Arsyet dhe pasojat e uljes së numrit të lindjeve në Shqipëri, masat që nevojiten! Ja qarku me rënien më drastike, faktorët që po ndikojnë

Arsyet dhe pasojat e uljes së numrit të lindjeve në Shqipëri, masat që nevojiten! Ja qarku me rënien më drastike, faktorët që po ndikojnë

INSTAT sapo ka publikuar të dhënat demografike për vitin 2024. Ajo që vihet re është që numri i lindjeve vazhdon të bjerë në mënyrë të dukshme.

Në tabelën e mëposhtme janë lindjet për vitin 2024 dhe krahasimi me një vit dhe dhjetë vite më parë.

Siç shikohet dhe nga të dhënat, krahasuar me 10 vite më parë, të gjitha qarqet kanë një rënie drastike të numrit të lindjeve, por sidomos kjo rënie është tepër e madhe për qarqet Gjirokastër, Korçë dhe Berat. Përqindjen më të ulët e ka Tirana nisur dhe nga fakti që ka popullsinë më të lartë dhe moshën më të re.
Efektet e kësaj lindshmërie të ulët që ka filluar prej vitesh do të ndihen shumë më tepër vitet në dy aspekte kryesore:

Uljen e forcës së punës
Në arsim, si pasojë e mungesës së nxënësve dhe studentëve.

Sigurisht arsyeja kryesore është emigrimi. Është larguar mosha më vitale e popullsisë, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë si me tregun e punës dhe me lindshmërinë që ka rënë në nivele drastike (vendi i dytë në Europë për lindshmëri më të ulët).
Bazuar në Censin 2023, mosha që ka emigruar më shumë është midis 20 dhe 39 vjeç, duke përbërë 54% të largimeve.
Një arsye tjetër është dhe gjendja ekonomike ku sipas të dhënave të Eurostat ne jemi vendi më të ardhura me të ulëta në Europë.
Por ndërkohë për nivelin e çmimeve, sidomos ato të shportës bazë të ushqimeve, jemi vendi me çmimet më të larta në rajon dhe për disa produkte, dhe më lart se mesatarja e vendeve të BE-së.
Gjithashtu edhe çmimet e apartamenteve janë tepër të larta dhe të paarritshme, sidomos nga moshat e reja që përbëjnë dhe pjesën kryesore të popullsisë që mund të rrisë lindshmërinë.
Masat që duhen të merren në vazhdim, të paktën për të frenuar rënien e lindshmërisë, duhet të jenë konkrete dhe afatgjata. Nisur nga shembulli i Hungarisë, i cili ka qenë në të njëjtat pozita që ne jemi sot për lindshmërinë, disa masa mund të jenë:

Lehtësimi i kredive për banim për çiftet e reja për të nxitur pronësinë e hershme të shtëpisë dhe formimin e familjes, e cila do të çonte dhe në rritjen e lindshmërisë.
Përkrahja e fëmijëve me mjete monetare jo vetëm me një bonus në lindje, e cila është një politikë që ka dështuar, por deri në një moshë të caktuar (18 vjeç).
Rritja e kohëzgjatjes së pushimit të lindjes në 365 ditë të paguara plotësisht dhe garantimi që nëna do të vazhdojë të marrë të ardhurat e saj të plota gjatë gjithë kësaj kohe.

Megjithatë duhet pasur parasysh që këto masa vetëm mund frenojnë rënien e lindshmërisë për popullsinë rezidente, por jo ta rrisin atë. Arsyeja është që në pjesën më të madhe të qarqeve, popullsia mbi 50 vjeç është në nivele tepër të larta.
Nisur nga kjo duhen marrë masa konkrete për të nxitur rikthimin e emigrantëve në vend, sidomos të moshave të reja.
Krahas masave të mësipërme duhen përkrahur dhe emigrantët, duke i krijuar kushte të favorshme për të investuar të ardhurat e tyre./Monitor

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente