Skandali tek Onkologjiku, Lapaj: Krim shtetëror i kryer nga qeveria

Skandali tek Onkologjiku, Lapaj: Krim shtetëror i kryer nga qeveria

“Nuk duhet të merremi me pasojat, por me burimin dhe shkakun e tyre. Nuk është çështja se kape 2-3 mjekë, por është të godasësh vatrën e infeksionit. Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë fshihen pas gishtit dhe po gënjejnë”.
Kështu u shpreh Adriatik Lapaj, nga Lëvizja “Shqipëria bëhet”, i ftuar në studion e “Ditarit” në A2 CNN. Sipas tij, në shkresat mes QSUT dhe Ministrisë së Shëndetësisë tregohet se ka pasur limit buxhetor për ilaçet e sëmundjeve të rënda.
“Sistemi ynë shëndetësor ndaj nuk ka ilaçe. Vendoset një tarifë për to dhe nuk ka rëndësi nëse me atë shifër ti blen 50% të nevojës apo 70% të nevojës. Kjo nuk është filozofia se si duhet të funksionojë ky sektor. Kjo mund të bëhet te rrugët, jo te ilaçet. Në një shkresë tjetër thuhet se ilaçi i leuçemisë për fëmijët duhet të jetë në 9000 flakonë. Në 2020 ishin 230, për vitin 2021 janë 0 flakonë, për vitin 2022 janë 333 flakonë, ndërsa për vitin 2023 janë 73. A nuk është kjo vrasje me paramendim? Po t’i marrësh të gjitha, vërtetohet se ilaçet nuk janë në sasitë e nevojshme”, tha Lapaj.
Lapaj shtoi se i njëjti problem nuk është vetëm me ilaçet, por edhe me pajisjet.
Më tej, Adriatik Lapaj, komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama që skandali i zbuluar në Onkologjik është krim kundër njerëzimit: “Jam dakord që është krim kundër njerëzimit, por i kryer nga qeveria e tij. Siç jua faktova me dokumente, filozofia e qeverisë është që ne përcaktojmë një buxhet, pavarësisht sa është nevoja për ilaçe. Ky është krimi i parë kundër njerëzimit. E dyta, është e turpshme që doktorë dhe profesorë të rrinë në rresht për një para politikës, kur politika është në faj. Dhe ky është fati tragjik i vendit tonë, që intelektualët nuk gjejnë guximin për të qenë intelektualë sepse e kanë ngrënë lugën e çorbës, prandaj rrinë ashtu”.
Burimi