Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin mbi tatimin për profesionet e lira: Norma 15% nuk është e përshtatshme

Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin mbi tatimin për profesionet e lira: Norma 15% nuk është e përshtatshme

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë ligjin e qeverisë për tatimet për profesionet e lira. Vendimi u mor sot (27 qershor) me votën e shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë publike nga kryetarja Holta Zaçaj.

Në një komunikim për mediat, Zaçaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën dhe rrëzoi tatimin me 15% për profesionet e lira.
“Është rrëzuar, pranimi i pjesshëm i kërkesës do të thotë që është pranuar kërkimi dhe është shfuqizuar neni që e bënte të aplikueshëm normën e tatueshme prej 15% për profesionet e lira”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese kur u pyet nga gazetaret.
Sipas kryetares së GJK, tatimi 15% për profesionet e lira filloi të zbatohej pa i dhënë kohë të mjaftueshme të përshtateshin me skemën e re tatimore.
“Ndonëse ligji ka hyrë në fuqi më 18 maj 2023 dhe i shtrinte efektet nga data 1 janar 2024, lista analitike hyri në fuqi më 23 dhjetor 2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efektit të ligjit. Gjithashtu Gjykata vlerëson se norma e fitimit prej 15 % së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatim paguesve”, tha kryetarja e GJK.
“Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës  dhe shfuqizimin e nenit 69 pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/ 2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore”, lexoi vendimin Zaçaj.
Gjykata Kushtetuese argumenton se kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.
Vendimi nga Gjykata Kushtetuese u dha pas 2 ditësh të përfundimit të shqyrtimit të çështjes.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është paditur 4 herë në Kushtetuese. Shqyrtimi i 3 padive së bashku, e grupit parlamentar të PD-së, të IKM dhe IEKA-s dhe Dhomës Kombëtare të Avokatëve nisi më 18 Qershor dhe përfundoi më seancën e dytë të zhvilluar më 25 Qershor ku u dëgjuan edhe konkluzionet përfundimtare të palëve.
Çfarë parashikon ligji?
Zbatimi i ligjit me llogaritjet e këstit të parapagimit të tatimit shkaktoi debate te bizneset e profesioneve të lira, të cilën e konsideruan zbatimin e tij jokorrekt.
Në ligj parashikohet se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri 10,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të ardhurave vjetore. Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.
Ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pa mbajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira, duke përfshirë 180 profesione. Po në muajin dhjetor, për shkak të mosarritjes së realizimit të formularit të ri të deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve, hyri në fuqi Akti Normativ që përcaktonte se deklarimet do të bëhen me modelin e vjetër të formularit, por profesionet e lira, do të tatohen sipas normave të reja tatimore që nisën zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
<a class=”source-link” href=”http://www.panorama.com.al/lajm-i-fundit-gjykata-kushtetuese-rrezon-ligjin-per-tatimin-per-profesionet-e-lira/”>Burimi</a>