Dhunimi brutal i Sokol Mëngjesit, autorët ende në arrati! Drejtori i Policisë së Tiranës: Kërkimet për kapjen e tyre, në çdo territor të Shqipërisë
Policia ende nuk ka rënë në gjurmë e tre prej autorëve të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 29 majit në kryeqytet, vetëm pak minuta pasi kishte lënë fëmijën e vogël në kopsht.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj u shpreh se kërkimet për kapjen dhe arrestimin e tyre vijojnë në gjithë territorin e Shqipërisë.
“Policia e Tiranës ka bërë të mundur të arrestojë dy autorët kryesorë, të cilët hetohen nën masën e sigurisë arrest me burg dhe njëkohësisht vijojnë kërkimet për kapjen dhe arrestimin e 10 personave të tjerë.
Fillimisht kërkimet tona kanë qenë në territorin e qarkut të Tiranës, por tashmë vijojnë në gjithë territorin dhe shpresojmë që të kemi rezultate të shpejta për vendosjen para drejtësisë të këtyre individëve”, tha Vocaj.
Ndërkohë ditën e ngjarjes, u arrestua Dritan Nano, organizatori i dyshuar i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi në zonën e ish-Bllokut, ndërsa dhëndri i tij Dorian Alia u vetëdorëzua po në të njëjtën ditë.
AUTORËT E DYSHUAR TË SULMIT
DRITAN NANO, 58 VJEÇ NGA TIRANA Organizatori sulmit- I ndaluar me iniciativë, vjehrri i autorit kryesor të sulmit
DORIAN ALIA, 32 VJEÇ NGA TIRANA Dhunuesi – U vetëdorëzua pasditen e 29 majit, dhëndri i Nanos, dyshohet se bashkoi grupin për të realizuar planin
ELTON KASAJ, 33 VJEÇ NGA TIRANA Autor sulmi – i shpallur në kërkim DRIVALD ALIA, 21 VJEÇ NGA TIRANA Autor sulmi – i shpallur në kërkim
ROMARIO TABAKU, 26 VJEÇ NGA TIRANA i pranishëm në vendin e ngjarjes, largoi autorët me makinë – i shpallur në kërkim
Dorian Alia ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45-vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.
Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi