“Ta vrasim, dikush duhet të bëhet shembull”/ Zbardhen bisedat e Suel Çelës dhe biznesmenit Shega pas kapjes së drogës
Organizata kriminale e drejtuar nga Suel Çela kishte si aktivitet kryesor të saj trafikimin e lëndëve narkotike. Në disa raste lënda narkotike e porositur prej tyre nuk shkonte në destinacion dhe për këtë arsye kreu i organizatës kërkonte ndëshkim deri në ekzekutim për personat që mund të ishin përgjegjës, ose që e kishin tradhtuar.
Në lidhje me aktivitetin e lëndës narkotike, në dosjen e SPAK jepet një komunikim mes Suel Çelës, i njohur ndryshe edhe si Marjus Lulaj, i cili komunikon me biznesmenin tashmë të arrestuar Marsel Shega, ku nga konteksti i bisedës kuptohet që grupi ka organizuar një ngarkesë me lëndë narkotike te dyshuar kokainë që nga Amerika e Jugut në Europë, e cila dyshohet se nuk është marrë dhe Suel Çela, insiston që duhet të bëhen verifikime pasi ka dyshime se persona që e kishin marrë përsipër nxjerrjen e lëndës narkotike nga porti mund ta kenë vjedhur. Suel Cela i shkruan biznesmenit se nëse rezulton se grupi i daljes e ka vjedhur, apo i ka mashtruar atëherë ai duhet ekzekutuar, pasi dikush duhet te bëhet shembull.
Në bazë të komunikimeve, SPAK ka zbardhur edhe skemën se si Suel Çela me disa anëtare të tjerë kishin organizuar trafikimin e një sasie prej rreth 446 kilogramëve lëndë narkotike e dyshuar kokainë nga Ekuadori në drejtim të Holandës. Sipas komunikimeve ka rezultuar se Ergys Dashi ka pasur rolin e bashkë financuesit dhe organizatorit të transportit nga Ekuadori në drejtim të Holandës të 446 kilogramëve lënde të dyshuar kokaine. Suel Cela ka pasur rolin e bashkëfinancuesit për blerjen e rreth 100 kilogramëve lëndë narkotike e dyshuar me qëllim të trafikimit të saj nga Ekuadori ne Holandë dhe shitjen e saj në tregun europian. Shtetasi Gazmend Disha ka pasur rolin e marrësit në dorëzim të sasisë prej rreth 100 kilogramë lënde të dyshuar kokainë, e cila i përkiste Suel Çelës me qëllim shitjen në tregun europian. Renato Hasani kishte rolin e transportimit të 100 kilogramëve kokainë nga Holanda në Belgjikë dhe gjetjen e tregut në Holandë. Xhino Roka kishte si detyrë të kryerjes së transfertave të shumave të parave nga vendet e BE-së drejt vendeve të Amerikës se Jugut.
Hajdar Lala kishte pasur rolin e nxjerrjes së lëndëve narkotike nga vendi i fshehur në kontenier dhe dorëzimi i saj tek Gazemend Disha dhe Renato Hasani. Nga komunikimet dyshohet që kjo ngarkesë është nisur nga Ekuadori më datën 14.12,2020 dhe sipas bisedave te realizuara midis tyre kontejneri ishte ngarkuar me banane do të transportonte lëndën narkotike të dyshuar kokainë do të mbërrinte në Holandë më datën 03.01.2021. Nga analizimi i komunikimeve rezulton se kontejneri në të cilën ishte fshehur lënda narkotike ishte tranzituar fillimisht në portin e Anveres Belgjike dhe me pas në datën 05.01.2020 ka mbërritur ne Portin e Roterdamit, Holandë./Shqiptarja.com
Burimi