Fjalori i madh i gjuhës shqipe, apo fjalori i madh i standardit të shqipes…

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, apo fjalori i madh i standardit të shqipes…

PROF. ASOC. ALBANA DEDA
Me datë 21 dhe 22 nëntor 2024 është mbajtur në Tiranë Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe “Sfidat e gjuhës shqipe në shek XXI”. Natyrisht që publiku i gjerë është njohur gjerësisht me të, madje nëpërmjet një pasqyrimi televiziv të zgjeruar, duke dhënë direkt edhe fjalimet e një pjese referuesish.
Gjykojmë se ajo që përbën lajm, në lidhje me këtë aktivitet, është pikërisht fakti se në të duhej të prezantohej fjalori i madh i gjuhës shqipe (i riu). Kemi parasysh se çdo herë që kemi vepra të tilla, interesi është i madh, jo vetëm nga ambienti shkencor, po edhe publiku i gjerë, pasi ato presupozohet të jenë në funksion të dy palëve. Kjo dhe për faktin se në fusha si këto tonat, produkte të tilla kanë vlerë, jo vetëm shkencore dhe referuese, po duhet të jenë dëshmi e pjesës aktive përdorimore të korpusit leksikor të kodit tonë (e pse jo, pjesërisht edhe atij morfo-sintaksor, nëpërmjet anotimeve morfologjike dhe ilustrimeve me konstrukte të niveleve të ndryshme).
Gjithashtu, fjalorë të tillë presupozohet të jenë korpuse referuese në hartimin e teksteve parauniversitare të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ato janë pjesë e domosdoshme e konsultimit në nivel redaktorial, përkthimor etj.
Në nivel institucional-zyrtar, vepra të tilla janë dëshmi e seriozitetit, me të cilin një klasë politike vlerëson një ndër simbolet kryesore të kombit tonë, nëpërmjet projekteve që financohen nga ajo.
Për të gjitha arsyet e përmendura më lart, është e pritshme që interesi duhet të jetë i lartë (dhe ka qenë i tillë).
Fjalori u prezantua ditën e dytë të Kuvendit, me datë 22 nëntor, dhe u paraqit nga bashkautori i projektit, kordinatorja kryesore e tij dhe një nga bashkëpunëtoret, që është marrë me pjesën kompjuterike të instalimit të korpusit online. Auditorit të ftuar nuk iu ofrua ndonjë material i printuar në lidhje me prezantimet e referuesve të mësipërm (të paktën materiali që u shfaq me power point atë ditë), pavarësisht se u pohua se “…faza e parë, themelore e hartimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe është realizuar me sukses”.
Në këto kushte, menduam të presim konsultimin e fjalorit në variantin online, po hartuesit e tij u shprehën se do të duheshin edhe disa muaj, sa të bëheshin redaktimet e fundit, që varianti përfundimtar të shkarkohej në internet.
Gjithsesi, nga prezantimi i bërë nga kordinatorja e projektit marrim vesh diçka nga mënyra se si është organizuar puna për hartimin e fjalorit.
Interesi më i madh është për parimet që kanë udhëhequr punën e përzgjedhjes së lemave/fjalëve (kurse për mënyrën se si janë strukturuar kuptimet dhe si janë bërë përcaktimet kategoriale, duhet pritur botimi i komplet materialit). Në këtë kontekst hartuesit na ofrojnë një grup parimesh, në të cilat kryesojnë këto tri të parat:
-koncepti, teoria e gjendja e gjuhës standarde, e përditësuar me vështrimin e ri për standardet gjuhësore dhe për shqipen sot;-koncepti, teoria e normës gjuhësore;-koncepti për shtresat leksikore, veçanërisht leksikun krahinor
Edhe një lexues i thjeshtë mund ta kuptojë nga parimet e mësipërme se baza e hartimit të fjalorit do të jetë varianti standard i shqipes.
Një grup pyetjesh dalin, duke lexuar këto parime:
Nëse baza qenka standardi dhe parimet e tij, pse nuk quhet fjalori “Fjalor i madh i standardit” (Nuk besoj se hartuesit e tij barazojnë kodin e shqipes me një invariant të tij akoma edhe sot?!)?
Po edhe nëse është kështu, ku gjendet një korpus semantiko-sintaksor i standardit (tip frame-net), në mënyrë që të hulumtohet gjendja e tij?
Cili është vështrimi i ri për standardet gjuhësore dhe për shqipen sot dhe a mund të përdoren të njëjtat kritere në lidhje me to? E në lidhje me këtë, çfarë korpusesh semantiko-strukturore ofrohen për shqipen sot? Nëse e kanë fjalën për korpuse studimore, për cilat e kanë fjalën?
Edhe parimi i dytë është pikërisht i lidhur me standardin dhe normën e tij.
Kurse parimi i tretë, sipas nesh, ka një kontradiktë, pasi po qe se merret standardi si modeli i ndërtimit të Fjalorit, automatikisht është përjashtuar dialekti (në disa nivele, p.sh. në nivel fonetik, nëse kemi parasysh parimin e shkrimit të shqipes standarde: siç dëgjohet, ashtu dhe shkruhet; në nivel morfo-sintaksor, ku kemi parasysh konstrukte të larmishme të korpusit dialektor, që nuk janë përfshirë në standard etj.).
Pavarësisht logjikës së mësipërme, edhe në pjesën që flet për karakterin normativ pohohet i njëjti fakt, pra që në fund të fundit kemi një fjalor me synime të qarta njësuese, me bazë standardin. (9. Karakteri normativ “Fjalori u realizua si një vepër normative, sepse pasuria leksikore në të [fjalë, kuptime, njësi frazeologjike, sintagmatika ilustruese etj.] lidhet me shqipen e njësuar.”).
Karakteri preskriptiv i këtyre parimeve arrin deri aty, saqë hartuesit i japin atribut vetes që në funksion të ”karakterit informues” të promovojnë ”fjalë, shprehje, kuptime që sjellin pasurim”, pavarësisht se kush i ka sjellë, ku janë marrë dhe mbi të gjitha sa denduri përdorimi kanë ato (“Fjalori nuk u mbyll dyert fjalëve, shprehjeve e kuptimeve që sjellin pasurim ose rritin funksionimin informues të tij, shumë të tjera i hedh në qarkullim të konkurrojnë lirisht e të provohen realisht në truallin e përdorimit të gjallë ligjërimor, pavarësisht nga burimi krahinor, nga krijuesi , nga mosha e tyre, nga shtresa sociale a fusha e përdorimit etj.pa qenë fjalor dialektor, historik, neologjik etj.”).
Ka disa çështje që lindin sërish më tej: A ka pasur kritere në përzgjedhjen e fjalëve të tilla si të paktën matja e frekuencës së tyre, qoftë ajo edhe në tekstet që kanë në bazë standardin? Me sa duket jo, përderisa merret iniciativa të sugjerohen fjalë, që lihen në periudhë prove. Në traditën botërore leksikografike përditësimet, futjet e fjalëve të reja në fjalorë, bëhen zakonisht, pasi verifikohet ngulitja e njësisë.
Çështja tjetër ka të bëjë me burimin e lemave të paraqitura në fjalor. Me sa dimë ne standardi është i detyrueshëm në sistem ekzekutiv, legjislativ dhe sistem shkollor, ndaj dhe fusha e burimi i lemave/fjalëve është i përcaktuar dhe i kufizuar.
Atëherë, burimet e parashikuara më lart dëshmojnë për mungesë zbatimi të parimit kryesor, që ka të bëjë me mbështetjen në standard, pra në tekstet ekzistuese të tij, me njësi që kanë frekuencë përdorimi?
Apo në rastin më të keq, ky parim po mundohet të asimilojë variantet e tjera të shqipes, dialektet, të folmet, zhargonet etj., duke i futur në korpusin e standardit me kostumin që do ai, ose, duke i përjashtuar ato e duke i çuar drejt paragjykimit të tyre si njësi jokorrekte?
Gjykojmë se, nëse kemi të bëjmë me një fjalor që ka në bazë standardin si ky, burimet e hulumtimit duhet të jenë të përcaktuara dhe janë më të lehta për t’u evidentuar. Ato nuk mund të përfshijnë tekste letrare, tekste dialektore, zhargone etj., pasi këto të fundit duhet të kenë korpuset e tyre burimore dhe fjalorët përkatës.
Në këtë kontekst, të bën përshtypje aty seksioni i fondit dialektologjik, jo për emrin e drejtuesit të tij, që është një specialist i njohur i fushës, po për faktin se nuk jepet asnjë e dhënë, nëse ka pasur mbledhje të reja në terren, apo verifikim të korpusit ekzistues që është mbledhur para viteve 90. Kemi parasysh se këto mbledhje, pra ato që janë mbledhur para 90- tës kanë pasur problematikat e veta që kanë të bëjnë me faktin se ato përfaqësojnë mbledhje kryesisht të aspektit leksikor. Po kështu, mënyra se si janë mbledhur, nga kush janë mbledhur dhe ku janë mbledhur ka shumë diskutime, pasi ka areale që nuk kanë pasur as një numër të mjaftueshëm mbledhjesh, që të verifikohen në zonat, ku janë përfshirë në Atlasin Dialektologjik (për këto probleme jemi shprehur edhe më herët në një shkrim tonin në një të përditshme të kohës: https:// www.panorama.com.al/le-te-kujtojme-porosine-e-cabejt-perstandardin/).
Gjithsesi, nëse ka pasur mbledhje të reja, mbi çfarë pyetësori janë realizuar ato? Cilat kanë qenë fushat tematike, mbi të cilat janë organizuar pyetësorët përkatës?
Kujtojmë se në bazë të standardit qëndron parimi fonetik, pra fjalët siç shqiptohen, ashtu dhe shkruhen. Ka pasur jo pak studiues edhe para viteve 90, po sidomos pas viteve 90 (edhe ne kemi disa artikuj në lidhje me ketë çështje), që pohojnë faktin se pavarësisht këtij parimi të pranuar, rregullat drejtshkrimore të hartuara në lidhje me të në jo pak raste e injorojnë atë, ose më mirë nuk e respektojnë atë.
Po kështu, dihen problemet e ngritura në lidhje me ë-në fundorë, me ë-në mbështetëse, përdorimi i c-së në fjalët me bazë latine etj., të cilat nuk shqiptohen nga përdoruesi i zakonshëm dhe nuk reflektohen në shkrim në shumë raste. Këto probleme janë ilustruar me të dhëna statistikore, që lidhen me tekste të shkruara (qofshin këto pyetësorë të plotësuar), po mendoni se çfarë ndodh me ligjërimin e folur.
Tani nuk e kuptojmë se si, nga një anë, pranohet se baza e hartimit të Fjalorit do të jetë standardi, pastaj pranohet përdorimi edhe i fondit dialektor e, nga ana tjetër, ky i fundit do të standardizohet në shqiptim?!
Nëse fjalët e këtyre teksteve dialektore, që janë përdorur si burim, do të lihen realisht ashtu siç shqiptohen, edhe të shkruhen (siç thotë parimi kryesor i standardit), atëherë ato do të ishin në dialekt e jo në standard.
Po marrim një shembull që u dha në prezantim. Bëhet fjalë për foljen ”mrrudh”. Kjo fjalë është dialektore dhe po të standardizohej do të dilte një njësi, që nuk përdoret: ose mërrudh, ose mrrudhë. Atëherë për çfarë standardizimi e kanë fjalën (Gjithsesi do presim e do shohim të gjitha rastet, kur fjalori të jete online).
