Bernarda Rreshpja dhe Powell, statistikat shpallin më të mirët e javës së parë në Basketboll

Basketbolli shqiptar nisi fundjavën e kaluar kampionatet kombëtare për edicionin 2024-2025, teksa u zhvillua java e parë.Një javë që dhuroi ndeshje interesante që në start, ku përveç lojës kolektive të skuadrave, si zakonisht u dalluan edhe individët. Duke iu referuar statistikave të Federatës Shqiptare të Basketbollit, “Panorama Sport” ka nxjerrë lojtarët dhe formacionet më të mira të javës.
FEMRAT Në Kategorinë e Parë për femra efikasitetin më të lartë në javën e parë e regjistroi Bernarda Rreshpja e Vllaznisë. 23-vjeçarja kuqeblu, e cila edhe sezonin e kaluar ka qenë disa herë më e spikatura, meritoi vlerësimin MVP. Ajo regjistroi 39 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime, duke shënuar indeksin 37 në fitoren që Vllaznia arriti në Durrës kundër Teutës. Në formacionin e javës bën pjesë edhe Liliane Ndongbwo e Tiranës, protagoniste në suksesin që vajzat bardheblu shënuan në Vlorë kundër Flamurtarit.
Lojtarja nga Republika Demokratike e Kongos regjistroi 28 pikë, 13 kërcime dhe 1 asistim, duke arritur indeksin 32 në sfidën kundër ish-ekipit të saj. Mes më të mirave është edhe Ornela Lalaj e Partizanin. Kapitenia e të kuqeve u dallua në triumfin kundër Studentit, duke koleksionuar 19 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime, me indeksin 28. Më tej “top 5” kompletohet nga Marinela Gjergji e Studentit (21 pikë, 11 kërcime, 3 asistime, indeksi 27) dhe Orjana Hasani e Teutës (17 pikë, 11 kërcime, 3 asistime, indeksi 27), por paraqitjet pozitive të tyre ishin të pamjaftueshme për tu dhënë suksesin ekipeve ku militojnë.
MESHKUJT Protagonisti kryesor i javës së parë në Superligën e meshkujve ishte Bryen Joseph Powell. Amerikani pati një debutim ëndrrash me Teutën, duke qenë vendimtar në fitoren që durrsakët arritën kundër Vllaznisë në Shkodër. Powell bëri diferencën në parket, duke regjistruar 36 pikë, 12 kërcime dhe 4 asistime, për të arritur edhe indeksin 41, më të lartin e javës. Statistika këto që i japin amerikanit vlerësimin MVP, jo vetëm për ndeshjen por për të gjithë javën. Fantastik në këtë javë ishte edhe Endrit Hysenagolli i Tiranës, i cili vijon të ketë një rendiment të jashtëzakonshëm në arenën kombëtare.
Gjiganti i bardhebluve shkëlqeu në fitoren kundër Kamzës, duke regjistruar 24 pikë, 21 kërcime dhe 1 asistim, për ta mbyllur sfidën me indeksin 38. I rikthyer në shtëpi te Vllaznia, Elian Memçaj ishte më i miri në radhët shkodranëve kundër Teutës. 22-vjeçari regjistroi 26 pikë, 5 kërcime, 4 asistime dhe indeks 33 në humbjen ndaj durrsakëve, më të cilët u aktivizua në sezonin e kaluar. Në pesëshe bën pjesë edhe Dearon Tucker i Apolonisë me 24 pikë, 7 kërcime dhe indeks 28, në disfatën treshifrore të fierakëve në shtëpi kundër Besëlidhjes. Amerikani Antwaan Cushingberry i Kamzës, plotëson “top 5” me 20 pikë, 12 kërcime, 4 asistime dhe indeks 26, statistika të fiksuara në humbjen e kamzalinjve kundër Tiranës.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente