisë, kryebariu e grigjës së Zotit të gjithë Shqipërisë për besimtarët e krishterë ortodoks, homeloi duke thënë “Sjellë në mendjen time momente të para 33 viteve kur për herë të parë pata gëzimin që të vij në Berat, shumë të rinj kishin vendosur që të pasonin Kryepiskopin e ri dhe në vazhdim të këtyre viteve kisha bekimin e madh të prezencës dhe të bashkëpunimit të këtyre njerëzve të zgjedhur. Asti ishte njëri prej tyre dhe sot është një gëzim shumë i madh kur sjellë ndërmend se babai i Astit ishte nga Berati. Jam shumë i gëzuar dhe mirënjohës për këtë familje të zgjedhur për Zoi Bakallbashin dhe bashkëshorten e tij, Jolanda, që na dhuruan këtë njeri të mrekullueshëm që të jetë në shërbimin e Kishës.
Përfaqësues të besime të ndryshme, pjesëmarrës në ceremoni
Për më shumë se 20 vjet ai është në shërbim të Kishës si dhjak, kryedhjak, prift, Episkop ndihmës dhe unë jam shumë mirënjohës dhe dua të falënderoj Perëndinë për dhuratat e shumta me të cilat e ka pajisur atë.
Jam shumë i bindur se do të vazhdojë veprën e shkëlqyer të paraardhësit të tij, vëllait të tij Ignat, i cili me shumë përkushtim shërbeu në këtë Mitropoli të Shenjtë dhe që do të ketë kujdes që do të jetë gjithmonë në vendin dhe në formën e Krishtit, sepse ky është roli i Episkopit. Në emër të të gjithëve, ne që jemi këtu dhe përshëndesim këtë fillim të punës së tij në këtë Mitropoli dua ta uroj, por edhe t’i kujtoj se vepra e tij duhet të jetë gjithmonë një vepër bese.
Hyjnizim Fonëzimi të mitropolitit të ri të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Asti Bakallbashi
Mundi i tij të jetë gjithmonë një mund dashurie. Shpresa e tij të jetë gjithmonë e lidhur me durimin. Nuk është fare i lehtë roli i Episkopit në ditët e sotme, aq më tepër në një vend kaq të rëndësishëm, siç është ky qytet dhe kjo Mitropoli. Dhe kur u bë zgjedhja e tij më erdhën ndërmend disa fjalë që janë udhërrëfyese për të gjithë ne. Këtë burim e ka përshkruar Apostull Pavli në Letrën e tij dërguar Efesianëve: “Prandaj unë bie në gjunjë përpara Atit prej të cilit merr jetë çdo krijesë në qiej e në tokë. Perëndia ju dhëntë sipas pasurive të lavdisë së Tij dhe përmes Shpirtit të Tij ju bëftë më të fortë shpirtërisht. Krishti banoftë në zemrat tuaja përmes besimit në mënyrë që të rrënjosur e të themeluar në dashuri të mund të kuptoni bashkë me të gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia, thellësia e dashurisë së Krishtit. Lutem që të njihni dashurinë e Krishtit, e cila tejkalon çdo dije që të mbusheni me gjithë plotësinë e Perëndisë që të mund të bëjë shumë më tepër se gjithçka që i kërkojmë, ose mendojmë falë fuqisë që vepron në ne. Atij i qoftë lavdia përmes Kishës dhe përmes Krishtit Jisu për të gjitha brezat në shekuj të shekujve. Amin”. (Efesianëve 3:14-21).
Lutemi që urimi ynë të shoqërojë në çdo hap veprën baritore të vëllait tonë të dashur Astit.
Brenda kësaj atmosfere të gëzueshme që përjetojmë të gjithë së bashku, – tha në fjalën e tij Mitropoliti i porsa zgjedhur, Fort i Hirshmi Asti, – dua të shpreh me pak rreshta mbushur plot dashuri, përkushtim dhe emocion, një mirënjohje dhe falënderim të thellë ndaj Perëndisë Triadik që më ka dhënë bekime të panumërta, dashuri për një shoqëri dashurie me Të dhe me njerëzit, vlerësime e ftesë të shërbej e të punoj në vreshtin e Tij, si meshtar, bashkëpunëtor, ungjillëzues, mësues e bari të Kishës së Tij. Të njëjtën mirënjohje shpreh edhe ndaj jush Fortlumturi dhe të gjithë të nderuarve vëllezër hierarkë të Sinodit të Shenjtë, që më thirrët përsëri në një hap tjetër të ri e të madh për të më besuar shërbimin baritor të Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe Lushnjës.
Në një dioqezë me histori të gjatë dhe të pasur, që fillon nga shekujt e parë të Krishterimit në Shqipëri. Kjo mitropoli shfaqet si një vend burim-frymëzimi, mbushur me monumente nga më të vjetrat mesjetare bizantine të shpëtuara në Shqipëri, si edhe me shenjtorë të njohur e të panjohur, të shfaqur dhe të pashfaqur ende, e që pritet të shfaqen.
Përjetë me Jezusin, përjetë me bekimin e Kryepeshkopit Anastas
Sot, Fortlumturia juaj Imzot Anastasi, ju falënderojmë dhe gëzohemi në këtë mitropoli, për veprën kolosale e historike të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ringritët gjithçka nga gërmadhat, ngritët të gjitha strukturat kishtare, por edhe po frymëzoni dhe mbështesni tërësinë orthodhokse dhe joorthodhokse me veprat e shumta bamirëse, sociale e kulturore, duke dhënë gjithashtu shembullin e udhëheqësit të shenjtë fetar, vizionar, ekumenik, me dashuri pa dallim race, kombi e feje.
Shpreh falënderime e lutje përshpirtjeje drejtuar atit e vëllait tonë të gjithmonëkujtueshëm, që u ngjit drejt përjetësisë së Zotit e Perëndisë tonë, Hirësi Ignatit, i cili punoi pareshtur që nga viti 1998 “në vreshtin e mbjellë prej së djathtës të të Lartit”.
Administratori Aplstolik i Shqipërisë së Jugut, Imzot Xhovani
Do të përpiqem me gjithë shpirtin tim dhe fuqinë time e do të mundohem të ofroj gjithçka që kam dhe gjithçka që kam mësuar, në: rritjen dhe thellimin në Krishtin, Miqësinë, Shërbimin dhe Dëshminë; objektiva të cilat u na u dhanë qysh herët në fillim nga Kryepiskopi Anastas dhe u bënë busull për jetën tonë më Krishtin. Të gjitha këto e shumë të tjera janë vulosur në ndërgjegjen time për të jetuar më thellë dashurinë e Perëndisë. Le të jetë dashuria dhe përkushtimi im një përgjigje ndaj himnit “Si do t’ia shpërblejmë Zotit të mirat që na ka bërë?”.
Ceremonia dhe Fronëzimi i Mitropolitit të ri u mbyll si një si një hyjnizim i vazhdimësisë së ungjillizimit të kishës së Krishtit, të kishës së Zotit, të kishës së Perëndisë.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi