“Duhet të merren masa urgjente!”- Vetting: Si erozioni po “gllabëron” tokat dhe bregdetin në Shqipëri!
EMISIONI VETTING
Bregdeti mahnitës shqiptarë i shtrirë në 454 kilometra, një pasuri natyrore e jashtëzakonshme, që ka tërhequr vëmendjen e miliona turistëve nga e gjithë bota.
Plazhet me rërë të artë, ujërat e kristalta të deteve Jon dhe Adriatik, si dhe vijat malore që prekin bregun, krijojnë një peizazh unik të pakrahasueshëm.
Nga plazhet e gjata dhe të qeta të Vlorës, te bukuritë e Shëngjinit e deri në ishujt dhe gjiret e fshehura të jugut, çdo pjesë e bregdetit shqiptar ofron një eksperiencë të paharrueshme. Udhëtarët mund të shijojnë një kombinim të historisë, kulturës dhe natyrës.
Natyra i ka dhënë gjithçka i duhet një vendi për të qenë unik, ndërsa dora e njeriu shqiptar ka shkatërruar pa ndalur.
Erozioni, një forcë natyrore, e kombinuar me pasojat e dorës njerëzore është kthyer në një kërcënim të heshtur, një katastrofë që na kalon përpara syve pa bërë zhurmë.
Sipas specialistëve rreth 150 kilometra të vijës sonë bregdetare po i nënshtrohet me ritme të shpejta erozionit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme social-ekonomike. Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane. Ndërsa institucionet shtetërore qëndrojnë indiferent.
253 kilometra vijë bregdetare përbëhet nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.
Ky emision do t’ju çojë në një udhëtim tek rezervati natyror i Kune Vaint në Lezhë, plazhi i Shëngjinit, Kepi i Rodonit, Golemi, Hamallaj, Rrushkulli, Shkëmbi i Kavajës, plazhi i Darëzezës në Fier dhe Pylli i Sodës në Vlorë. Atje ku natyra flet përmes shenjave të saj, dhe ne do të zbulojmë se sa shumë mund ta ndryshojë dora e njeriut për mirë a për keq atë çfarë na ka fal Zoti.
Do të shihni se çfarë do të ndodhë nëse vazhdojmë të humbasim çdo ditë nga pak, këtë betejë me erozionin duke shkatërruar pasuri që natyra e na e ka dhuruar, duke humbur gjithnjë e më shumë copa toke që ka mbajtur brez pas brezi.
Sipas dekanit të Fakultetit të Pyjeve në Universitetin Bujqësorë Kamëz, Ervin Toromani: “Në aspektin e erozionit detar zona më e dëmtuar është ajo e Kune-Vainit në bashkinë e Lezhës, është zona e Semanit që i përket Bashkisë së Fierit, janë zona problematike ku janë konstatuar humbje të tokës dhe avancimi i detit duke hyrë në brendësi të territorit në zona të caktuara, sidomos në zonën e Kune Vainit po rrezikohen habitatet e lagunës dhe të ligatinave duke ndikuar drejtpërsëdrejti në florën dhe faunën që jeton pikërisht në këto habitate.”
PARKU NATYROR KUNE-VAIN
Kune-Vain, kjo bukuri natyrore shtrihen shumë pak kilometra larg qytetit të Lezhës, është një ndër krenaritë e turizmit në veri të vendit. Sipas specialistëve, dy deri në tre metra tokë në vit e merr deti. Ndërsa institucionet përgjegjëse bëjnë sehir, çdo grimcë toke që shuhet është një hap më afër humbjes së këtij peizazhi të rrallë. Pishat e bukura të këtij parku natyror po zhduken dalë ngadalë bashkë me tokën që e merr deti.
Sipas ekspertit të mjedisit, Jak Gjini: “Në bregdetin e Kunes erozioni detar është mjaftë aktiv, vit për vit deti ka avancuar me 2.5 metra, është ajo konstantja shumë vjetore e raportuar nga specialistët, ajo që ndodh në terren është ajo që ne shohim sot. Të paktën nga viti 1939, kur themi viti 1939 kemi parasysh ato hartat austriake të fillimit, më pas ato sovjetiket në 1957, por sot pamjet satelitore tregojnë se të paktën 400 metra ka avancuar deti në drejtim të tokës, është vërtet një shifër e frikshme. Por në mënyrë të veçantë në dekadat e fundit stuhitë detare e kanë rritur shumë frekuencën e tyre dhe e godasin bregun.
Erodimi që i bëjnë bregut ato është jashtëzakonisht i vrullshëm, flasim për ato stuhi detare që ndodhin nga tetori deri në marsin e vitit pasues, 3-5 ditë por dëmi që i shkaktojnë është më i madh pothuajse sesa i gjithë dëmi vjetor i një dallgëzimi normal që ndodh me dallgëzimin normal që i ndodh këtij bregu ku jemi.”
Eksperti i Mjedisit Jak Gjini ngre alarmin se ndërtimi i kaskadës së Drinit dhe devijimi i rrugës së sendimenteve që lumi sillte në rezervatin natyror të Kune-Vainit në Lezhë, i ka lënë dorë të lirë detit për të rrëmbyer metër pas metri tokën në bregdet.
“Jemi në grykëderdhjen e Lumit Drin ku përplaset me ujërat e detit Adriatik, dhe siç vihet re këtu sidomos në pjesën veriore është mjaftë i shprehur, mjaftë agresiv, të paktën nga viti 2009 e deri më tani ka avancuar të paktën 20 metra në vit në një segment të Kunes, pjesa veriore. Kemi dy momente që e kanë përkeqësuar këtë situatë, e para, mungesa e gurëve që duhet të sillte Drini, si rezultat i ndërprerjes së këtyre inerteve të ndërprera totalisht sepse ujërat e Lumit Drin shkojnë në nga diga e Spatharës në Lumin Buna të Shkodrës.
Dhe ndërtimet e hidrocentraleve dhe digave në lumen Drin, kjo ka ndodhur që në vitin 1970 e më pas deri në ditët e sotme. Dhe deti vazhdon për pasoj, dhe ky është faktor kryesor që nuk ushqehet deti me sendimentet që sjellin lumenjtë. Faktori tjetër mjaftë i dukshëm është ndikimi nga ndryshimet e klimës, bregu çdo vit goditet nga stuhitë detare, dhe stuhitë detare janë aq të fuqishme, krijojnë një dallgëzim aq të fuqishëm sa kur godasin bregun marrin shumë dhera nga gërmimet dhe i kalojnë në thellësi”, shprehet eksperti i mjedisit Gjini.
Një tjetër fenomen negativë që po vihet re sipas ekspertit të mjedisit Endri Haxhiraj është se “Erozioni ka përshpejtuar humbjen e vijës bregdetare. Kjo për shkak të marrjes së inerteve nga lumenjtë, që ka dërguar në prishjen e bazamentit në grykëderdhje. Sot shohim grykëderdhje shume te gjera dhe rritjen të humbjes së sipërfaqes së tokave bujqësore”.
Dëmtimi për shkak të erozionit detar ka gllabëruar sipërfaqen e rërës, duke bërë që ky plazh të ketë më pak sipërfaqe me rërë ku pushuesit qëndrojnë.
Gjatë dimrit bregu i detit zhduket plotësisht në Kune të Shëngjinit. Shumë pisha qindravjeçare janë rrëzuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëmtuar nga zjarret e përvitshme.
Ekspert Mjedisi Endri Haxhiraj, shprehet se “në zonën e Kune Vainit shpesh herë banorët kanë pësuar përmbytje në zonat e tyre, ku u janë përmbytur tokat dhe të mbjellat si shtëpitë e banimit. Si rezultat i erozionit, por edhe të kalimit të detit në shumë raste banorët kanë vendosur thasë me rëra për tu mbrojtur nga këto përmbytje, të cilat mundet të them se janë të prishmë, pikërisht për shkak të dëmtimit të pyjeve dhe habitateve”.
Banori i Shëngjinit Fran Marku thotë se: “duhen të merren masa urgjente duke nisur nga kryetari i bashkisë deri tek kryeministri, ata duhet të marrin një masë urgjente sidomos për zonën e lagunës së Kunes.”
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi