Letrat e Jeronim De Radës për inteligjencën shqiptare
Më 19 nëntor të vitit 1814 lindi ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim de Rada. De Rada lindi në Makia të Kalabrisë. Mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës.
Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori gazetën e parë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1818, e mbylli gazetën dhe u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX.
Duke nisur nga viti 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861) botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë si dhe ndoqi me interes ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që e botoi në vitet 1883-1885.
KRIJIMTARIA
Shkrimet e De Radës në gjuhën italiane vijnë përpara atyre në arbërisht. Por këto krijime, të cilat janë përkthime në prozë të vjershave arbëreshe, lypsen dalluar nga vjershat italiane sipas Pipës. Interesimi i tij për folklorin u shty nga leximi i teoricienit të Romantizmit, Schlegel, prej ku nisi përkushtimi ndaj arbërishtes dhe doli përmbi fazën italiane të ndikimeve të Dantes, Ariostos e Foscolos. Veprat në poezi, përpos “Odisse” (që De Rada e quante “me temë arbëreshe”) dhe “Sofonisba”, janë të gjitha në arbërisht, por të pajisura me një përkthim italisht në prozë në krah të origjinalit. Titujt e veprave në poezi, të gjata si rregull, janë në italisht me një përjashtim “Skanderbeku i pafaan”. Veprat e tjera janë në italisht, ndërsa nga të dy periodikët të redaktuar e të botuar prej De Radës, “L’Albanese d’Italia” është edhe në italisht, kurse “Fiamuri i Arbërit” është në të dyja gjuhët.
I cytur nga avokati kalabrez Rafaele Valentini, shtator-tetorin e 1833, De Rada asokohe nëntëmbëdhjetëvjeçar zuri të mblidhte këngë popullore arbëreshe në fshatrat kalabroarbëreshe të krahinës së Kozencës. Vjeshtën e 1834 pasi hartoi “Raçolta di canti albanesi” dhe më 1866 botoi “Rapsodie” nën kujdesin e N. Tommaseo. Më 1845 Kamarda i tregoi një tufë këngësh popullore të mbledhura nga F. Avati. Më 1963 ose 1964 Giuseppe Ferrari botoi një dorëshkrim të De Radës, të cilin e quajti “Canti albanesi”, “Raçolda di Michele Bellusci del ‘600″ gjetur në Frashinetë. Vepër që me “Milosaon” ka të përbashkët 11 këngë dhe teza e Ferrarit çonte drejt një pandehme për plagjiaturë. Më 1966 Francesco Solano në një artikull botuar tek “Shêjzat” hodhi poshtë hipotezën e Ferrarit, duke provuar se gjuha e përdorur ishte ajo e anëve të De Radës, por edhe stili i ngjante shumë stilit të “Milosaos”. Solano doli në përfundimin se tufa e këngëve e mbledhur nga Belushi nuk ishte tjetër veçse tufa e parë e këngëve popullore e mbledhur nga djaloshi De Rada me shtysën e Valentinit. Më 1832 shkruan “Odisse” në terza rima. Më 1833 porsa mbaroi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, u caktua që të administronte pronën e familjes dhe kësodore i ra të njihej me të bijën e fshatarit që merrej me tufën e bagëtisë së familjes De Rada.
Nuk vonoi dhe poeti i ri nisi të shkruante vjersha dashurie në stilin e këngëve popullore që mblidhte asokohe “duke imituar siç të mundte thjeshtësinë e rapsodive”. Vitin tjetër, më 6 janar 1834, ditën e Epifanisë, hartoi të parin idil në të cilin paraqitet një episod dashurie që më vonë doli tek “Milosao A”. Në vitet 1835- 1836 nisi të shkruante skicëidetë e para të Proto-Milosaos dhe Proto-Serafinës. Më 22 shkurt 1836 botoi për herë të parë në Omnibus “Canto in morte di Scanderbeg”. Më 1837 skicoi këngë të ndryshme të “Scanderbeg” dhe shkruan variantin e parë të “Serafinës”, të cilën e shtyp më 1839. Pipa gjykon se Skanderbeku është vazhdim i Serafinës me emër tjetër. Gjatë burgimit njëmujor shkroi një vjershë kushtuar Huniadit, Giovanni Uniade, botuar pas vdekjes.
BOTIMET
Më 1841-42 shkroi tragjedinë i Numidi, që nuk i ngrohu edhe aq miqtë e tij, të cilën e botoi më 1846. Provoi fatin e tij me trajtesën filozofike “Divinazione pelasgiche”, botuar së pari te “Lucifero” dhe pastaj te “Mattneer” po më 1842. Më 1861 botoi “Principi di estetica”, “Antichità della nazione albanese”, “Lettera a Stamile”, përkujdeset për gramatikën që punoi i biri Giuseppe “Grammatica della lingua albanese” mbështetur në dialektin e Kratit, më 1870. Më 1890 botoi “Pelasgi ed albanesi”, 1892 “Il Collegio Albanese”, “La Cattedra Albanese” dhe shkroi tragjedinë “Sofonisba”. Më 1894 shkroi veprën “Caratteri e grammatica”, më 1896 “Abecedario” dhe “Antologia”, në vitet 1898-1902 “Autobiografia” dhe “Testamento politico”. Më 23 shkurt 1848 botoi numrin e parë të së përkohshmes “L’Albanese d’Italia”. Më 20 korrik 1883 botoi numrin e parë të “Fiamuri Arbërit”, e përmuajshme letrare e politike.
