“SPAK godet nga të gjitha anët”, paralajmëron Karamuço: Do të kemi të tjera arrestime
Në Shqipëri lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të mbetet një sfidë për vendin.
Raporte ndërkombëtare evidentojnë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, kjo dukuri mbetet shqetësimi serioz për Shqipërinë.
Raporti i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut vërente se gjatë 2023 ne Shqipëri “korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, megjithëse autoritetet bënë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe drejt dhënies fund të mosndëshkimit.
Profesori i Kriminologjisë pranë Universitetit të Tiranës, Ervin Karamuço thotë se duhen zgjeruar mekanizmat institucionalë për të parandaluar, hetuar dhe goditur korrupsionin dhe se lufta nuk duhet kufizuar vetëm nga ana e institucioneve të drejtësisë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai vlerëson punën e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Do të shikojmë në ditët dhe javët në vijim, do të kemi të tjera arrestime që do të përforcojnë më së shumti idenë që SPAK-u godet nga të gjitha krahët, që SPAK-u nuk pyet askënd, vetëm ligjin”, tha Karamuço.
Zëri i Amerikës: Shqipëria ndërmori një reformë të pazakontë për të ringritur të gjithë sistemin e drejtësisë. Duket sikur ka pasur suksues. Sa të thella janë lidhjet e krimit të organizuar me politikën në Shqipëri?
Ervin Karamuço: Aktualisht jemi në fazën e një iniciative të Parlamentit shqiptar në lidhje me një reformë tjetër institucionale, pse jo dhe ligjore, për të luftuar korrupsionin. Di që janë marrë masa dhe janë ngritur grupet e para të ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët në mënyrë paralele, ashtu siç ndodhte dikur me ekspertët e reformës në drejtësi, po hedhin idetë e para se si do të reagojnë institucionet ndaj kësaj vale të re të ashtuquajtur të korrupsionit, e cila po ndihet siç është përmendur edhe në raportin e Departamentit të Shtetit në të gjitha degët e pushtetit. Sigurisht janë bërë përparime, po shikohet një lloj reflektimi nga ana e institucioneve, të shikojmë në vijim se si do të bëhet e mundur në mënyrë efektive që të ulet, të reduktohet në maksimum fenomeni i korrupsionit në të gjitha këto institucione. Shikojmë që nuk është prekur vetëm gjyqësori, përkundrazi ka informacione që edhe gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar vetting-un vazhdojnë që të kenë jo vetëm kontakte të papërshtatshme, jo vetëm një performancë të dobët në krye të detyrës, por edhe po vijojnë të konsumojnë akte korruptive. Këto vihen re nëpërmjet denoncimeve të vetë qytetarëve, të avokatëve të ndryshëm e kështu me radhë. Por nuk është vetëm gjyqësori, është edhe administrata publike gjithashtu e përfshirë në akte korruptive. Sigurisht, administrata është një numër shumë i madh, pothuajse 180 mijë së bashku me korportat publike kështu që duhet më shumë punë, më shumë institucione, të cilat nuk zgjidhen dot vetëm me SPAK-un. Kur flasim për korrupsion flasim vetëm për 20 prokurorë që hetojnë, por duhet të ketë edhe institucione të tjera të cilat bëjnë një hetim paraprak në rrugë administrative. Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi aktualisht institucione të pavarura, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit, por ende i pamjaftueshëm për të hyrë dhe për të nxjerrë në pah të gjitha këto fenomene, për t’i denoncuar ato në organet ligjzbatuese.
Zëri i Amerikës: Një nga mjetet kryesore në luftën kundër krimit të organizuar është hetimi i pasurive dhe burimeve të tyre financiare, sa e vështirë është kjo luftë në kontekstin shqiptar?
Ervin Karamuço: Në kontekstin shqiptar vetëm këto vitet e fundit ka filluar një kërkesë shumë e madhe nga ana e institucioneve ligjzbatuese për personat që nuk janë në profil policor ose në profil hetues, por janë në profile që kanë të bëjnë me financat, me bankat, me kontabilitetin, e të tjerë. Pra janë të gjitha këto fusha që kërkohet një nevojë urgjente për t’i futur brenda sistemit, pra brenda institucioneve dhe për t’i shfrytëzuar njohuritë e tyre në atë që ne e quajmë rëndomë, madje dhe këtu në Shtetet e Bashkuara “të ndjekim paratë”, “follow the money”. SPAK-u po e bën këtë. Ka ngritur një njësi të veçantë, por kjo njësi duhet të shpërndahet edhe në institucionet e juridiksionit të përgjithshëm kur flitet për prokurorinë e juridiksionit të zakonshëm, gjykatat e kështu me radhë, sepse ato kanë një nevojë për të parë fenomenin dhe për të luftuar sa më shumë pastrimin e produkteve të veprës penale sidomos nga ana e organizatave kriminale.
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, prej disa vitesh ka një bum të ndërtimeve dhe një debat se nga burojnë paratë. Ka studime që thonë se pas një pjese të mirë të këtyre investimeve qëndrojnë paratë e pista. Autoritetet e mohojnë këtë tezë. Ndërkohë që në raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme për vitin e kaluar, vihet në dukje se ndërtimi dhe krijimi i shoqërive tregtare janë forma më e përhapur e pastrimit të parave. Cili ishte vlerësimi juaj?
Ervin Karamuço: Ne jemi në një fazë ku kemi pasur një sukses për daljen nga lista gri e vendeve të cilat shikohen si një rrezik potencial për pastrimin e parave. Kjo do të thotë që kemi forcuar deri diku institucionet dhe sistemet tona të verifikimit dhe të alertës, por nga ana tjetër ne nuk kemi një kontroll efiçent në lidhje me çfarë po ndodh në tregun e lirë shqiptar, kush janë flukset e parasë? Ende nuk po trokasim dot tek origjina e shumë prej investimeve të mëdha që po kryhen nga ana e disa të ashtuquajturve investitorë, por që kur hedh sytë dhe i shikon në të kaluarën e tyre nuk është se kanë evaluar gradualisht në këtë pasuri, por lekët justifikohen nga të ardhura dytësore, personave të tjerë, huamarrje, jo vetëm nga individë, por edhe nga institucione financiare. Kjo sigurisht të vë në dyshim. Për këtë duhet investuar dhe duhet riparë roli i agjencive që monitorojnë flukset e parave, sidomos ato të paligjshme në Shqipëri. Një agjenci vetëm siç është ajo pranë ministrisë së Financave nuk e bën dot këtë. Është e pamundur ta bëjë. Por ne duhet të ngremë dhe agjenci të tjera të cilat në njëfarë mënyre të bashkërendojnë punën që këta ndërtues, qoftë edhe në disa prej 10 zërave kryesorë që pastrojnë para në Shqipëri nëpërmjet aktiviteteve financiare, të mendojnë se ka një njeri që i survejon dhe që puna e tyre do të zbulohen dhe asetet e tyre do të ngrihen për të kaluar në favor të shtetit më pas.
Zëri i Amerikës: Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë hetuar dhe arrestuar figura të larta politike. SPAK-u është vënë në qendër të kritikave, sidomos nga opozita e cilat thotë se është vënë në shërbim të qeverisë. Cili është mendimi juaj?
Ervin Karamuço: Nga të gjitha informacionet që unë kam si profesor di të them që SPAK-u deri tani po ecën në shinat e duhura, është i pavarur, i paanshëm dhe për shkak të kësaj ka një nervozizëm të shtuar nga të gjithë ata politikanë që janë vënë nën akuzë ose pritet të vihen nën akuzë, e shikojnë këtë si një institucion i cili nuk duhet t’i kishte hapur dyert kurrsesi në atë ambient aq të rehatshëm dhe komod në të cilin po kryheshin të gjithë ato akte korruptive që kanë vite e vite që janë të mbivendosura në jetën tonë dhe ne i shikojmë përditë. Është shumë e vështirë sot që të akuzosh SPAK-un, është shumë e lehtë për ta përgëzuar atë për punën që po bën. Do të shikojmë në ditët dhe ne javët në vijim do të kemi të tjera arrestime që do të përforcojnë më së shumti idenë që SPAK-u godet nga të gjitha krahët, që SPAK-u nuk pyet askënd, vetëm ligjin.
Burimi