Vilë 3-katëshe në Vlorë, korrupsion dhe lidhje me kriminelë, kërkohet shkarkimi i gjyqtarit Artur Malaj
Vilë 3-katëshe në Vlorë, korrupsion dhe lidhje me kriminelë, kërkohet shkarkimi i gjyqtarit Artur MalajKomisioneri Publik njoftoi të premten se do të apelonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj. Në vendimin e dërguar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioneri kërkon shkarkimin e Malajt, pasi sipas tij nuk kishte justifikuar mjaftueshëm pasurinë dhe se kishte dyshime që kishte bërë përpjekje për ta fshehur atë.Komisioneri thotë se treshja e KPK-së që hetoi Malajn kishte dalë në përfundime kontradiktore dhe se vendimi nuk përputhej me gjetjet e hetimit administrativ. “Komisioni është mbështetur në arsyetime dhe interpretime kontradiktore lidhur me përmbajtjen dhe zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe legjislacionit të posaçëm”, thuhet në vendimin e Komisionerit Publik, Darjel Sina.Ai arsyeton se pasuritë zyrtare të gjykatësit dhe të afërmve të tij kishin probleme. “Komisioneri Publik nuk krijon bindjen se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim, posedim apo disponim të tij dhe të personave të tjerë të lidhur”, thuhet në ankim.Gjyqtari Artur Malaj u konfirmua në detyrë më 3 gusht nga trupa gjykuese e drejtuar nga Genta Tafa Bungo dhe anëtare Suela Zhegu dhe Pamela Qirko. Malaj, 49 vjeç, ka një karrierë të gjatë si gjyqtar dhe më pas kryetar i Gjykatës së Vlorës dhe është emëruar më 2013 nga Presidenti Bujar Nishani gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Artur Malaj u përfshi në listën prioritare të rivlerësimit pasi kandidoi për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.Pas vendimit të KPK-së për konfirmimin e tij Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri publik kundërshtimin, duke i kërkuar Komisionerit më 10 gusht të apelonte. Në rekomandimin e bërë publik së fundmi, ONM thotë se konfirmimi ishte “i pajustifikueshëm”. “Në të kundërt, rezultatet e hetimit rivlerësues të KPK-së çojnë vetëm në një përfundim: shkarkimin nga detyra,” argumentojnë vëzhguesit ndërkombëtarë në rekomandimin e dorëzuar në institucionin e Komisionerit Publik.Komisioneri Publik ka reflektuar në apelim një pjesë të këtij rekomandimi, por ndryshe nga ONM që hedh dyshime për përshtatshmërinë e figurës së Malajt dhe për profesionalizmin e tij, apelimi është fokusuar vetëm në kriterin e pasurisë.Komisioneri megjithatë ka vënë në dukje disa herë raportin e DSIK-së sa i përket pronësisë së një vile tre katëshe, të cilën gjyqtari ka paraqitur si adresë për vite me rradhë. Një investigim i BIRN gjeti se kjo vilë e regjistruar në emër të ish-sekretares së Malajt është banuar për vite me radhë prej tij, nënës dhe vëllait të gjyqtarit si dhe është përfituar përmes një vendimi të dyshimtë të Gjykatës së Vlorës.Komisioneri po ashtu e rendit vilën në listën e pasurive të diskutueshme. Në arsyetimin e tij Komisioneri thotë se shpjegimet e Malajt në këtë rast kishin qenë kontradiktore. Se ai vetë nuk kishte provuar dot të kundërtën e dyshimit se ishte pronar i vilës. “Në përmbledhje, nga tri burimet e informacionit, të trajtuara hollësisht më lart, mbetet akoma e paqartë se kur, kush dhe pse e ndërtuan këtë vilë. Ajo që del nga deklarimet dhe faktet është se kjo banesë është fituar nga një vendim gjyqësor që lë vend për interpretim. Është shfrytëzuar për një kohë relativisht të gjatë nga familjarët e subjektit të rivlerësimit dhe është përdorur si adresë nga subjekti vetë”, shkruan Komisioneri në apelim.Po ashtu, Komisioneri del në përfundim tjetër edhe sa i përket pasurive të tjera të gjykatësit dhe pasurive të personave të lidhur. Duke iu referuar këtyre të fundit, kunatit, motrës dhe një nipi, Komisioneri thotë se KPK i ka shqyrtuar ata si persona të lidhur gjatë hetimit administrativ, por ka ndryshuar qëndrim në arsyetimin e vendimit duke mos i kualifikuar si të tillë.Komisioneri thotë se asnjë nga personat e lidhur nuk justifikonte shpenzimet. Kunati i gjykatësit kishte shpenzuar në 10 vjet 40.5 milionë lekë në pasuri të patundshme e të tjera. Ndërkohë nipi i tij me një rrogë modeste kishte shpenzuar më shumë se 10 milionë lekë. Komisioneri thotë se nga hetimi ata nuk justifikonin pasurinë, ndërsa thotë se në disa raste KPK nuk hetoi deri në fund, duke mos provuar burimin e ligjshëm të këtyre pasurive.“Në rastin konkret, Komisioni arsyeton në mënyrë kontradiktore, duke cilësuar se ka kryer hetim pasuror mbi personat e tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, ndërkohë që nuk shprehet mbi rezultatet e hetimit pasuror nëse ata (personat e tjerë të lidhur) e kanë përmbushur detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive”, thuhet në apelim.Po ashtu Komisioneri thotë se kishte probleme edhe me një apartament të blerë në Tiranë, i deklaruar në tre vlera të ndryshme dhe me sipërfaqe të ndryshme nga realja. Sipas Komisionerit apartamenti ishte deklaruar fillimisht 61 mijë euro, pastaj 55 mijë dhe në deklaratën veting 5 milionë lekë. Komisioneri thotë se ky deklarim i fundit ishte fiktiv, pasi çmimi rezultonte nën vlerën minimale të pronës. “Për sa më sipër konstatojmë se subjekti i rivlerësimit z. Malaj nuk ka deklaruar saktësisht vleftën e pasurisë, duke mos përmbushur detyrimet ligjore të përcaktuara”, thuhet në apelim.Megjithatë Komisioneri ka lënë jashtë apelimit disa nga vërejtjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. ONM në rekomandimin dërguar Komisionerit i është referuar një raporti të DSIK-së i cili për lidhje të subjektit me persona të papërshtatshëm.Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit thotë se raporti i DSIK ku evidentohen “kontaktet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar si dhe gjetjet për korrupsion mbeten të vlefshme”. Po ashtu, ONM paraqet dyshime mbi aftësitë profesionale të Malajt. Ajo shprehet se ka munguar një analizë tërësore e aftësive profesionale të subjektit, por Komisioneri publik nuk ka paraqitur këtë në kërkesën për Apelim./BIRNAktualitet Artur Malaj gjyqtari Komisioneri Publik
Burimi