Atentati në Ndroq/ Alfred Dedja u ekzekutua në një lokal! Viktima ishte i pajisur me armë zjarri, pistoleta u gjet nga policia

Atentati në Ndroq/ Alfred Dedja u ekzekutua në një lokal! Viktima ishte i pajisur me armë zjarri, pistoleta u gjet nga policia

Detaje të reja dalin lidhur me atentatin mafioz që u regjistrua në një lokal në fshatin Ndroq të Tiranës, sot rreth orës 15:30.
Vrasja në Ndroq
Alfredf Dedja u vra me armë zjarri nga Julian Gjoshi. Autori i dyshuar hyri në lokal qëlloi me armë viktimën dhe më pas u largua. Policia po punon për kapjen e tij.
Ndërkaq burime bëjnë me dije se edhe viktima Alfred Dedja ka pasur armë, pasi policia i ka gjetur një pistoletë në trup.
50-vjeçari më parë merrej me aktivitetin e lojërave të fatit dhe vite më parë ka punuar edhe te kompleksi ‘Golden’.
Ka dyshime se viktima dhe autori njiheshin me njëri-tjetrin dhe se ngjarja  mendohet se ka të bejë me prishjen e pazareve të drogës mes viktimës dhe autorit.

“Viktima ka qenë në tavolinë në lokal dhe autori sapo është futur ne lokal, është ulur në tavolinë tjetër…Më pas, viktima i është afruar, aty kanë debatuar dhe Julian Gjoshi e ka qëlluar. Autori dhe viktima kanë njohje me njëri-tjetrin”, raportoi gazetari Igli Çelmeta.

Vrasja e 50-vjeçarit Alfred Dedja me armë zjarri në mes të ditës sot në një lokal në fshatin Ndroq në periferi të Tiranës ka tmerruar klientët që ndodheshin në lokal në momentin kur 50-vjeçari u ekzekutua me gjakftohtësi nga agresori.
Viktima jetonte në Itali, ai njihej ndryshe me pseudonimin “Daku”. Krimi i rëndë ndodhi sot rreth orës 15:30 brenda në një lokal të Ndroqit, ku viktima ishte klient, ndërsa autori është futur në ambientet e lokalit, ka qëlluar me armë zjarri dhe është larguar me një makinë tip Benz ML, të zi.
“Tiranë/Informacion paraprak Më datë 01.12.2024, rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç. Autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kapjen e autorit të dyshuar”, njoftoi policia e Tiranës lidhur me krimin.
Ndërkohë që gazetarja Klodiana Lala raporton se autori i dyshuar i vrasjes, Julian Gjoshi, është një emër i njohur për policinë. Ai ka pasur probleme të mëparshme me ligjin, pasi është arrestuar më 18 janar 2021 për armëmbajtje pa leje dhe për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Gjoshi, gjatë arrestimit tre vite më parë, ishte shoqëruar nga një person tjetër në automjet.
Lexo edhe: Vrasja e Alfred Dedjas, autori i dyshuar kunat i Altin Hajrit, personazh i lakuar në dosjen e Jurgis Çybrjes dhe i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës
Po ashtu, mësohet se Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, ky i fundit i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës, ngjarja e bujshme e ndodhur në një kompleks në Shijak. Altin Hajri, përmendet dhe në dosjen ndaj ish-deputetit të PS-së, Jugris Çyrbja, ku dyshohet se ka ndihmuar Çyrbjan të futej në listën e sigurt për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Në një nga bisedat e SkyECC, Altin Hajri mësohet se i ka kërkuar ish-deputeti Jurgis Çyrbja ndihmë për të lirimin apo ndryshimin e masës së sigurisë ndaj kunatit të tij, Julian Gjoshi ose mikut të këtij të fundit pas arrestimit për armëmbajtje pa leje në Tiranë, kundrejt ofrimit të shumave të parave.
Hajri i ka kërkuar ish-deputetit të ndryshohet personi që mbante armën pa leje, si dhe dëmtimin e gjilpërës së armës së zjarrit, përpara kryerjes së ekspertimit nga policia shkencore.
Lexo edhe:  Detaje nga vrasja në Ndroq/ Shkak prishja e pazareve të drogës? Kush është autori i dyshuar për ekzekutimin e Alfred Dedjas, dinamika e ngjarjes
Kush është Altin Hajri
Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” në Shijak, akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të 2020. Trupi i Jan Prengës është filmuar për herë të fundit në garazhin e komplelsit “Golden”, ku është kapur nga kamerat e sigurisë teksa është nxjerrë nga automjeti Range Rover dhe më pas është transportuar në një furgon.
Altin Hajri, një nga anëtarët e grupit kriminal që vepronte në zonën e Shijakut po gjykohet ne mungesë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Gjithashtu ishte  shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Por autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve. Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro.
Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.
Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015.
Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente