U zhvatën gjermanëve 6.1 mln euro përmes Call Center, arrestohet Erlind Cekaj në Dubai; pjesë e grupit kriminal të Amant Josifit
Erlind Cekaj akuzohet për mashtrim dhe grup të strukturuar kriminal.
Një shqiptar i shpallur në kërkim nga SPAK është arrestuar në Dubai.
Sipas policisë, shqiptari i identifikuar si Erlind Cekaj akuzohet se është pjesë e grupit të Amant Josifit të cilët janë në gjykim pasi përmes mashtrimit me Call Center arritën t’u zhvatnin gjermanëve një shumë që kap vlerën e 6.1 mln eurove.
Cekaj akuzohet për mashtrim dhe grup të strukturuar kriminal. Ndaj tij, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ky rrjet kriminal në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e BE-së, duke u shvatur atyre miliona euro. Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria nën koordinimin e Eurojust.
“Vijon me intensitet operacioni “Para drejtësisë”, arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe një person i kërkuar për mashtrim. Policia e Shtetit, në kuadër të masave të marra për zbatimin e operacionit “Para drejtësisë”, vijon me intensitet shkëmbimin e informacionit me vendet e organizatat partnere për arrestimin, ekstradimin, sjelljen drejt Shqipërisë dhe vendosjen në dispozicion të organeve të drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga bashkëpunimi i “Interpol Tirana” me “Interpol Abu Dhabi” është bërë e mundur më datë 20.08.2024 arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind Cekaj. Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin penal të datës 18.10.2023, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit, grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të Kodit Penal.
Pas hetimeve ka rezultuar se, shtetasi Erlind Cekaj, në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur “IT PumaTS/SM Company”, të lidhur me kompaninë “Milton Group”, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese dhe vepronin në mbarë botën. Ky rrjet drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, etj.
Rrjeti kriminal, në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese, si “Absolut Global Markets”, “AurumPro”, “Finaxis”, etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e Bashkimit Europian, duke u shkaktuar atyre dëme financiare që arrijnë në miliona euro.
Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende, si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria, nën koordinimin e “Eurojust”, njofton policia.
Kush është Amant Josifi?
Amant Josifi është pronar i disa Call Centrave të regjistruara dy vite më parë në Shqipëri, nga të cilat policia spanjolle dyshon se janë mashtruar mbi 17 mijë shtetas të vendeve të BE-së që të kryejnë investime financiare false.
Policia nuk arriti ta arrestonte në Shqipëri në megaoperacionin ndërkombëtar që kreu në nëntor të vitit 2022, me disa shtete të përfshira, ndërsa cilesohej nga policia e katalonjës dhe “Guardia Civil” si objektiv “me vlerë të lartë”. Josifi është një biznesmen i njohur në Shqipëri, me lidhje të forta politike, shkruan me tej media spanjolle.
Një nga avokatët e tij në Spanjë tha për gazetën spanjolle, se ai është thjesht një biznesmen, e se i kishte marrë me qira Call Center-at dhe se nuk dinte se çfarë aktiviteti kryhej aty.
‘Pavarësisht kësaj, Josifi nuk është paraqitur para autoriteteve që po e kërkonin. Avokati i tij kërkoi paraqitjen e tij në këtë çështje dhe të mund të dëshmonte me videokonferencë.’- shkruan El Pais.
Arrestimi, sipas burimeve gjyqësore, është kryer përmes Interpolit. Policia spanjolle nisi hetimet ndaj Amant Josifit, pas denoncimit të bërë nga një e moshuar së cilës iu morën 800 mijë euro nëpërmjet mashtrimit.
Policia thotë se rrjeti kriminal ka fituar nëpërmjet mashtrimit rreth 2.4 miliardë euro, duke mashtruar mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të BE-së.
Qytetarët besonin se po investonin në produkte financiare me përfitim të lartë dhe kriptovaluta, por në realitet paratë shkonin direkt në xhepat e organizatës kriminale.
Në rastin e Amant Josifit, ai ishte në krye të degës së dedikuar për mashtrimin e qytetarëve spanjollë, me epiqendër Shqipërinë. Policia ndërhyri në të njëjtën kohë në qendrat Call Center-ave të përhapura në disa vende, duke përfshirë Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainën.
Grupi që fshihet në Dubai
Grupi i biznesmenit Josifi rezulton se fshiheshin në Dubai. Ndërsa dje u arrestua Erlind Cekaj, në shkurt të këtij viti po në Dubai ka rënë në pranga Merxhan Çeliku Edhe vetë biznesmeni Josifi u arrestua në shtator 2023 në Dubai, por Spanja dështoi ta ekstradojë, duke pasur parasysh vështirësinë që Emiratet e Bashkuara Arabe në raste të tilla, duke u liruar vetëm pak ditë më vonë.
Në 10 shkurt 2024 SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim pesë persona pjesë e grupit të biznesmenit Josifi për akuzën e mashtrimit kompjuterik. Ndërkohë për biznesmenin Amant Josifi, SPAK është dakordësuar me autoritetet spanjolle që hetimin personalisht për të, ta bëjnë ato. Në GJKKO po gjykohen Adrian Korriku, Irisa Puca, Merxhan Çeliku, Endri Bulku dhe Erlind Cekaj. call center 6.1 mln euro erlind cekaj amant josifi
Burimi