Agron Gjekmarkaj: Vetmia, si identitet, Alfred Lela si poet!
AGRON GJEKMARKAJ/ Alfred Lela, jo krejt rastësisht, erdhi këtij nëntori me një vëllim poetik në dorë! Të mësuar me gazetarin, publicistin debatuesin, ndokush edhe u habit! Personalisht, ndonëse pa indicie konkrete, e dija që poetin e mban kurdo e gjithkund me veten.
Në shkrimet e tij, edhe në ato më të thartat e politiket, e gjen sharmin e fjalës, përzgjedhjen dhe sfumaturat, lojën që i jep asaj një arkitekturë unike! Ndaj libri “Solo” (Vetëm) me konfirmoi të hershmen bindje.
Nuk janë shumë ata që duan ta shfaqin vetminë si identitet. Lela atë e ka bindje e gjykim, filozofi e përfundim. Vetëm vijmë, vetëm jemi dhe vetëm ikim! Po kjo është një gjendje sublime, në daç poetike, në daç njerëzore, ku në shkallaret e saj ngjitesh e ulesh për të parë të tjerët, botën, horizontin, e zbret për të kuptuar veten në raport me to! Në këso udhëtimesh uliksiane, Alfred Lela i lejon vetes të jetë i krishterë sa të dojë, ta gjykojë dashurinë nga gjurmët e plagëve që i le, nga harta e mallit, nga boshi kur ikën, nga dhimbja kur ta rrëmbejnë! Ah Bibla, ky qiell i patejkalueshëm dijesh, i jep herë pas herë fuqinë e pagëzimit, brinjët e Adamit, mollën e Evës, dhe i thotë solo, solo, solo (vetëm) mbeten të gjithë atje në malin e ullinjve, si Zoti ynë!
Por i duhet Eskili për ta dërguar Inën si Efigjeninë në Aulide, e do një shkak për t’u zemëruar përjetësisht! Por: “Jam i prerë hollë, Si një letër cigareje që mbështjell duhan të grirë trashë, Hollë, Si një pritë ku merret gjaku, Si një gjak që falet, por s’bëhet ujë.”
E kaq hollë njeriu mbijeton vetëm si poet, e kaq hollë individin e mbështjell stuhia dhe e përplas aty këtu, por e le gjallë, si dëshmitar të saj, kaq hollë e çon jeta, në çdo cep dhe e rikthen në nisje si rrëfyes, e kaq i hollë mund të rrish vetëm si e paduk shme mes njerëzish, del mbi ta e në anë ku sheh të ngjashmit e lutet për ta, ku përkufizon të ndryshmit në kërkim identitetesh, për të lënë timbrin në rrëpirat e moshës! Udhëton drejt njohjes në New York, Budapest, kudo në latinen botë italiane, duke parë, shijuar, krahasuar e relativizuar mes mitesh antike veten në një plazh, duke kuptuar tokën dhe Anteun kur është në fluturim! Intelektualizma është dera e vetmisë së tij! Sqima, dritarja! Heshtja, kolona zanore! Vetmia, njeriu dhe identiteti i tij! Solo, Solo, Solo! Lexojeni atë! /Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi