
Letërsia e sotme shqipe dhe tentativat për t’u shkëputur nga realizmi socialist! Ndryshimet e prekshme mes dy kohëve, para dhe pas viteve ‘90
BEHAR GJOKA
Ajo pjesë që njoh dhe kam lexuar në letërsinë shqipe të viteve ‘90 e këtej, pra në vijim edhe në shekullin njëzet e një, krahasimisht me pjesën e mëparshme shënon një ndryshim të prekshëm në tematikën e zgjeruar, në problematikën e ngarkuar që përçon, në shtjellimet dhe shprehësinë letrare, që tashmë duhet lexuar, analizuar dhe verifikuar, për të zbuluar vlerat e pranishme të këtyre teksteve, në poezi, prozë dhe dramatikë, por edhe mungimet e pashmangshme.
Në këtë hark kohor, në lavrimin dhe shënjimin estetik, ngjet një ndryshim thelbësor, sidomos në mentalitetin se si trajtohet letërsia, po ashtu në mishërimin e materies letrare të teksteve, me atë që emërtohet si bashkëkohësi e tanishme, e jo si bashkëkohësi e tejkaluar, së cilës nuk dihet se kur i vjen radha, për ta shijuar dhe verifikuar si prani vlerash, si dhe duke bërë përpjekje serioze me këput penjtë përfundimisht me modelin e realizmit socialist. Për të krijuar një situatë më të qartë të komunikimit me lexuesin, po sjellë në vëmendje një ide të Friedrich Nietzche: “Arti (letërsia-shënim imi) duhet parë si detyrë, detyrë nga më të lartat, si sferë e rëndësishme e veprimtarisë metafizike të njeriut…”, teksa flet për Rikard Vagner, një situim sugjerues gjithëkohor dhe për shumë lami artesh. Në realitetin letrar dhe imagjinar, të asaj që shfaqet si letërsi e sotme shqipe, sepse në lavrimin e poezisë dhe prozës, dramatikës dhe metateksteve kritike dhe studimore, prekim prurje të përfillshme sasiore, që do të duhet të njihen dhe interpretohen, por njëherit në këtë hark kohor, hasen edhe jo pak shenja estetike kualitative. Termi gjithsesi sugjerues, letërsi e sotme shqipe, është në trendin dhe shtysat e mundësive, për ta parë procesin letrar të tanishëm, për dallim nga termi letërsi bashkëkohore, ku madje përfshihet edhe vepra e Kadaresë, Camajt, Agollit, Trebeshinës, Pashkut etj.. A mendoni se, në trajtimin e letrares së lavruar në gjuhën shqipe, më në fund ka ardhur momenti për të parë se çfarë ka ngjarë me letrat shqipe, sidomos në këtë periudhë? Ndryshimet thelbësisht cilësore, në art dhe letërsi, megjithatë kurrsesi nuk ndodhin ashtu si në politikë, shoqëri, ekonomi, të cilat pothuajse “rregullohen” me anë të reformave.
Në ndërgjegjen specifike, në art dhe letërsi, më tepër duan një kohë pa kohë, pra një kohë letrare, gjë që është tepër e vështirë të ndash pikëtakimin dhe pikëkëputjet, të pashmangshme në evoluimin e tyre. Në një kuptim, më të gjerë do të thosha se tashmë dhe media e kritikës letrare, jo thjesht e kritikës letrare statistikore, sidomos të mësimdhënësve, që vetëm numërojnë librat e botuar nga njëri vit në tjetrin, në shumicën e vet pa i lexuar tekstet e shkruara, ku “kërkuesit” mësimdhënës, “kritikët” e sajuar, ndonëse pa tekste kritike, të cilët jetojnë me letërsinë, kryesisht prej punësimit, por mbi të gjitha, duke shënuar atë si pasqyrën më magjike ku lexojnë shpirtin e njeriut, duke projektuar atdheun e përjetshëm, ku projektohet liria si përjetësi e ëndrrës njerëzore.
DEBATI-DIALOG
Mendoj që herët a vonë, për letërsinë shqipe, do të duhet debatuar dhe dialoguar një situatë e pashmangshme, në marrëdhënie me letërsinë: Letrat shqipe, a janë pjesë e një mozaiku gjuhësor dhe letrar, apo i përkasin vetëm sistemit letrar me një shkrimtar? Vetiu vijmë te pyetja më komplekse dhe e pashmangshme, për fatin e letrave shqipe, në gjithëhapësi dhe gjithëkohësi.
Njohja ime, që buron nga leximi dhe rileximi i arealit të letrave shqipe gjithëkohore më ka krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një mozaik gjuhësor dhe letrar. Kur them mozaik gjuhësor dhe letrar, kam parasysh lavrimin letrar gjithëkohor dhe gjithëhapësinor, por duke u ndalur më gjerë, veçmas te tekstet e botuara në këtë periudhë, që zë fill në vitet ’90, dhe sendërton realisht dimensionet e plota në vitet e shekullit të njëzet e një. Letrat shqipe, gjithnjë të teksteve dhe kahjeve ligjërimore, të mungesave dhe të mbërrimeve letrare, përfaqësojnë një mozaik të laryshisë shkrimore, që ngërthen shkrimin gjithëkohor dhe gjithëhapësinor. Megjithatë, Letërsia e Sotme Shqipe, një realitet autorësh dhe tekstesh, në poezi, prozë dhe dramatikë, por edhe në studimet letrare, e cila tashmë duhet parë dhe trajtuar si pjesë integrale e sistemit të letrave shqipe. Në njohjen time, si lexim i teksteve të botuara, krahas mungesave të rrokshme, krahas prirjes së marrëzisë për t’u shndërruar në popull shkrimtar, megjithatë ka autorë që kanë botuar libra cilësorë. Në mesin e tyre, do të veçoja Luljeta Lleshanakun, autore e disa librave me poezi, Ervin Hatibi, një dëshmi vetjake e shkrimit poetik, që sendërton dhe shqipton një poetikë të lirisë individuale dhe komunitare, me një botëperceptim të përveçëm, që zbulojnë botën e unit poetik, përmes ritmikës së metaforikës shumëngjyrëshe. Po kaq bie në sy krijimtaria e gjerë poetike e autorit Alban Bala, nga më origjinalët, në kuptimin e poezisë, e marrëdhënies që ka ai me modernitetin, si shenjë e universit poetik.
Në vitet e shekullit të ri, spikatet poezia e Anila Krutit, e cila krahas tri përmbledhjeve poetike, ka botuar libra interesantë për fëmijë. Një zë më vete i poezisë shqipe të sotme, zbulohet edhe në librat poetikë të Durim Çaçës, ku përmes situimeve lakonike, derdhet një lirizim vetjak, meditativ dhe tejet shprehës. Në këtë kohë, do të veçoja përmbledhjet me poezi të Adriatike Xh. Deda, Rita Petros, për lëvrimin e purolirikës, lirikës së pastër, me anësim kah ngjyresat e një erotizmi të çlirtë dhe havërdar, Alisa Velaj, për disa libra poetikë, ku shpërfaqen kahjet e një ligjërimi modern, në konceptim dhe shprehësinë estetike, si dhe Erina Çoku, me disa libra me poezi. Një ngjarje më vete ishte botimi i Triologjisë poetike, të Lefter Çipës, Aleksandër Çipës, birit dhe të Akri Çipës, nipit, ku secili prej tyre në librat e botuar si trinitet unik në letrat shqipe, që vjen si gjurmë e breznisë së trefishtë.
EMRAT QË SHËNJUAN NDRYSHIME
Proza shqipe e kësaj periudhe, ka tregues të ndryshimeve cilësore, pikërisht në këtë hark kohor që materializon nivelin e prozëshkrimit. Në prozën e shkurtër, pas viteve ’90 spikasin Lazër Stani dhe Faruk Myrtaj, të cilët bashkë me tregimet unike të Zija Çelës, e mbajtën të ndezur kandilen e tregimit në letërsinë e sotme shqipe.
Arlinda Guma me romanet e saj, krejt të dallueshme në prozën shqipe të kësaj periudhe, në rrëfim dhe shpalimin estetik, në figurimin e personazheve, të kësaj kohe, shqiptohet si një zë origjinal në lëvrimin e këtij zhanri. Befasi më vete, kanë shënuar romanet e Thanas Medit, për sjelljen pranë lexuesit të një bote vetanake, të përcjella përmes narrativës dhe një leksiku jo të shpeshtë në letërsinë e sotme, që endin një atmosferë të pazakontë shkrimi. Po ashtu Erjus Mezini përfaqëson një prozator impresionues, sidomos me romanin “Shansi i dytë”, një tablo e shkruar në distancë, për jetën e shqiptarëve, kudo në botë, krahas teksteve dramatikë dhe eseistikë. Pjesë e letërsisë së sotme shqipe është edhe krijimtaria e Ben Blushit, që ndërkohë ka botuar disa tekste romanësh, ku në secilin prej tyre, eksperimenton në nivelet e thënies dhe të rrafsheve ligjërimore. Në këtë periudhë, për gjetje të veçanta, si thënie dhe shenja të përveçme estetike, do të veçoja romanet e Virion Gracit, që lavron ndërkohësinë e dy kohëve, të skicimit të personazheve.
Në letërsinë e sotme shqipe, spikaten romanet dhe dramat e Stefan Çapalikut, ku ndjehet një klimë tjetërsoj, si një kahje ligjërimore, por edhe riaktivizimit të stilemave gjuhësore të gegnishtes, apo në prozë të Agron Tufës, shoqëruar me disa romane të përveçme, që zënë fill qysh me gazetën e “Përshtatshme”, kanë lënë gjurmën në hartografinë letrare të kësaj kohe. Në motet e shekullit të ri kanë rënë në sy romanet e Namik Dokles, që përbëhen nga katër tekste të pazakonta, ndonëse më herët pati lëvruar dramatikën dhe prozën e shkurtër, tregime për fëmijë. Romanet e shkruara gjatë kësaj ndërkohe, kanë endur dhe plazmuar sagën romanore të Gorës, vendlindjes së autorit, e cila përcillet përmes ngjyresave të realizmit të shumëngjyrtë. Pjesë e rëndësishme e letërsisë së sotme shqipe, është edhe krijimtaria e Flutura Açkës, qoftë në poezi, por dhe në sendërtimin e dukshëm të sagës romanore, që përbëhet nga disa tekste romanësh të disa formave ligjërimore, të cilët kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, të kritikës dhe studimeve letrare, duke endur dhe shqiptuar një përvojë shkrimi të përveçme, të harkut kohor të letërsisë së sotme. Pjesë e fondit të prozëshkrimit të kësaj autoreje është edhe përmbledhja me tregime Tulipanë të vonuar, botuar në vitin 2022, megjithëse tregimet janë shkruar në gjatësi kohore të jo pak viteve. Gjurmë e letërsisë së sotme, do përmendja Vjola Isufin, për librat me poezi dhe romanet, ku madje sendërgjohet një ligjërim modern, krahas botimeve studimore për Kadarenë, Camajn, Zorbën, e për shumë autorë të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Në këtë periudhë, për letërsinë për fëmijë, por edhe për disa tekste romanësh për të rritur, do të veçoja Viktor Canosinajn, që ndërkaq hynë ndër autorët më të lexuar të kësaj kohe. Në këtë periudhë bien në sy edhe romanet e shkruara nga Bashkim Shehu, Bashkim Hoxha, Besnik Mustafaj, Nasi Lera, Agim Gjakova, Ylljet Aliçkaj, Mimoza Ahmeti, Nehas Sopaj, Ardian Vebiu, Halit Shamata, Mira Meksi, Odise Kote, Rud Erebara, Biser Mehmeti, Arbër Ahmetaj, Albert Nikolla, Mimoza Hysa, Ajmone Sumaj Salihu, Tom Kuka (Enkel Demi), Andreas Dushi, Ervin Nezha, Anila Xhekaliu etj., sidomos për tekstet/ligjërimet, me gjetje dhe sprova të rrokshme estetike, moderne dhe postmoderne, të cilat kanë formësuar dhe shpallur tiparet e zhanrit të romanit, në Letërsinë e Sotme Shqipe, pra në materien letrare që më së shumti përkon me shekullin e XXI.
“TEKST DUHET LEXUAR”
Nuk e di, por të thuash se nuk ka letërsi shqipe dhe, njëherësh të ndash çmime letrare me shumicë ky është një problem konceptual, një gjendje absurde krejt e pashpjegueshme, që e sundon skenën letrare, nga burokracia letrare, e mësimdhënësve dhe të punësuarve në institucionet, njëherit e gjoja kulturës dhe shkencës. Shkrimi i letërsisë, është një akt unik, që rijetësohet në procesin e leximit dhe të rileximeve, e duke shkruar të gjithë, me talent dhe pa talent, me njerëz që kanë lidhje logjike dhe estetike me tekstin, dhe me të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje, krijojmë një situatë të rrejshme, sikur është ndër punët, veprimtaritë më të lehta, kinse mbushakohëse e vetmisë. Pra, nëse ne duam që të shkojmë te letërsia e mirë, duhet që ta lexojmë si tekst, sepse duke e lexuar kështu do të kuptojmë nëse ka shumë ujë, ka ujë apo ka edhe estetikë dhe art e kështu me radhë.
Në këtë kuptim, kritika e recensës, kritika e prezantimit, kritika e reagimit ndaj librave cilësorë, kryesisht të sapodalë nga shtypi, pra kritika letrare e mirëfilltë, kryesisht si reagim paraprak ndaj tekstit, tashmë duhet që të shoqërohet me atë që quhet verifikim i vlerave estetike dhe, porse edhe verifikim i heshtjes së mungesave, në tekstet që bartin vlera dhe jo në librat që shkarrashkruhen, sa për të bërë emër dhe famë. Të mos harrojmë përvojën e mjeshtrave të shkrimit, ku do të veçoja një pohim të Ernesto Sabato-s, teksa shprehet: “…vetëdija e njeriut është jokohore: ajo përmban të tashmen, po është një e tashme e mbushur me të shkuarën dhe e ngarkuar me projekte për të ardhmen…”. Kur them te burokracia, kam parasysh burokracinë kulturore dhe letrare, ku megjithatë burokracia nuk sugjeron shijen e saj, por sugjeron paragjykimin e shijes, që në thelb përçon paragjykimin dhe përjashtimin e tjetrit, e të ndryshimit në raport me zyrtaritetin ngulfatës të mendimit ndryshe. Letërsia në kuptimin e mirëfilltë të fjalës e përfshin këtë gjë, duke vijuar kështu vijimin e bashkëjetesës së letrares me jashtëletraren. *Fragment i shkëputur nga libri “Shenja Açka”
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi