“Synoj Premier Ligën dhe Champions”, Ernest Muçi: Doja të luaja më shumë në Europian, por ky ishte vendimi i Silvinjos

“Synoj Premier Ligën dhe Champions”, Ernest Muçi: Doja të luaja më shumë në Europian, por ky ishte vendimi i Silvinjos

Ernest Muçi po bëhet gati që të nisë sezonin e ri te Beshiktashi, nën drejtimin e trajnerit të ri, Xhovani Van Bronkhorst. Por duket se sulmuesi shqiptar i ka idetë e qarta se çfarë kërkon të arrijë në të ardhmen.
“Objektivi im i madh është që të luaj në Premier Ligë dhe në Ligën e Kampioneve. Ky është një objektiv personal që kam. Por do të bëj më të mirën për klubin tim, i cili ka investuar shumë tek unë, para se këto gjëra të ndodhin, si dhe për tifozët të cilët më kanë pritur ngrohtëisht”, tha Muçi në një intervistë për “ASport”.
Një deklaratë që duket si një mesazh i hapur për Aston Vilën, klub i cili kishte shfaqur interes për futbollistin e Kombëtares shqiptare, pasi e pa të shkëlqente në fushë ndaj saj me fanelën e Legias së Varshavës.
Por në pritje të një hapi konkret nga klubi anglez dhe trajneri Unai Emeri, Muçi duket i fokusuar që të bëjë një përshtypje sa më të mirë te Van Bronkhorst dhe nuk shqetësohet nga ndryshimet taktike të mundshme që do të bëjë holandezi.
“Nuk kemi folur me trajnerin rreth pozicionit në të cilin do të luaj në sezonin e ri. Trajneri ynë është i fokusuar në aspektin fizik dhe taktik, më shumë se sa çështjet individuale të lojtarëve. Unë kam besim të plotë se ai do të gjejë vendin më të përshtatshëm për mua.
Unë jam shumë i lumtur që do të luaj me lojtarë me cilësi shumë të lartë si Rafa Silva apo Çiro Imobile. Ata kanë luajtur në ekipet më të mira, kampionatet më të forta. E përfshij edhe Gabriel në këtë listë. Ata do të jenë një guidë jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët e rinj”, tha Muçi.
Në fund, një koment edhe për pjesëmarrjen e tij në Europian, ku nuk fshehu dëshirën që kishte pasur për të luajtur më shumë minuta në këtë aktivitet.
“Të isha në Kampionatin Europian ishte një ëndërr që kisha që fëmijë. Ishte një eksperiencë e pabesueshme. Unë do të kisha dashur të luaja më shumë, por ky ishte vendimi i trajnerit tonë”, theksoi futbollisti.ernest muçi futbollisti i kombëtares shqiptare
Burimi