Kredi me zero interes për punonjësit e administratës, ja si do të ndahen! Zbardhet vendimi i qeverisë, cilët do të kenë prioritet dhe kriteret që duhen plotësuar

Kredi me zero interes për punonjësit e administratës, ja si do të ndahen! Zbardhet vendimi i qeverisë, cilët do të kenë prioritet dhe kriteret që duhen plotësuar

BESARTA BASHA/ Zbardhet sistemi i pikëzimit me kriteret mbi bazën e të cilave do të vlerësohen punonjësit e administratës që aplikojnë për të përfituar kredi me interes zero për qind nga programi mbështetës i qeverisë.

Mosha, përvoja e punës në administratë dhe kategoria e pagës do të jenë përcaktuese në renditjen e aplikuesve, duke iu dhënë përparësi atyre që janë më të rinj (jo më shumë se 40 vjeç), mbi një ose dy vite përvojë pune si dhe kategoritë e ulëta të pagave. Për secilin aplikant do të hartohet një sistem pikëzimi sipas kritereve të paraqitura në tabelën përbri shkrimit për secilën kategori dhe do të kalkulohet një renditje finale mbi bazën e të cilës do të përzgjidhen fituesit për aq kuota sa janë në dispozicion.
Përfitues do jenë arsimtarë, mjekë, infermierë, policë, ushtarakë, punonjës të gardës, veterinerë, artistë e të tjerë. Në total janë 300 kuota ose kredi me zero interes, 90 prej të cilave do të jepen për Ministrinë e Brendshme, 90 për Ministrinë e Mbrojtjes, 30 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, 45 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 15 për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
KRITERET
Kushtet e strehimit, kushtet familjare dhe ato ekonomike janë ato që vlerësohen për aplikantët. Pra, ata nuk duhet të disponojnë një banesë, mund ta kenë humbur ose kanë një nën normat e strehimit për të bërë kërkesën. Më tej, sa i takon kushteve familjare, përvoja e punës deri në 7 vjet vlerësohet maksimalisht, e po ashtu edhe ata që janë çifte të reja me moshën jo më të madhe se 40 vjeç apo familje njëprindërore me fëmijë në ngarkim.
Lidhur me kushtet ekonomike, kategoritë më të ulëta pikëzohen më shumë se të tjerat. Kjo lidhet me nivelin maksimal të të ardhurave që duhet të ketë familja e të punësuarit në administratën publike duke iu dhënë përparësi atyre që kanë relativisht të ardhura, por jo të mjaftueshme për të blerë një banesë në kushtet e tregut të lirë. Siç vërehet në tabelat përbri shkrimit, të cilat janë të ngjashme për të gjitha kategoritë kushtet e strehimit përbëjnë 50% të vlerësimit ose gjysmën e pikëve në totalin e sistemit të pikëzimit.
PROCEDURA E APLIKIMIT
I punësuari në administratën publike që plotëson kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të përmendura më lart, fillimisht duhet që të paraqesë kërkesën për kredi të lehtësuar pranë institucionit ku është i punësuar. Do të jetë titullari i institucionit të administratës publike harton listën me të punësuarit e institucionit që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky program i strehimit social, të cilën ia përcjell për miratim ministrit përgjegjës që mbulon institucionin ose Kryeministrisë, brenda kuotave të miratuara në total për këtë program.
Procedurat për paraqitjen e kërkesës, shqyrtimin dhe miratimin e listës së të punësuarve në administratën publike, si dhe dokumentacioni që duhet të paraqesë ai, miratohen me vendim të dytë të Këshillit të Ministrave dhe me propozimin e ministrit përgjegjës për strehimin. Qeveria ka dhënë garancinë për mbulimin e kostos së interesit të kredive si dhe faktin që ato do të jenë të përvitshme. Pas zbardhjes së vendimit pritet hapja e aplikimeve ‘online’ përmes platformës “e-Albania”. Duhet nënvizuar se numri i përfituesve nga kredia e butë vijon të jetë vetëm 300, është disafish më e ulët se numri i nevojave reale që kanë punonjësit e administratës publike.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi