Tufina në shpatullat e Dajtit, aty ku të vdekurit bënin roje për të gjallët

Tufina në shpatullat e Dajtit, aty ku të vdekurit bënin roje për të gjallët

 

Tufina /

Ushtarakët ishin mysafirët e parë pas luftës që kthyen nëntokën e Tufinës në strehën e arsenaleve dhe aseteve strategjike të ushtrisë. Në vitet 60 pastaj, me urdhër të Mehmet Shehut, lëndinat e fshatit u kthyen varreza publike për qytetin. Çfarë i dhanë dhe i morën këto krahinës së moçme të Tiranës dhe pse këmbënguli kryeministri i kohës për këto zhvillime të pazakonta…

Pjesa e Parë
“Deri këtu i thonë Tufinë, më tej fillon Shupali”. Më në fund njeriu që na shoqëron, ulet mbi një gur ndan rrugës dhe fillon të rrëfejë diçka për historinë e trevës.
Nëntëdhjetëvjeçari Xan Allamani, me të cilin kemi ardhur te rrënojat e uzinës së artilerisë, tregon me gisht fshatrat që shtrihen në gjunjët e Dajtit, nga kafja e Rremës deri te malësitë e Tujanit. “Dikur, thotë ai, fshatrat tona i thërrisnin me emrat e uzinave dhe reparteve ushtarake që ishin vendosur këtu”. Në vitet e Luftës së Ftohtë, banorët e kësaj zone bashkëjetesën me to e kanë përjetuar si një privilegj jo të zakonshëm. “Se ja kena pa kimetin”, shton Allamani, duke shpjeguar shanset që u ka ofruar prania e arsenaleve luftarake në trojet e tyre. Pastaj duke bërë një inventar të gjigandëve të industrisë ushtarake që kishin strehën këtu, përmend uzinën e tankeve, atë të artilerisë, të lokacionit, të kimisë, të xhenios, të fortifikimit etj. Për dekada me radhë, në shpatullat e Dajtit, u prodhuan male me arsenale luftarake që mbajtën në këmbë sistemin e gatishmërisë të ushtrisë shqiptare. Më tej, Xan Allamani, rreshton një numër repartesh, që patën shtëpinë e tyre në tokën dhe nëntokën e Shtish-Tufinës. Ka qenë dikur këtu baza e armatës, Brigada e Ndërlidhjes, raketat strategjike, Artileria e rëndë, Zbulimi, Kimia, Vendkomanda e luftës me zyrën e Enverit, Brigada e Parë, etj. Në kujtesën e 90-vjeçarit, me të drejtë ky teatër luftarak i rëndësisë së veçantë është fiksuar si një avantazh për komunitetin e zonës në vitet e vështira të shoqërisë komuniste.  “Atëherë, thotë Allamani, e kishim të zgjidh punësimin e fëmijëve, ndërkohë që të tjerët përpëliteshin me qindarkat e kooperativës.” Po jo vetëm kaq. “Ushtria te pragu i shtëpisë, vë në dukje ai, na ka bë më të sigurt nga të hujt kur të tjerët flinin me pushkën te koka”. Allamani ka dëgjuar dikur nga goja e Mehmet Shehut se zonën e tyre e ka bekuar vet zoti me mrekullitë e natyrës dhe pozicionin e favorshëm që i ka fal. “Nji atëherë ende nuk i kishim heq kishat e xhamiat”, sqaron 90-vjeçari, ndërsa kujton vlerësimin e kryeministrit komunist, i cili e kishte këtë zonë si shtëpinë e tij të dytë…
A ke ardhur me Lym Ketën…
E vetmja rrugë automobilistike që të sjell nga qyteti i Tiranës deri në malësitë e Tujanit mban emrin e Lym Ketës. Në vitet e demokracisë, kur mjaft simotra të saj në kryeqytet ndryshuan emërtimet banorët e këtyre viseve këmbëngulën për “mos ta prerë në besë” mikun e viteve të vështira. Me emrin e Lym Ketës, shumëkush prej tyre ka të lidhur të shkuarën, vitet e luftës dhe ato të rindërtimit. Madje, siç pohojnë, pjesën më të bukur të kësaj historie, atë të qëndresës dhe besnikërisë për idealet e lirisë dhe progresit.
“A ke ardhur me Lym Ketën? Bujrum brenda!” Me këto fjalë zemre të prisnin banorët e kësaj treve në vitet e luftës. Lym Keta ishte një nga liderët e lëvizjes antifashiste dhe këtu kishte strehën e sigurt. Me emrin e tij u bënë mysafirë të këtyre shtëpive të thjeshta edhe dhjetëra luftëtarë të tjerë të netëve ilegale. Shprehja “Ke ardhur me Lym Ketën?!”, u bë kodi i garancisë së banorëve të Tufinës, pas të cilit hapnin portën e shtëpisë dhe ofronin garancinë e padiskutueshme….
Ka qenë i vogël atëherë 75-vjeçari Myslim Qefalia, që para ca kohësh na tregon këtë histori, po atë e mbante mend mirë. Trim e besnik si Lym Keta, thoshte ishin të rrallë. Gjithsesi, Qefalia ka qëndruar shumë me të në vitet e para pas çlirimit. “Lymi, kujtonte ai, ishte njeriu që bindi udhëheqjen komuniste për të sjellë në zonën tonë repartet më të rëndësishme të ushtrisë”. Ndër të parat është vendosur këtu Brigada e Parë, dikur krenaria e ushtrisë antifashiste. Qefalia përkujton faktin që Lym Keta ishte njëri ndër komandantët e parë të kësaj njësie. “Atëherë, hezituam disi”, thotë ai, ndërsa kujton ditët e para kur brigada e Mehmet Shehut do të bëhej pjesë e Rrapit të Treshit. Për momentin, prania e ushtarëve aty, zhurma e makinave dhe krismat e armëve, do ta prishin disi qetësinë e komunitetit autokton. E dinte këtë Lym Keta, po vështrimi i tij do të shkonte më tej, duke menduar për kompensimin që do të investonte për miqtë e tij të ditëve të vështira. “Me firmën e  tij, shton Qefalia, u bënë pjesë e brigadës dhjetëra djem të zonës. Me dhjetëra të tjerë u specializuan për profesione të ndryshme që i duheshin ushtrisë.” Lym Keta kësisoj, më shumë se garanci e integrimit të komunitetit ushtarak me atë banorëve të Tufinës, do të bëhej protagonist i zhvillimeve të përbashkëta. “Po nuk ka qenë vetëm ai”, kujtonte më tej miku i hershëm i familjes Keta dhe aty për aty përmente ushtarakë të tjerë që kanë lënë emrin e tyre në biografinë e kësaj zone. Emrat e Diko Zeqos, Jaho Banushit, Arjan Beqarit, Niko Zakës, Damin Xhaferit e të dhjetëra ish-komanduesve të njësive dhe reparteve të vendosura këtu kanë mbetur të dashur e të nderuar për gjithkënd prej bashkëkohëse të tyre. “Gjithsesi, sqaronte Myslymi, Lym Keta ishte ndër të parët që e futi ushtrinë në anët tona.” Për të, me emrin, famën dhe personalitetin e Lymit janë të lidhura zhvillimet e veçanta në Tufinë në vitet e para pas luftës, po edhe më pas. Për Lym Ketën, konfiguracioni i terrenit, po sidomos besnikëria e njerëzve të kësaj zone, do të garantonin sigurinë e bazave më të rëndësishme të ushtrisë. Kjo bashkëjetesë e bekuar fillimisht nga ai, do të vazhdonte edhe më vonë, madje edhe kur Lymi do të ndërronte jetë aksidentalisht në malësitë e Pukës.
Kështu janë futur në kujtesën e Myslim Qefalisë njerëzit që investuan për zonën e tyre. Ndërkaq,ai ka qënë edhe vet njeri prej tyre. Vetëm së fundi, me investimet e tij bëri xhaminë e zonës që dikur ishte kthyer në një magazinë ushtarake…
“Arkivi” i Sait Bekës
“Për diçka më shumë nga e djeshmja, merr rrugën e shko në Ferraj. Tako Sait Bekën dhe do mësosh çka të duhet”. Me këtë adresim disi të veçantë të mjaft prej banorëve të zonës, trokitëm para ca kohësh në portën e tetëdhjetëvjeçarit, që për shumëkënd nga bashkëfshatarët e tij dhe të tjerët që e njohin është një “arkiv” i gjallë. Takimi me të ishte vërtetë befasues. Ende pa nisur bisedën, Sait Beka fillonte të shpaloste një “guidë” interesante të biografisë së zonës dhe momenteve më të rëndësishme të saj. Ndonëse i sëmurë e i përkulur nga pesha e viteve, ai ndjehej i freskët në kujtesë e i kthjellët në ato që rrëfente. Në retrospektivën e tij ngjarjet dhe njerëzit vinin siç kanë qenë, pa ngarkesa politike dhe efekte të tjera që cenojnë sadopak të vërtetën. Për gjithçka që tregonte, niste me çastin kur ka ndodhur ngjarja. Tregonte ditën dhe datën e saktë kur është vendosur këtu Uzina e Artilerisë, Kombinati i Tankeve, kur është bërë regjistrimi i parë i pasurisë dhe gjësë së gjallë me praninë e Beqir Ballukut, kur është krijuar kooperativa e parë. Pastaj kishte dëshirë të përshkruante me hollësi betejën ku ka rënë Vojo Kushi, me orën, datën dhe ditën e javës në të cilën ka ndodhur, ku ka qenë vet i pranishëm. Nuk ka ndonjë qëllim egoist në këtë saktësim, por siç shprehej, duhet me i thënë qartë, pasi në mjaft raste ngjarja, sipas tij, është pasqyruar në variante të ndryshme. Me merakun për të vërtetën Sait Beka, ish-partizani antifashist, shprehte mendimin se e djeshmja duhet parë me ndershmëri,  dhe pa interesa të ngushta. “Unë vërtetë që kam kenë me nacionalçlirimtaren, po Ferraj ka qenë gati i gjithi me Abaz Kupin dhe duhet thënë se të dy palët kanë luftuar bashkë kundër pushtuesit”, saktësonte 80-vjeçari. Madje, Saiti tregonte një rast kur një natë janë gjendur rastësisht mysafir te daja i tij, Abaz Kupi me një nga krerët e komunistëve të zonës. ”Mes tyre nuk ndodhi asgjë nga ato që dëgjuam më vonë, përkundrazi, të dy ishin të një mëndje për luftën dhe të ardhmen e vendit”, shtonte ai. Në thelb Sait Beka, me mënyrën e tij interesante sugjeron një rishikim të mundshëm të historisë, për të fshirë retushin me të cilin janë deformuar momente të rëndësishme të saj. ”Se, nji kështu, qi thua ti miku im, ka mbet në televizor Qazim Mulleti si rob i trashë, që të bën veç me qesh. Po e vërteta nuk ka kenë kësisoj. Qazimin, e kam njoh vet. Ka kenë krejt tjetër. I qetë, i dëgjueshëm dhe njeri me men. Ka kenë disa herë Qazimi në Ferraj. Ka pasur miq të mençëm këtu, po ka zgjidh ene halle njerëzish. Nuk ka kenë nevoja që komunizma ta shpërfytyrojë prefektin tonë”. Po nuk është vetëm rasti i prefektit të Tiranës, sipas Bekës, që është tjetërsuar. Mjaft ngjarje të tjera kanë pësuar të njëjtin fat. I bindur se është i pafuqishëm për të riparuar plotësisht këtë defekt të kohës që lamë pas, Sait Beka, i rikthehej një historie tjetër që ka të bëjë me ngritjen e varrezave të Tiranës në Tufinë. Ai mbante mend mirë datën dhe ditën e javës kur ato u hapën së pari aty. Mbante mend emrin e doktor Bakallit që u bë banor i parë i kësaj qyteze të përjetshme, po edhe mjaft emra të tjerë që u bënë “banorë” të kësaj qyteze të bardhë. ”Nji pastaj kena fut aty Lym Ketën.”, shtonte tetëdhjetëvjeçari. “Ka kenë amanet i tij, me pushu në këtu, me kenë pranë njerëzve të zonës tonë, që i ka dash fort”. Megjithatë, Sait Beka shprehej i pakënaqur për faktin që Lymi, si hero i popullit, ende nuk është çuar të pushojë me martirët e kombit, madje këtë ai e vlerëson si një padrejtësi të pamoralshme.
Po nga Lym Keta ky burrë i moçëm ruante në “arkivin” e tij edhe diçka tjetër, që ka të bëjë me motivin e vendosjes së varrezave të qytetit në zonën e tyre. Lym Keta i ka shpjeguar sekretin e këtij vendimi duke e lidhur këtë me ruajtjen e arsenaleve strategjike që ishin vendosur në nëntokën e tyre. Varrezat në kodrinën e dukshme mbi to i ka thënë ai, do të stepnin bombardimet e mundshme të këtyre brigjeve. Ja kishte mësuar këtë kryeministri i kohës, i cili i dinte mirë ligjësitë e luftës së aviacionit të huaj. “Kësaj i thonë që të vdekurit të bënin roje për të gjallët!”, përmbyllte Sait Beka, që edhe pse nuk kishte fare njohuri nga arti i luftës, i ka besuar si zotit mikut të tij Lym Keta…
E sotmja mbi të djeshmen
Ajo çfarë ka mbetur nga e djeshmja është fare pak në zhvillimet aktuale të Tufinës dhe rrethinave të saj. Tufina e sotme me shtëpitë në gjunjët e Dajtit hijerëndë ka humbur çdo kufi ndarës me qytetin e Tiranës. E vështruar nga maja e Dajtit, të duket  pjesë e pashkëputur e qytetit. Mbi 500 vila dy-trekatëshe i kanë dhënë bregoreve të Tufinës pamjen e një qyteze turistike. Ka humbur nga e djeshmja Tufina edhe profilin e zonës strategjike ushtarake. Kanë mbetur vetëm rrënojat e gjigandëve të industrisë së arsenaleve luftarake dhe zyrave të nëndheshme të ish- udhëheqjes komuniste. Vegimet e luftës dhe misteret e skenarëve me ballafaqime ushtarake, kanë mbetur pjesë e një historie që po zbehet dita ditës. Pjesë e patjetërsueshme nga e djeshmja kanë mbetur vetëm varrezat me banesat e përhershme të qytetarëve të Tiranës. Po kështu edhe mali i Dajtit që i rri si një kurorë mbi krye. Me emrin e tij është pagëzuar vitet e fundit komuna që përfshin tërë fshatrat e zonës, ku prej vitesh shërben në krye të saj një djalë nga Tufina, pjesëtar i një familje fisnike, e njohur në krejt rrethinat e Tiranës. Krye komunari ka ardhur në këtë post pas një karriere në biznes. Ai vërtetë që nuk i njeh me shumë hollësi ngjarjet e së kaluarës, por është i kthjelltë në atë që të shpjegon për projektet e nisura, të cilat do t’i japin zonës një profil bashkëkohor. Përfundimi i ujësjellësve, rikonstruksioni i shkollave, çerdheve, përmirësimi i ndriçimit janë vetëm një pjesë e objektivave të tij për të rritur jo vetëm cilësinë e jetës, por edhe hapësirat e biznesit. Në ambiciet e krye komunarit është përfshirja e zonës në turizmin malor. Kjo sipas tij, do t’i japë zonës një tjetër frymëmarrje, ndërkohë që do të zbusë edhe problemet sociale. Gjithsesi, përkundër këtij investimi, siç pohon ai, ka mjaft vështirësi e probleme. Ballafaqimi me biznesin që tashmë po monitorohet nga pushteti lokal ka evidentuar një sërë shqetësimesh, një pjesë e të cilave kanë të bëjnë me ligjshmërinë, por edhe me praktikat komprometuese të trashëguara nga e kaluara. Kështu për shembull, nëse biznesi i vogël ka bërë likuidimin e detyrimeve tatimore 70 për qind, biznesi i madh që operon në zonë me shumë vështirësi e ka likuiduar këtë detyrim në masën 40 për qind. Sidoqoftë, me stafin e ri të zgjedhur në komunë, alias njësinë administrative, me përfshirjen e komunitetit të biznesit në dialogun e përditshëm me organet lokale, me bashkëpunimin e frytshëm me institucionet e tjera shtetërore është krijuar një klimë e mirë, që siç thotë ai premton për zhvillime cilësore. E sotmja e Tufinës dhe rrethinave ka marrë një fytyrë të re, që dallon për nga profili qytetar. E nesërmja patjetër do të jetë edhe më e begatë.(Vijon…)/Pamfletitufina shpatullat e dajtit të vdekurit të gjallët
Burimi