DORËSHKRIMET
Mbase prej grafomanisë, poeti i shkruante dhe i rishkruante pambarimisht veprat e tij, por ruante edhe skicëidetë e varianteve paraprake. Ai ruante jo vetëm letrat më të rëndësishme të tij, por edhe zarfet që i shkonin me postë. Kur u nda nga jeta, la mbrapa vandakë letre me shënime e dorëshkrime. Ky material u ruajt prej trashëgimtarëve deri kur më 1934 shitën pjesën më të madhe të dorëshkrimeve, shtyrë edhe nga gjendja e keqe ekonomike në të cilën ra familja. Njëra nga dy arkat u zhduk dhe tjetra përshkoi një odise duke përfunduar në duart e Institutit të Gjuhësisë në Kopenhagë më 1956. Pas hulumtimeve të Arshi Pipës në Kozencë, mësoi se me shumë gjasë një pjesë e materialit nga arka e zhdukur që kishte dorëshkrimet më me vlerë të De Radës, përfundoi në Arkivin Qendror të Shtetit, ku sapo ishte formuar Fondi i De Radës, ku dhe gjendet letra me poetin frëng Lamartine. Fondi i De Radës në Bibliotekën e qytetit të Kozencës përbëhet prej më se 3000 fletësh me material poezish në arbërisht, në italisht, faqe ditari (libra llogarie), një trajtesë metafizike dhe letërkëmbimi.
Letërkëmbimi në Kozenca numëron 122 letra mbi tema letrare të rëndësishme. Këmbime letrash me Josephine de Knorr, Dora d’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky, Paolo Dodaj, Pietro Chiara, Cristina Gentile Mandalà, Michele Marchianò, Bernardo Bilotta, etj.. Në Kopenhagë dorëshkrimet e koleksionit shqiptar u kataloguan më 1973, për nga sasia nuk matet me të Kozencës, por për nga cilësia mbulojnë çdo dorëshkrim para ose pas “Milosaos A” te materiali me poezi tejet i çmueshëm për hetimin e zanafillës së poezisë të De Radës, një libër llogarie dhe letërkëmbimi me letra me rëndësi.
Një letër më dt. 12 shtator 1800 hedh dritë mbi jetën pak të njohur të autorit të saj, Francesco Avati, profesor italo-arbëresh i greqishtes në Universitetin e Urbinos, mbledhësi i parë i këngëve popullore arbëreshe, sipas De Radës. Një tjetër letër pa datë dërguar nga Zef Serembe shfaq shenja paranoje mistike. Dy letra të Kamardës dërguar De Radës qershorkorrikun 1865 përmbajnë kritika për Rapsodie-n e De Radës. Një letër e dërguar nga Hanoveri më 15 korrik 1880, në të cilën dërguesi, një filolog gjerman, mundohej t’ia kthente mendjen poetit që të mos shkonte në Turqi për të propaganduar ndër shqiptarët e atjeshëm për botimin e një gazete shqip (jo shumë kohë më pas, arriti të botonte Fiamuri Arbërit). Disa prej 14 letrave me Dora d’Istrian japin të dhëna të tjera për jetën e intelektuales me origjinë shqiptare. Ndër letrat e shkruara prej De Radës drejtuar inteligjencës shqiptare, janë ato dërguar Pashko Vasës, Zef Jubanit, Mitkos dhe letrat të tjera destinuar djemve.
POLITIKA
Në radhët e periodikut “Fiamuri Arbërit”, pas tkurrjes territoriale të Perandorisë Osmane pas Kongresit të Berlinit, qëndrimet e shprehura të rilindësit në lidhje me marrëdhënien e viseve shqiptare me Maqedoninë dhe Perandorinë Osmane është pa mëdyshje për një bashkim tokësor të të dy (tri) vendeve. Bashkimi i Shqipërisë me Turqinë nënkupton medoemos përfshirjen e Maqedonisë, të cilën De Rada e konsideron një zgjerim të Shqipërisë. “Maqedonia është një tokë shqiptare për ne sipas një tradite të vazhdueshme” – shkruan De Rada në një shënim në një fjalim të lexuar në Kongresin e 12-të Ndërkombëtar të Orientalistikës. Një letër e 24 korrikut 1897 përsërit bindjen e tij politike se Shqipëria duhet të vazhdojë të qëndrojë në suazën e Perandorisë Osmane nga droja e copëtimit ndërmjet grekëve e sllavëve.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi