Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë 102 viteve! Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë 102 viteve! Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Nga dita e themelit të saj u bë një përpjekje e jashtëzakonshme për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fondin e saj. Pas ngritjes së saj më 1920, thirrjet për dorëzimin e detyruar të ekzemplarëve dhe pasurimin e fondit te arkivit të tij, ishin të vazhdueshme. Përpjekjet e patriotëve e intelektualëve të kohës nuk u mjaftuan vetëm me krijimin e BK, ato vazhduan edhe me pasurimin e këtij institucioni të ri kulturor e kombëtar, si dhe me ngritjen e bibliotekave të tjera publike në mbarë vendin. Më 10 dhjetor të vitit 1922 u përurua Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH). Institucioni i parë shtetëror, publik e laik në Shqipëri u themelua më 10 korrik 1920. Në kohën e inaugurimit, Biblioteka Kombëtare numëronte 6000 tituj librash. Drejtuesi i parë i bibliotekës ishte gjuhëtari dhe gazetari, Karl Gurakuqi.
Përgjatë periudhës së mbretërisë shqiptare, në vjetët 1928-1937, veprimtaria e bibliotekës spikati nën drejtimin e “babait” të bibliotekonomisë shqiptare, Sotir Kolesë. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, e gjeti BKSHnë me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ndërsa, në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Në pasurimin e fondit të BKSH-së ndikoi ndjeshëm dekreti “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, dalë më 31 maj 1948. Sipas tij, BKSH-së i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit, duke i mundësuar kështu kryerjen e rolit të qendrës arkivore. Me rënien e regjimit diktatorial, biblioteka nisi të hiqte barrierat në sigurimin e informacionit dhe në shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës.
Si institucioni i pari shtetëror, publik dhe laik në fushën e kulturës, Biblioteka Kombëtare u themelua më 10 korrik 1920 nën drejtimin e prof. Mati Logorecit, i caktuar në atë kohë nga Ministria e Arsimit. Në këtë rrugëtim të gjatë, gati shekullor, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u shndërrua në burimin kryesor të dijes për të gjithë shqiptarët. Si qendra e vetme arkivore për botimet shqip, BKSH ruan thesarin kulturor të shkruar të kombit tonë. Në këtë rrugëtim, Biblioteka Kombëtare si institucion kulturor rrugëtoi në kontekstet shpesh të vështira të rrjedhës së historisë, por e mbështetur në dëshirën dhe dashurinë e fortë të shqiptarëve për librin, kulturën dhe dijen.
Përgjatë vitesh, BKSH u drejtua nga patriotë e atdhetarë, personalitete dhe intelektualë të shquar të kulturës shqiptare, të cilët lanë gjurmë në historinë dhe ecurinë e saj, duke kapërcyer vështirësitë, duke sjellë risi në etapa të ndryshme të zhvillimit. Ky zhvillim nuk mund të kuptohet pa drejtues të tillë si Karl Gurakuqi, Viskë Babatasi, Sotir Kolea, Akile Tasi, Aleks Buda, Zef Mala e Haki Stërmilli, si edhe më tej në linjë kronologjike Marika Vogli, Valdete Sala, Shpëtim Çuçka, Nermin Basha, Vjollca Gjoka, Aurel Plasari etj.
HISTORIKU
Institucionet bibliotekare të shqiptarëve janë relativisht të reja, por tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Prania e tyre është e pandarë nga lashtësia e gjuhës dhe kulturës së popullit shqiptar, dëshminë e tyre e tregojnë edhe zbulimet arkeologjike. Qendra të depozitimit të dokumenteve ka pasur në Durrës, Apoloni, Lezhë, Finiq, Berat etj. Në Mesjetë qendrat kryesore të grumbullimit të librave ishin kryesisht manastiret dhe kuvendet, si ato të Svërnecit, Filatit, Gjiromerit etj. Një nga bibliotekat më në zë të shek. XVIII është ajo e Voskopojës.
Ngritja e shtypshkronjës më 1720 dhe hapja e akademisë më 1744 u shoqërua me një bibliotekë të pasur, ku ruheshin kode, dorëshkrime, vepra të klasikëve grekë, latinë e francezë, libra të botuar në Venedik etj. Shënime të kohës dëshmojnë për ekzistencën e bibliotekave të tjera të familjeve të mëdha, si ajo e familjes Vlora në shek. XVII-XVIII, e Myftiut të Tabakëve në Shkodër, ajo e Teqes së Shën Hasanit në Berat, Manastirit të Ardenicës etj. Në shek. XIX-XX bibliotekat ishin kryesisht pranë institucioneve fetare ose biblioteka private të personaliteteve të shquara, që jo vetëm ruajtën traditën e bibliotekave, por edhe ndikuan në forcimin e dashurisë dhe dëshirës së shqiptarëve për dije dhe kulturë.
Pas shpalljes së Pavarësisë, u ndje gjithnjë edhe më tepër nevoja e krijimit të një institucioni kulturor, i cili do të shërbente për përhapjen e dijes dhe kulturës. Fillesa e saj ishte krijimi më 16 prill 1917 i “Komisisë Letrare” në Shkodër, si organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, me nismën e një grupi patriotësh të kryesuar nga Luigj Gurakuqi. Si fonde të kësaj biblioteke shërbyen librat që zotëronin shtypshkronjat “Nikaj” dhe “Zoja e Papërlyeme”, rreth 3000 vëllime. Drejtues i kësaj biblioteke u caktua Hilë Mosi. Pas shpërndarjes së Komisisë Letrare në 1918, fondi kaloi në kujdestarinë e shoqërisë “Vllaznia” dhe më pas transferohet në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit, e cila më 10 korrik 1920 themeloi Bibliotekën Kombëtare nën drejtimin e prof. Mati Logorecit.
E njohur fillimit si Biblioteka e Shtetit, pas përurimit të saj dy vite më vonë, u emërtua Biblioteka Kombëtare. Ky fond shërbeu si bërthamë për krijimin e të parit institucion shtetëror laik në fushën e kulturës. Karl Gurakuqi, një nga figurat më të rëndësishme të kohës, atdhetar e patriot, u emërua drejtori i parë i përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare, pas një përvoje si sekretar i “Komisisë Letrare”, ku u përkujdes për krijimin e një biblioteke albanologjike. Ai organizoi edhe përurimin zyrtar të BK, më 28 nëntor 1922, në një datë historike për kombin shqiptar. Nga dita e themelit të saj u bë një përpjekje e jashtëzakonshme për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.
Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fondin e saj. Pas ngritjes së saj më 1920, thirrjet për dorëzimin e detyruar të ekzemplarëve dhe pasurimin e fondit të arkivit të tij, ishin të vazhdueshme. Përpjekjet e patriotëve e intelektualëve të kohës nuk u mjaftuan vetëm me krijimin e BK, ato vazhduan edhe me pasurimin e këtij institucioni të ri kulturor e kombëtar, si dhe me ngritjen e bibliotekave të tjera publike në mbarë vendin. Vitet e para të ekzistencës si institucion shënuan edhe fluksin më të madh të dhurimeve dhe thirrjeve për të ndihmuar në pasurimin e fondit të saj nga patriotë dhe intelektualë të kohës, së cilës iu bashkuan atdhetarë dhe shoqëri atdhetare-kulturore brenda dhe jashtë vendit.
Biblioteka personale e një prej figurave më të shquara të kulturës kombëtare, Mithat Frashëri, ruhet në fondet e BK të Shqipërisë. Krahas Mithat Frashërit, radhiten edhe figura të shquara të kulturës e historisë shqiptare, si Ilo M. Qafëzezi, Hil Mosi, Kristo Floqi, Spiro Dine, dr. Mihal Turtulli, Rexhep Mitrovica etj. Kësaj çështjeje tejet të rëndësishme për kulturën dhe kombin shqiptar iu bashkuan dhe albanologë e balkanologë dhe dashamirës të huaj të mirënjohur, si Gustav Ëeigand, Karl Reinhold, Antonio Baldaçi, Leo Freundlich, Francesko Argondica etj.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente