Bankingu i hapur, kryhen transaksionet e para në vend! Guvernatori Sejko zbulon benefitet: Shkurton kohë dhe ul kostot për klientët e bankave të nivelit të dytë

Bankingu i hapur, kryhen transaksionet e para në vend! Guvernatori Sejko zbulon benefitet: Shkurton kohë dhe ul kostot për klientët e bankave të nivelit të dytë

Bankingu i hapur është një praktikë bankare e bërë realitet edhe në vendin tonë, përmes së cilës qytetarët mund të kryejnë pagesa me më pak kosto dhe në një kohë më të shkurtër.

Ishte guvernatori Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ai që dha lajmin në një intervistë për mediat dha lajmin teksa shpjegoi se përmes modernizimit të sistemit të pagesave, klientët e bankave të nivelit të dytë tashmë mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo vetëm nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë.
“Javën e kaluar ne kemi bërë transaksionet e para me bankingun e hapur. Një mundësi që u jepet klientëve të bankave të nivelit të dytë të operojnë nëpërmjet kompanive fintech të kryejnë transferta, veprime bankare në disa banka në të njëjtën kohë dhe do krijojë kursime të mëdha për klientët e bankave të nivelit të dytë. Shkurton kohë dhe ul kostot ndjeshëm për klientët e bankave të nivelit të dytë”, – tha Gent Sejko, guvernatori i BSH.
Pas pranimit në sistemin SEPA, Sistemi Unik i Pagesave në Euro i BE, brenda këtij viti të gjithë qytetarët dhe bizneset do të mund të kryejnë transferta në euro me kosto 5 herë më të ulët.
SEPA
Guvernatori thotë se vetëm vitin e parë nga pranimi në këtë sistem për shqiptarët do të kursejnë 20 milionë euro. “Të gjitha bankat dhe institucionet financiare do të aplikojnë individualisht në këtë sistem nën koordinimin dhe mbikëqyrjen e Bankës Shqiptare dhe në gjysmën e dytë të vitit, ky sistem operimi në sistemin SEPA do të jetë funksional.
Të gjitha transfertat që do të kryhen nga jashtë-brenda në euro, nga qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryhen me një kosto 5 herë më të ulët se ajo aktuale. Në vitin e parë do të kemi 20 milionë euro kursime dhe vite më pas, qindra miliona euro”, – tha Gent Sejko.
Në kuadër të implementimit të direktivave të BE-së, objektivi i Bankës së Shqipërisë është që vitin që vjen të vihet në funksion edhe projekti “Tips Clone”, që u mundëson qytetarëve të kryejnë pagesa gjatë 24 orëve, edhe kur bankat janë mbyllur.
“Është një sistem modern pagesash që u mundëson qytetarëve kryerjen e pagesave dhe transfertave në 7 ditë të javës gjatë 24 orëve nëpërmjet celularit njëlloj siç kryhen me karta. Këto sisteme janë në kuadrin e objektivave të BSH për përsëritjen financiare për uljen e informalitetit në ekonomi, në shërbim të kursimit të kohës dhe parave të qytetarëve shqiptarë”, – tha Gent Sejko. Për realizimin e projektit “Tips Clone”, Banka e Shqipërisë po bashkëpunon me Bankën e Italisë.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente