Hyn në fuqi ligji në Gjermani, shqiptarët mund të përfitojnë dyshtetësinë! Përfitimet dhe kushtet që duhen plotësuar
Pasaporta e kuqe me stemën gjermane është e njohur dhe shumë e dëshiruar. Nuk është çudi, kur dihet se qytetarët gjermanë gëzojnë liri pothuajse të pakufizuar udhëtimi, mund të jetojnë dhe punojnë në të gjithë BE-në, kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe mund të zgjedhin lirisht profesionin e tyre.
Rruga për marrjen e kësaj pasaporte tani është thjeshtuar. Ligji i ri i Shtetësisë do të zbatohet në Gjermani nga 27 qershori 2024. Shumë nga rreth 12 milionë të huajt në Gjermani tani mund të aplikojnë për shtetësi gjermane.
1. Rrugë e shpejtë drejt shtetësisë
Pas pesë vitesh qëndrimi të ligjshëm në Gjermani, të huajt mund të aplikojnë për shtetësi gjermane. Kur është fjala për të ashtuquajturat “efektet e veçanta në integrim”, marrja e shtetësisë është e mundur edhe pas tre vjetësh. Këtë mund ta bëjë kushdo që mund të dëshmojë një nivel të lartë të njohurive gjuhësore (niveli C2 apo C1, që nënkupton aftësinë e komunikimit të rrjedhshëm), vullnetarizmi ose performanca veçanërisht e mirë në shkollë ose në punë. Deri tani, të huajt kanë mundur të aplikojnë për shtetësi vetëm pas tetë vjet qëndrimi në vend.
Qeveria gjermane, e përbërë nga socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët, shpreson të rrisë numrin e njerëzve që marrin shtetësi dhe në këtë mënyrë të krijojë stimuj për integrim më të shpejtë. Deri më tani, shkalla e marrjes së shtetësisë gjermane ka qenë e ulët në krahasim me BE-në, por së fundmi është rritur. Opozita, e përbërë nga një pjesë e Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë dhe CDU/CSU-së konservatore, ka frikë se pasaporta gjermane tani mund të bëhet një “plehrë”.
2. Të ardhura të nevojshme
Parakushtet e mëparshme për marrjen e shtetësisë gjermane mbeten në fuqi. Prandaj, kushdo që dëshiron të marrë nënshtetësinë gjermane duhet të jetë ende në gjendje të mbajë veten, pra të ketë të ardhura të mjaftueshme financiare. Këtu rregullat madje do të shtrëngohen, kështu që ata me të ardhura të ulëta do ta kenë më të vështirë në të ardhmen të marrin shtetësinë gjermane.
3. Nuk ka pasaportë për racistët dhe antisemitët
Respektimi dhe sjellja sipas rendit themelor të lirë demokratik të parashikuar me Kushtetutë është tani i detyrueshëm për të gjithë aplikantët për shtetësi gjermane.
Kjo në mënyrë specifike do të thotë se pasaportën gjermane nuk mund të marrin personat me qëndrime antisemite, raciste ose të tjera antihumane. Shtetësinë gjermane nuk mund të marrin as ata që nuk i respektojnë të drejtat e barabarta mes burrave dhe grave ose jetojnë në bashkësi poligame.
4. Përgjegjësia e Gjermanisë që buron nga historia
Në të ardhmen do të ketë gjithashtu një përkushtim ndaj përgjegjësisë së veçantë historike të Gjermanisë. Gjatë epokës naziste, Gjermania filloi Luftën e Dytë Botërore duke sulmuar Poloninë dhe vrau rreth gjashtë milionë hebrenj evropianë si pjesë e gjenocidit të organizuar nga shteti.
Për këtë arsye, ata që marrin nënshtetësinë gjermane do duhet të deklarohen kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetës hebreje dhe ndalimin e zhvillimit të një lufte agresioni. Kushdo që nuk e ndan këtë pikëpamje, nuk mund të marrë dokumentat gjermane. Prandaj, katalogu i pyetjeve për provimin pranues do duhet të rregullohet.
5. Pasaporta gjermane që i nënshtrohet revokimit
Ata që kanë gënjyer gjatë procesit të marrjes së shtetësisë mund të humbasin shtetësinë gjermane brenda dhjetë vjetësh. Kështu ka qenë deri tani. Ndërsa tani, kushdo që nuk e ka kuptuar seriozisht angazhimin dhe përgjegjësinë historike të Gjermanisë do të humbasë pasaportën gjermane – për shembull nëse përhapë mesazhe të urrejtjes antisemite.
6. Shtetësia e dyfishtë për të gjithë
Ata që dëshirojnë të bëhen gjermanë prej tani nuk duhet të heqin dorë nga shtetësia e mëparshme. Kjo do të thotë se shtetësia e shumëfishtë është e mundur për të gjithë migrantët. Më parë, ishte menduar vetëm për shtetasit e vendeve të BE-së.
Në këtë mënyrë, qeveria gjermane dëshiron t’ua lehtësojë pozitën njerëzve që kanë ndjenja të ngushta me vendin e tyre të origjinës. Qeveria e arsyeton këtë vendim me qëndrimin se faktorë të tillë si njohja e gjuhës, arsimi dhe përkushtimi ndaj demokracisë janë më të rëndësishëm për integrimin sesa një pasaportë tjetër.
7. Përfitimet për punëtorët mysafir (gastarbeiter) dhe punëtorët me kontratë në RDGJ
Rregulla më pak të rrepta zbatohen për njerëzit nga gjenerata e të ashtuquajturve punëtorë mysafirë që erdhën në Gjermaninë Perëndimore midis 1955 dhe 1972, si dhe për “punëtorët me kontratë” të RDGJ-së në Gjermaninë Lindore. Kjo është për të nderuar kontributin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e Gjermanisë.
Për këta persona si dëshmi e njohjes së gjuhës, mjafton të komunikosh lehtësisht në gjermanisht në jetën e përditshme. Përveç kësaj, ata nuk duhet të bëjnë testin e shtetësisë (Leben in Deutschland).
8. Fëmijët mund të bëhen gjermanë më shpejt
Fëmijët e prindërve të huaj marrin nënshtetësinë gjermane nëse njëri prind ka banuar ligjërisht në Gjermani për më shumë se pesë vjet. Më parë, kjo ishte e mundur vetëm pas tetë vjetësh. Sipas studimeve, fëmijët me rrënjë të huaja janë më të suksesshëm në shkollë dhe në punë sa më herët të marrin nënshtetësinë gjermane.
Megjithatë, rregullorja e re nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Kjo do të thotë se do të përfitojnë vetëm fëmijët e lindur pas 27 qershorit 2024./DW
Burimi