Kreu i një bande ndërkombëtare të drogës, arrestohet në Shqipëri 57-vjeçari turk, Nihat Oezbek! Kontrabandonte heroinë nga Irani drejt Evropës
Një shtetas turk u arrestua në Shqipëri në kuadër të një hetimi për një bandë ndërkombëtare droge në Gjermani.
Mësohet se personi që u ndalua nga policia kufitare shqiptare në aeroportin e Tiranës më 23 nëntor është 57-vjeçari Nihat Oezbek.
Sipas DW turk, i arrestuari akuzohet si nxitës i një bande ndërkombëtare që kontrabandonte tonelata heroine nga Irani në vendet e Evropës Perëndimore nëpërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Autoritetet shqiptare do të vendosin nëse personi për të cilin është lëshuar një urdhër-arresti në kuadër të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Dresdenit do të ekstradohet në Gjermani”, shkruan DW në gjuhën turke.
Pas ndalimit në Shqipëri, policia holandeze bastisi shtëpitë dhe vendet e punës së personit dhe të dashurës së tij në Roterdam.
Shtetasi turk akuzohet si përgjegjës për organizimin dhe financimin e transportit të 703 kilogramëve heroinë të sekuestruara në gusht 2022 në portin e Hamburgut në një kontejner ngarkesash detare që mbante sapun.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi