“Tani na mori lumi”, “Shqipëria më në fund shpëtoi”, përgjimet e të dënuarve ditën kur vdiq Enveri

“Tani na mori lumi”, “Shqipëria më në fund shpëtoi”, përgjimet e të dënuarve ditën kur vdiq Enveri

 

Pirro Nuredini /

Piro Nuredini, oficeri i sigurimit i burgut të Burrelit, i njohur për “lojën” e famshme me Avdul Banushin, të dënuarin për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Enver Hoxhës, në kujtimet nga koha kur shërbente aty, ka dokumentuar dhe mjaft mbresa nga takimet dhe bisedat me të dënuarit politikë, ata që anatemoheshin si armiqtë më të egër të Partisë e të atdheut. Kontaktet e përditshme me ta, dëshmon Nuredini, krijuan tek unë “krisjen e parë” mbi rrezikun e tyre për fatet e vendit. Jo gjithçka sipas tij, konfirmonte akuzat e rënda që rëndonin në dosjet e tyre. Megjithatë, detyra ja donte të heshte, ndryshe përfundonte në qelitë e kontingjenteve që ruante e përgjonte. Interesante në kujtimet e tij nga raportet me të dënuarit e Burrelit, janë dëshmitë e një pjese të tyre, të përftuara nga përgjimet ditën kur vdiq Enveri…
Megjithëse isha transferuar nga Gjirokastra, për “zbutje të luftës së klasave”, ideologjia e kohës, kishte formuar bindjen edhe tek unë, se kjo kategori njerëzish, ishin vërtet të rrezikshëm.
I dënuari i parë që ndesha në burgun e Burrelit, ishte Koço Tashko. Po hyja për herë të parë në ambientet e burgut, kur u përballa me të. Atij i kishte ardhur në takim i biri, Fredi Tashko.
Koço, i kishte kaluar të 80-at dhe mezi mbahej në këmbë. Kontakti i parë me të, bëri që diçka të “kërcasë” në formimin tim. Mosha dhe gjendja e mjeruar fizike e Koços, bëri të më lindte pyetja: “Ky është armiku i rrezikshëm”?!
Gjithçka që përjetova ditën e parë, por edhe çka pashë më vonë, patën një ndikim të ndjeshëm në formimin tim. Këto rrethana, formuan një mendim tjetër tek unë, për shumë nga të dënuarit e Burrelit. Pas disa kohësh, Koçua përfundoi dënimin dhe e internuan në fshatin Adriatik të Krujës, megjithëse, në një gjendje të rënduar fizike. Këtë logjikë, e kisha të pamundur ta kuptoja! Në burg gjeta edhe të dënuarit: Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Vaskë Gjino, Lipe Nashi, Kiço Ngjela, Gjin Marku e shumë të tjerë. Përveçse e kisha detyrë studimin e dosjeve të tyre, më shtynte kurioziteti, të njihesha deri në hollësi, me aktivitetin për të cilin ishin dënuar. Në shumicën e dosjeve, e kisha të vështirë të gjeja elementët e domosdoshëm, të veprës penale, për të cilën ata ishin akuzuar. Megjithatë, nuk gjeja kurajë  të flisja për këtë dukuri. Qysh ditët e para, më bëri përshtypje të veçantë, karakteri i fortë i të dënuarve; Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Kurt Kola, Daut Gumeni, Spartak Ngjela, etj. Është e pabesueshme që ky i fundit, vuante dënimin në të njëjtin burg me të atin, Kiço Ngjelën, po nuk lejoheshin të takoheshin.
Në vitin 1984, në burgun e Burrelit, sollën të dënuarit e rinj që u goditën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut; Muhamet Prodanin, Mihallaq Ziçishtin, Abaz Fejzon, Halim Ramohiton, Arif Haskon, Rahman Parllakun, Nesti Nasen, Duro Shehun, Ali Çenon, Xhavit Ismailagën dhe dy djemtë e Mehmetit, Skënder e Bashkim Shehun. Shumë nga këta, kishin pohuar në hetuesi hollësi për grupin e Mehmet Shehut. Kur i lexova ato, mendova se vërtet kishim të bënim me armiq realë të partisë e të pushtetit. Po gjatë punës për zbulimin më në thellësi të shtrirjes së kësaj veprimtarie, nuk i gjeta shumë nga faktet që ndodheshin nëpër dosje. Në një rast, kërkova nga Ali Çeno, të më fliste më në hollësi për ato çka kishte deponuar në hetuesi. Ai u përlot dhe më tha: “Mos i beso ato! Në kushtet ku jam ndodhur, u detyrova të pranoj gjëra që nuk janë të vërteta”! Po kështu, më ndodhi edhe me Mihallaq Ziçishtin, i cili, i njihte format e punës së Sigurimit, pasi kishte qenë për vite të tëra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme…!
Ditën kur vdiq Enveri…
Ishin momentet kur sa ishte njoftuar vdekja e Enverit. Të gjitha dhomat e të dënuarve antiparti, ishin pajisur me mjetet e teknikës operative (përgjimit) dhe unë nga zyra në burg, e kisha për detyrë, të ndiqja reagimet e tyre, në rastin konkret për vdekjen e Enverit. Disa prej tyre, e përjetuan me dhimbje dhe këtë e shprehën në forma të ndryshme. Edhe pse ishin duke vuajtur dënimet prej disa vitesh, shumica e tyre, për Enverin dhanë konsiderata pozitive.
“Tani Shqipërinë do ta marrë lumi”, reagoi njëri. “Tani shpëtoi populli shqiptar”! ju kundërpërgjigj Abaz Fejzo, duke ngritur tonin e zërit. Të gjitha këto, por edhe shumë të tjera, bënë që tek unë të ndryshonte mendimi për të dënuarit në përgjithësi, e në veçanti, për të dënuarit antiparti. Një pjesë e mirë e tyre, për mua tashmë ishin armiq imagjinarë. Edhe mjaft nga të dënuarit e tjerë, nuk ishin ata që kisha përfytyruar më parë. Në këtë vështrim, puna në burg ishte edhe një fat për mua. Aty gjeta realisht të vërtetën.
Më qëlloi të isha pjesë e grupit të punës, për aplikimin e dy amnistive në burgun e Burrelit, ato të vitit 1982 dhe 1986. Në të dyja rastet, faleshin të dënuarit ordinerë, që kishin bërë gjysmën e dënimit. Ata që ishin dënuar për agjitacion e propagandë, apo tendencë arratisje, faleshin po të ishin në vitin e fundit të vuajtjes së dënimit. Të dënuar ordinerë, kryesisht ishin ata që ishin ndëshkuar për vjedhje, grabitje, vrasje, etj. Pikërisht këta, përfitonin para atyre që ishin të dënuar politikë. Kjo ishte logjika e atij sistemi. Të dënuarve, nuk kisha çfarë t’u thosha, kur më kërkonin t’ua arsyetoja një qëndrim të tillë./Pamfletipirro nuredini enver hoxha përgjimet e të dënuarëve
Burimi