U tha dikund se është shfrytëzuar si burim edhe Fjalori i Mehmet Elezit, një fjalor dialektor dhe jo vetëm, për të cilin është diskutuar shumë në rrethet tona. Për këtë fakt u çudita, kur e dëgjova se është përdorur si burim, pasi u kujtova se vetë bashkautori i projektit të Fjalorit të madh të shqipes është shprehur kështu për të: ”Për nga pasuria që shpërfaq, Fjalori i gjuhës shqipe M. Elezit, mund të quhet një lloj enciklopedie e kulturës popullore shqiptare, sepse jo vetëm fjalët, frazeologjia, kuptimet, nuancat kuptimore, por dhe thëniet, shembujt ilustrues etj., nga krijimtaria e popullit tonë në shekuj janë vjelë me këmbëngulje, me kujdes, me pasion e me aftësi. Shtrirja e kësaj pasurie është njëherazi horizontale, gjeografike, duke sjellë lëndë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe vertikale, historike, duke dhënë shembuj që nga autorët e vjetër të shekullit XVI e deri në ditët tona.” (https://albanica.al/studime_filologjike/article/view/ 4213/4290).
Nga ky pohim, vëmë re se, sipas autorit, korpusi i këtij fjalori qenka përgjithësisht pjesë e korpusit letrar, etnologjik, pra një lloj ”enciklopedie kulturore”, siç shprehet vetë ai, në të cilin ndërthuren edhe sinkronia edhe diakronia. I bie që, të paktën, një pjesë e tij nuk është pjesë e fondit aktiv dhe, nga ana tjetër, nuk thuhet kund, nëse ka pasur ndonjë verifikim frekuence nga autori i hartimit të fjalorit në fjalë. Atëherë, cilat fjalë janë gjykuar si të vlefshme për t’u inkuadruar nga ky fjalor e mbi çfarë kriteresh është bërë kjo?
Lidhur me argumentin paraprirës, por edhe duke iu referuar prezantimit të fjalorit të madh të shqipes, morëm vesh se si korpus janë shfrytëzuar veprat e disa shkrimtarëve, nga të cilat janë vjelë fjalë të caktuara që “janë gjykuar si të vlefshme” për shqipen (Hartueset e fjalorit të ri: Ka 120 mijë fjalë. Ja shkronja më e përdorur në gjuhën shqipe). Nga këto të dhëna mund të ngremë disa pyetje:
Së pari: Cilët kanë qenë kriteret e përcaktimit si “të vlefshme” të fjalëve të një korpusi letrar, kur dihet se ato janë pjesë e konstrukteve jo të ligjërimit të zakonshëm, po në radhë të parë të përpunimit stilistik të secilit autor më vete? Së dyti: Si është bërë verifikimi i tyre, nëse këto lema përdoren nga përdoruesi i madh i shqipes, kur kemi parasysh debatet e mëdha në lidhje me faktin se sa pak po i konsulton këto vepra ai (më thjesht: sa pak po lexohet sot)?
Atëherë i bie që këto janë përzgjedhje informale-subjektive dhe me synim normativ.
Në disa intervista autorët pohojnë se “Ne, kur kemi parë një fjalë, që na ka pëlqyer, e kemi futur”, po pa sqaruar kriteret se pse është përzgjedhur si e tillë e mbi të gjitha a është bërë verifikimi në korpus ligjërimor i frekuencës së përdorimit (kujtojmë se nuk ekziston deri më tani një korpus ligjërimor i botuar a online). E këtë kriter, me sa duket, e kanë zbatuar edhe në lidhje me përzgjedhjet në tekstet letrare të shkrimtarëve të caktuar.
Theksojmë se korpuset letrare të një shkrimtari, në radhë të parë, janë pjesë e studimit stilistik të tij dhe, nëse identifikohen, bëhen pikërisht për arsye stilistike.
Nga ana tjetër, një fjalë e caktuar e shkëputur nga një konstrukt i një teksti letrar mund të jetë pjesë e ndërtimit figurativ të tij. Në këtë kontekst, shumë prej këtyre njësive nuk kanë frekuencë përdorimi, kështu që ato mund të ishin pjesë fjalorësh stilistikë (këta më shumë dalin me konstrukte, jo thjesht si leksik), po jo pjesë fjalorësh të një tipologjie si ky që kemi në diskutim.
Nëse synimi ka qenë normativizimi për arsye të vlerave të tyre estetike (edhe këto duhen diskutuar, kur të kemi fjalorin komplet në dorë), kjo bie ndesh gjithsesi me prirjen e qenies njerëzore në përvetësimin e L1 (gjuhës amtare) dhe L2 (gjuhës së huaj), pasi përdoruesi e merr e përthith një njësi të caktuar në konstrukt, bashkë me vlerat e drejtpërdrejta semantike, ato metaforike e metonimike dhe jo thjesht si fjalë më vete. E mbi të gjitha janë disa faktorë që ndikojnë në ngulitjen e tyre. Një prej të cilëve është edhe denduria e përdorimit ose frekuenca (Kemi parë edhe herë të tjera eksperimente veçanërisht në fushën e terminologjisë, ku janë sugjeruar lema të përkthyera p.sh. termat që lidhen me kompjuterin, internetin etj., po realiteti dëshmon se nuk kanë pasur sukses dhe përdoruesi vazhdon të përdorë termat në anglisht).
Le të shohim konkretisht një shembull. E kemi fjalën për foljen ”bujaroj” që u mor si shembull gjatë prezantimit, madje dhe si rast tipik, ku janë zgjeruar kuptimet e kësaj fjale në krahasim me fjalorin e 80-ës.
Nëse shikon fjalinë e marrë për të ilustruar kuptimin e parë të foljes (Poezia të bujaron shpirtin.), vë re se në fakt ajo është në konstruktin një metafore komplekse (më saktë është pjesë e domenit të burimit: Poezia është njeri/Njeriu është bujar). Kemi të bëjmë me një kuptim komplet metaforik letrar (as metaforë konceptuale e zakonshme, po metaforë komplekse individuale, pra që i përket krijimit të një individi të caktuar), që nuk ka denduri përdorimi e, sipas nesh, është e destinuar të jetë pasive. Atëherë mbi çfarë baze është bërë përzgjedhja e saj? (Me interes për t’u parë do të jenë veçanërisht lemat e marra nga arbërishtja për përdoruesin e sotëm të shqipes.)
Po kështu, edhe kuptimet e reja të lemës “bujaroj”, për të cilat flitet që janë shtuar, sipas nesh, nuk janë të nevojshme, pasi në to thjesht del forma joveprore e foljes, po nuk ndryshon valenca semantike, pra rolet semantike përkatëse e si rrjedhim nuk kemi një kuptim të ri, që të kishte interes për përdoruesin, në mënyrë që të identifikohej në fjalor (bëj bujar /fisnikëroj-fisnikërohem).
Tendenca e shfrytëzimit të korpuseve letrare, për ne ka dhe një problem tjetër. Ajo na sjell ndër mend periudhën e diktaturës dhe frymën e imponimit të standardit edhe në procesin e krijimit letrar, deri aty sa edhe mbiemri “letrar” që në përgjithësi duhej t’i referohej letërsisë, u kodifikua në konstruktin gjuhë letrare=standard.
Gjithsesi, prodhimtaria letrare pas viteve 90-të vërtetoi se një imponim i tillë ishte antishkencor dhe binte ndesh me parimet e procesit të krijimit letrar, që në fund të fundit është produkt konceptual, koheziv e imazhor i një individi të caktuar.
Në këtë kontekst, mendojmë se është më mirë të gjejmë mënyra se si përdoruesi i madh i shqipes të shkojë te teksti letrar direkt dhe t’i përthithë fjalët në konstruktin, ku ato inkuadrohen e me vlerat individuale stilistike, sesa duke sugjeruar fjalë të shkëputura, duke u humbur atyre peshën e tyre konceptuale, figurative e estetike.
Nga ana tjetër, pavarësisht se pranohet se Fjalori nuk është fjalor ligjërimor, vihet re se në kuadrin e sugjerimeve, sipas nesh, janë futur edhe fjalë nga ai. E kemi fjalën për njësinë ”çokokrem”, e cila nuk është pjesë e stilit libror, as atij letrar, as atij dialektor, as atij drejtshkrimor, as atij etimologjik, as atij arsimor.
Është pjesë e korpusit ligjërimor, për të cilin nuk ka korpus të mbledhur për të parë frekuencën e përdorimit (Fare mirë mund të themi se duhej përgjithësuar edhe lema “nutela”, se fëmijët nuk kanë ngrënë vetëm çokokrem, po edhe nutela, madje këto lema kanë markues edhe sociolinguistikë e pragmatikë të caktuar).
Atëherë i bie që përzgjedhja paska qenë informale -subjektive dhe nuk është pjesë e korpuseve të shkruara të standardit në përgjithësi.
Në përfundim të kësaj analize (që do të ndiqet nga një më e hollësishme, kur të dalë realisht Fjalori), shtrohet sërish pyetja: A është ky fjalori i madh i gjuhës shqipe, apo fjalori i madh i standardit të shqipes (edhe ky me dyshime), me synime normative të qarta, jo vetëm në tekstet që duhet ta kenë atë normë, po duke e zgjeruar rrezen e tij (çuditërisht) edhe në letërsi, dialekte, e ligjërim?!…
Duke pasur parasysh funksionin e fjalorëve të tillë, duhet të kujtojmë se procesi i përvetësimit të një gjuhë (linguistic acquisition), si kur ajo është gjuhë amtare, si kur ajo është gjuhë e huaj, sot në botë është studiuar nga pikëpamja psikolinguistike (edhe neurolinguistike). Këto studime vërtetojnë se përvetësimi i një kodi të caktuar është një proces konjitiv në radhë të parë (p.sh. Goldberg 1995; Pickering 2006 flasin për ”realitetin psikologjik të konstrukteve në gjuhën e folësve amtare”).
Kështu, qenia njerëzore e merr njësinë e re si përmbajtje dhe si formë njëkohësisht (“të gjitha aspektet nga krijimi /shpikja e fjalëve të reja deri në thënien e fjalive të plota mbetet një proces konjitiv qendror: të menduarit simbolik, që do të thotë aftësia jonë që në mënyrë arbitrare të magazinojmë çifte/ çiftime të formës dhe kuptimit (pairings of form and meaning” , Hoffmamm 2022, 1).
Këto çiftime dalin në trajtën e konstrukteve të niveleve të ndryshme, të cilat nguliten si të tilla në databeizin konjitiv të përdoruesit të gjerë në bazë të spikatjes/dukshmërisë së tyre (salience), dendurisë së përdorimit (frequency), rëndësisë së të kuptuarit të tyre në komunikim, karakterit prototipik të tyre etj. etj.
Të dhëna të tilla deduktojnë se, pavarësisht shtretërve të Prokustëve, që do ndërtojmë ne, me qëllim (larg qoftë), a pa qëllim (edhe kjo nuk duhet të ndodhë sot, kur janë të gjitha mundësitë e konsultimit dhe aplikimit të metodologjive shkencore më koherente), përsëri shqipja do të përshkojë shtratin që do të hapin përdoruesit e tij.
Autorja: Departamenti i Gjuhësisë Fakulteti Histori-Filologji Universiteti i Tiranës
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente