Sulmi në Ambasadën izraelite në Beograd, Vuçiç: Agresori ishte i trajnuar mirë

Sulmi në Ambasadën izraelite në Beograd, Vuçiç: Agresori ishte i trajnuar mirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur lidhur me incidentin e djeshëm ku një sulmues plagosi një polic para Ambasadës izraelite në Beograd. Ai tha se rritja e nivelit të rrezikut të sigurisë ka të ngjarë që të mbetet në fuqi deri më 2 korrik.
“Mendoj se do të zgjidhin gjithçka deri të martën dhe më pas gjithçka do të jetë në rregull”, tha Vuçiq për TV Prva.
Niveli i kërcënimeve të sigurisë nga terrorizmi që ndodhi ditën e djeshme, nënkupton shtim të pranisë policore.
Vuçiç u shpreh gjithashtu se sulmuesi ishte jashtëzakonisht i trajnuar mirë, pasi sulmoi policin me hark me shigjeta, “në mënyrë që sulmi të ishte krejtësisht i papritur”.
Gjatë sulmit në Ambasadë, agresori u vra nga polici që u plagos. Mësohet se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç tha për televizionin publik serb se dy persona janë arrestuar, teksa shtoi se “terrorizmi nuk mund ta mposhtë shtetin”. Ai tha se aksioni policor po vazhdon në mbarë Serbinë dhe janë kontrolluar disa lokacione dhe dhjetëra persona janë marrë në pyetje.
“Prokuroria do të vendosë se si do të veprohet”, u shpreh Daçiç teksa shtoi se “sinagoga në Beograd ka të ngjarë të ketë qenë caku i parë i sulmuesve”.
Sulmuesi i vrarë u identifikua si Millosh Zhujoviq, i cili sipas Daçiqit, ishte nga Mlladenovaci dhe ishte konvertuar në islam.
“Është konstatuar se personi që ka kryer sulmin terrorist është Millosh Zhujoviq [1999], emri fetar Salahudin, i konvertuar, nga Mlladenovaci, i cili është shpërngulur për të jetuar në Novi Pazar”, tha Ministria e Brendshme serbe.
Më 29 qershor, policia ka kryer kontrolle në disa vende në Novi Pazar, pas dyshimeve se mund të ketë lidhje me sulmin. Novi Pazari, që gjendet rreth 270 kilometra nga Beogradi, është komunë e banuar me shumicë boshnjake.
 
Burimi