
Ekspozita/ Fakte të panjohura mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip! Nga Fishta te Lef Nosi e Gjergj Dako, kush u godit nga diktatura
Në Prishtinë u hap dje ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha, tha se përmes kësaj ekspozite paraqiten pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, raportoi “KosovaPress”.
“Nëpërmjet kësaj ekspozite, ne sjellim në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë sonë, një trashëgimi të çmuar që na kujton vlerat e lirisë dhe identitetit kombëtar. Historia e alfabetit shqip është e lidhur ngushtë me përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e arsimit shqip. Hartuesit e tij, përballë presioneve dhe ndëshkimeve të rënda, nuk u tërhoqën nga ideali i një kombi të arsimuar dhe të lirë. Kjo ekspozitë, përmes dokumenteve, fotografive dhe dëshmive autentike, paraqet sakrificat dhe qëndresën e tyre, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe historike”,- tha Berisha.
Pjesë e hapjes së kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili tha se kjo ekspozitë është një përpjekje për të mos i harruar sakrificat e hartuesve të alfabetit shqip. Ambasadori Petrit Malaj, e cilësoi ekspozitën si një akt të rëndësishëm për pasqyrimin e së kaluarës dhe formësimin kombëtar. Ai theksoi se është detyrë morale dhe kombëtare të kujtohen figurat që kontribuuan në gjuhën shqipe dhe të mbrohen të vërtetat historike. “”Është privilegj dhe përgjegjësi politike të marrim pjesë në këtë ekspozitë të veçantë, e cila pasqyron të kaluarën e errët dhe formësimin tonë kombëtar.
Atyre u mohua atdhedashuria, orientimi perëndimor dhe patriotizmi për të pasur një gjuhë të përbashkët, vetëm sepse politikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin komunist. Është një përpjekje e rëndësishme për ata që kontribuuan në gjuhën shqipe dhe që sot na bashkon. Kjo ekspozitë jep një mesazh të qartë që kurrë të mos ndalojmë së kërkuari të vërtetat tona historike. Për ne si komb, është detyrë morale dhe kombëtare të kujtojmë këto figura të shquara. Këto ngjarje do të shërbejnë si reflektim dhe mbrojtje e demokracisë dhe lirisë”,-tha ai.
DOKUMENTIMI
Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Çelo Hoxha, theksoi se kanë dokumentuar persekutimin e 46 mijë viktimave të komunizmit dhe kanë botuar një vepër 12-vëllimshme. Ai theksoi rëndësinë e informimit publik për zbardhjen e historisë. “Ky institut funksionon prej 15 vitesh.
Deri tani kemi arritur të evidentojmë viktimat e regjimit komunist dhe për këtë kemi botuar një vepër të plotë me 12 vëllime, ku kemi dokumentuar mënyrën e persekutimit të 46 mijë personave. Një pjesë e punës sonë është edhe informimi i publikut dhe brezit të ri. Qëllimi ynë është të studiojmë historinë e Partisë Komuniste, lidhjet që ajo kishte dhe kujt i shërbente. Partia Komuniste, ndonëse pretendonte se i shërbente kombit shqiptar, në fakt, dëmtonte ekonominë dhe popullin shqiptar.
Regjimet komuniste bashkëpunuan edhe në Kosovë dhe interesi ynë është të zbardhim këto histori, ndaj dhe po bëhet kjo marrëveshje. Shpresojmë të arrijmë diçka dhe bashkëpunimi të jetë i mbarë”, tha Hoxha. Specialistja e Edukimit në ISKK, koordinatorja Dorina Daiu, që ka kuruar këtë ekspozitë, ka mundur të mbledhë dokumente të rëndësishme për disa prej figurave të shquara të Kongresit të Alfabetit, si At Gjergj Fishta, Gjergj Kristo Dako, Mitat Frashëri, Sotir Peci, Gaço Çilka e Lef Nosi, të cilët sakrifikuan për identitetin dhe kulturën tonë, por që u përndoqën egërsisht nga regjimi komunist. Këto dokumente dhe rrëfime, të ekspozuara për herë të parë, janë fillimi i një sage ekspozitash që do vijojë me fatin e pjesëmarrësve në Shpalljen e Pavarësisë dhe të Kongresit të Lushnjës, duke ndërtuar kështu një panoramë të fatit të atyre që hodhën themelet e shtetit dhe Alfabetit. “Ne duam që çdokush të kuptojë- kujt i interesonte të shkatërrohej elita kulturore dhe ekonomike e shqiptarëve”, u shpreh Drejtori ekzekutiv i ISKK, Çelo Hoxha.
PERSEKUTIMI
Ekspozita u hap në hollin e Institutit Albanologjik është prezantuar më parë në Shqipëri si dhe në Manastir të Maqedonisë së Veriut, me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit. Gjatë ekspozitës janë prezantuar fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre. Aty janë shfaqur edhe disa dokumente, nga të cilat patën qasje shumë të vështirë për t’i marrë.
Më 28-30 janar 2025 ekspozita shkoi edhe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Ekspozita paraqet dokumente, dëshmi dhe dosje hetimore gjyqësore që shfaqen për herë të parë për publikun. Kjo ekspozitë synon një formë të veçantë edukative për mësuesit, të rinjtë dhe nxënësit për të njohur të vërtetën e së shkuarës së atyre që kontribuuan për gjuhën dhe historinë e Shqipërisë, por që shumë prej tyre, gjatë diktaturës, u shpërblyen me persekutime dhe harresë. Mes dokumenteve të ekspozuara ishte edhe letra e Margaret Hasluk, (anglezja e Elbasanit) mikja më e mirë e Lef Nosit që i dërgo udhëheqësit të kohës, Enver Hoxhës që të dalë dëshmitare në gjyqin e mikut të saj dhe që t’ia falte jetën. “Jam gati me uprezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë”, – shkruan Margaret Hasluck në letrën për Enverin.
Margaret Masson Hardie Hasluck ishte një etnologe, gjuhëtare, epigrafe, arkeologe dhe dijetare skoceze. Gjithashtu, në dokumente. Pavarësisht kësaj, Lef Nosi u dënua me vdekje në vitin 1946. Pothuajse i njëjti fat e ndoqi edhe Gjergj Kristo Dakon. Djali i vogël i patriotëve Kristo Dako dhe Sevasti Qiriazi, arrestohet më 15 mars 1947.
Pas dy vjet torturash, vdiq në hetuesi. Ishte i martuar me italianen Maria Fiorelli. Komisioni i ngritur pranë DAB, për vërtetimin e kohës së vuajtjes së dënimit me heqje lirie, të faktit të vdekjes së personit në burg pa qenë i dënuar dhe të pushkatuarve pa gjyq, vendosi, më 27 maj 1994, njohjen e «vuajtjes së dënimit për motive politike», me burg, nga 15 mars 1947 deri më 18 shkurt 1949. Vdiq në hetuesinë e Tiranës, më 18 shkurt 1949, dhe trupi i tij nuk iu kthye së ëmës për ta varrosur.
HISTORIA
Alfabeti Shqip u unifikua 112 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave, duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres. Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festohet çdo vit më 22 nëntor, për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve: Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Kjo ditë përfaqëson momentin e unifikimit kulturor të shqiptarëve dhe Kongresi u mbajt në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut), në shtëpinë e Fehim Zavalanit, që sot është shndërruar në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe [5]. Në këtë kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata të ndryshme të shqiptarëve, si dhe 18 vëzhgues. Delegatët përfaqësonin klube patriotike dhe intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetar i Kongresit ishte Mid’hat Frasheri, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi.
Ndër delegatët e tjerë të shquar ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi (gruaja e vetme pjesëmarrëse), dhe Fehim Zavalani. Në fjalimin e hapjes, u theksua rëndësia e krijimit të një alfabeti unik për të unifikuar gjuhën shqipe dhe për të ndihmuar në përhapjen e arsimit kombëtar. Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, duke bërë disa ndryshime për të reflektuar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një akt thelbësor për të përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdoreshin më parë në zona të ndryshme.
Alfabeti i njësuar luajti një rol kyç në përhapjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e literaturës kombëtare, duke ndihmuar në krijimin e një platforme për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim shërbeu si bazë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare atë vit.
Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit, ku ekspozohen rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve të Kongresit, si dhe 230 dokumente historike në formë digjitale dhe fizike. Kjo është një qendër simbolike për shqiptarët, e cila vizitohet nga studiues, historianë dhe qytetarë të zakonshëm.
Kongresi i Manastirit dhe vendimi për një alfabet të përbashkët janë ngjarje që simbolizojnë përpjekjen e shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe për t’u integruar në një epokë të modernitetit. Kjo ditë shërben si një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e gjuhës shqipe dhe të arsimit në ruajtjen e kulturës kombëtare. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe mbetet një moment krenarie dhe frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi